Presidenti Nishani ngushëllon Presidentin amerikan Obama për katastrofën natyrore që goditi bregun lindor të Shteteve të Bashkuara
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit amerikan Barak Obama, shpreh ndjenjën e solidaritetit dhe ngushëllimet për 33 viktimat e shkaktuara nga stuhia e fuqishme që goditi bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos qytetin e Nju-Jorkut.
“I nderuar Zoti President, Me hidhërim të thellë ndoqa përmbytjet dhe shkatërrimet që solli stuhia shumë e fuqishme që goditi bregun lindor të SH.B.A., sidomos qytetin e Nju Yorkut, duke shkaktuar dhe humbjen e jetëve të mbi 33 qytetarëve amerikanë. Kjo ngjarje shumë e rëndë natyrore që ka lënë pasoja të pallogaritshme në disa qytete të vendit tuaj na ka tronditur të gjithëve pa masë. Me këtë rast, më lejoni Shkëlqesi, që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve dhe familjeve të viktimave e të lënduarve, ngushëllimet më të sinqerta, duke ndarë gjithashtu me popullin tuaj, lutjet më të ndjera për shërim dhe rimëkëmbje, pas kësaj fatkeqësie! Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, ndjenjat e solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente shumë të vështira për kombin amerikan.” – theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.
Panariti telegram ngushëllimi Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Clinton
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Sekretares së Shtetit të SHBA-së, znj. Hillary Rodham Clinton, pas situatës dramatike që përjetuan disa shtete të SHBA-së si pasojë e goditjes nga uragani Sandy. Në të thuhet:
Me hidhërim të thellë mësova për humbjen e jetëve njerëzore nga uragani Sandy, i cili përshkoi territoret më të populluara të Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara.
Më lejoni, Zonja Sekretare e Shtetit, t’ Ju përcjell Juve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, ngushëllimet e mia me të sinqerta.
Ndërsa bashkohem me familjet amerikane në hidhërimin e tyre, kam besim se populli dhe qeveria amerikane do të gjejnë kurajën dhe forcën e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë fatkeqësie.