E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet e mbytur ne Osum 51 vjecarja

Një 51 vjeçare, banore e Poliçanit u gjet e mbytur në lumin Osum mesditën e së mërkurës, ndërkohë që policia në hetimet e para bëri me dije se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale. Ballkëze Tare, u gjet e mbytur në afërsi të fshatit Mbrakull, ndërkohë që familjarët deklaruan se dy ditë më parë ajo ishte nisur nga fshati Valë i rrethit të Skraparit drejt banesës së saj në qytetin e Poliçanit. Nga policia bëhet e ditur se kanë qenë banorët e fshatit Mbrakull ata të cilët gjetën trupin e pajetë të gruas, nënë e tre fëmijëve dhe menjëherë njoftuan uniformat blu në Berat. Viktima dy ditë më parë  ishte nisur nga fshati Valë i rrethit të Skraparit ku familja dispononte një banesë të vjetër dhe pasi kishte punuar në tokat e saj ishte kthyer drejt banesës në qytetin e Poliçanit. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale pasi gruaja ka udhëtuar në një kohë me rebesh dhe shi duke përshkuar një urë të shkatërruar në këtë zonë. Hetimet e policisë vazhdojnë dhe ende nuk ka një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›