E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëputet suvaja e tavanit, plagosen rëndë dy punonjësit e fabrikës



FUSHË-KRUJË - Një aksident i rëndë në punë ka ndodhur mesditën e djeshme në fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë. Dy punëtorë janë aksidentuar gjatë kohës që po punonin në ngarkim-shkarkimin e thasëve me çimento. Një pllakë betoni e shkëputur nga tavani i mjediseve të brendshme të fabrikës u ka rënë mbi trup dy punëtorëve. Sipas burimeve policore, të plagosurit janë shtetasit: Shkëlqim Lleshi, 40 vjeç dhe Agron Tonuzi, 37 vjeç. Dy punëtorët, njëri nga Thumana dhe tjetri nga Borizana, kanë marrë plagë të rënda në trup dhe në kokë. Ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën. Policia e cila ka nisur hetimin për ngjarjen ka hedhur dyshimet për mosrespektim të rregullave të sigurimit teknik në punë nga ana e drejtuesve të fabrikës. Pak muaj më parë ndodhi një ngjarje e rëndë në mjediset e jashtme të Fabrikës së Çimentos, ku gjatë rrëzimit të skelës, mbetën të plagosur rëndë disa specialistë shqiptarë dhe të huaj që po riparonin një defekt.

Shkrumbohet mobilieria, pronari akuzon për “zjarrvënie”

FIER - Flakët e zjarrit kanë përpirë një magazinë të tërë në komunën Qendër të rrethit të Fierit vetëm pak metra larg linjës hekurudhore që ndan qytetin me këtë komunë. Zjarri ka rënë në një magazinë të mbushur me materiale lëndë drusore për prodhimin e mobileve, e cila është pronë e shtetasit Hasan Lika. Lënda drusore përdorej për prodhimin e mobilieve dhe ka djegur gjithçka që kishte në brendësi duke i shkaktuar subjektit qindra milionë lekë dëme. Vetë pronari i mobilierisë flet dhe tregon se zjarri është pikasur rreth orës 9 të mëngjesit por në atë kohë kishte djegur pjesën më të madhe të materialeve .Janë njoftuar mjetet zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur vetëm izolimin e tij në pjesë të tjera të objektit pasi magazina ishte djegur plotësisht. Ndërkohë që ka evituar mospërhapjen e zjarrit në banesat që ndodheshin pranë magazinës. Banesa e njërit prej pronareve të mobilierisë Lika e cila ishte ngjitur me murin e magazinës ka shpëtuar mrekullisht. Sipas tij zjarri ka qenë i qëllimshme dhe ai hedhë dyshime se ka qenë për shkak të konkurrencës në fushën e prodhimit të mobilierisë. Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa përjashtohet pista e shkëndijës elektrike si shkak i zjarrit, kjo për shkak se në magazinë nuk ka pasur instalime elektrike thotë pronari i kësaj magazine.

Plagoset rëndë 58-vjeçarja, ndalohet drejtuesi i motoçikletës

SHKODËR - Një 58 vjeçare u plagos rëndë paraditen e së martës, pasi u përplas nga një motoçikletë teksa ishte duke ecur në rrugën kryesore të fshatit Mes-Muselim, në komunën Postribë të rrethit të Shkodrës. Burime zyrtare nga policia e Shkodrës thanë se " M. U., 58 vjeç, u plagos rëndë nga bashkëfshatari i saj M.H, 17 vjeç, i cili e përplasi atë me motoçikletën e tij tip "Lifan" me targa SH 432 C ". Sipas policisë, 58 vjeçarja ndodhet në spital e Shkodrës, në gjendje kritike për jetën. Mësohet se forcat e policisë së Shkodrës ndaluan drejtuesin e motoçikletës, të riun M.H.

Makina e vjedhur në Itali kapet në Gjirokastër

GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës sekuestroi dje një automjet që rezultonte i vjedhur në Itali dhe ka dërguar për ndjekje penale pronarin e tij. Bllokimi i mjetit u bë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pas kontrolleve që ushtroi policia lokale në këtë zonë.
“Automjeti tip Volswagen Golf 4, me ngjyrë blu, me targa AL 961 SD, kishte pronar shtetasin Mehmet Shefqet Shehu, 40-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vasjar të rrethit Tepelenë”- thanë burimet e policisë. Nga hetimet rezultoi se ky shtetas këtë mjet e ka sjellë nga Italia nëpërmjet Portit të Durrësit më datën 21.06.2008. Gjatë verifikimeve të bëra me numrin e shasisë në listat e sjella nga Interpoli, ky mjet figuronte i vjedhur në Itali.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›