E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet e vdekur në dhomën e gjumit, ekspertizë për vrasje



FIER - Një vdekje misterioz ka ndodhur mbrëmjen e dy netëve më parë në Mallakastër, kur një vajzë e sapo martuar i ka dhënë fund jetës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se një 17-vjeçare me inicialet L. M., është gjetur e vdekur në dhomën e saj të gjumit, për shkak të një plumbi që kishte marrë në trup. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Ftir, të Mallakastrës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje.
Vdekja
Dëshmitë dhe faktet e para nga ky fshat bëjnë të ditur se adoleshentja është vetëvrarë me një plumb pistolete, të llojit “TT”. Por, hetimet janë duke u bërë në një tjetër pistë, në atë të shkaqeve që çuan të renë ti jepte fund jetës. Policia ka bërë të ditur se vajza e re ka vdekur nga plumbi që ka dalë nga pistoleta e vjehrrit të saj, armë që kishte leje të rregullt, pasi ai ishte efektiv i Policisë Pyjore të këtij rrethi. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka sekuestruar armën e krimit, si provë ndërkohë që është gjetur dhe një gëzhojë. 17-vjeçarja, sipas policisë ka në trup vetëm një plagë.
Hetimet
Pista e parë e uniformave blu është ajo e vetëvrasjes, por nuk përjashtohet dhe pistat e tjera, që janë duke u hetuar intensivisht nga Policia e Mallakastrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje familjarët e viktimës. Së pari, bashkëshorti, cili punon me strukturat e Policisë Pyjore. Po ashtu, edhe pjesëtarë të tjerë të nuses së re, e cila u gjet e vdekur. Burimet pohojnë se është duke u bërë ekspertizë e detajuar edhe për armën e krimit; po verifikohen shenjat e gishtërinjve në armë dhe ekspertiza balistike. Këto do të hedhin dritë nëse është vetëvrasje, apo një vrasje brenda në familje. Nga të dhënat e para, pohohet se e sapomartuara nuk ka shfaqur probleme mendore. Qarku I Fierit regjistron një numër rekord vetëvrasjesh. Por, ka pasur jo pak raste, ku aktet e paraqitura si vetëflijim, kanë qenë krime të pastra.

Sherr për pronën, dy vëllezër plagosin rëndë kushëririn

ELBASAN - Dy vëllezër kanë plagosur rëndë kushëririn e tyre, pas një sherri për motive pronësie. Ngjarja është regjistruar në një fshat të Librazhdit, dhe ka për autorë vëllezërit Bisku, ku njëri prej të cilëve ka përfunduar në pranga. Ata kanë goditur me mjete të forta kushëririn e tyre, A.Bisku, 38-vjeç. “Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Librazhdit dhe sipas mjekëve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën”- thanë burimet nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve të policisë lokale, në pranga ka përfunduar 18-vjeçari Lulzim Bisku dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij. “Ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim”- thanë të njëjtat burime, duke shtuar se grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Adoleshenti është shoqëruar në dhomat e komisariatit dhe po i nënshtrohet marrjes në pyetje për të dhënë detaje rreth ngjarjes. Ndërkohë policia është në kërkim të të akuzuarit tjetër për plagosjen në bashkëpunim.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›