Pranga oficerit të policisë, mori 600 mijë lekë për diplomën false
Altin Jashari u arrestua pasi kishte kthyer një pjesë të shumës së parave që kishte përfituar nga nxjerrja e diplomës së shkollës së mesme, e cila rezulton e falsifikuar
Tiranë Falsifikimi i një diplome të shkollës së mesme i ka kushtuar prangat oficerit të policisë Altin Jashari, me detyrë komandant toge pranë komisariatit nr. 1 në kryeqytet. 49-vjeçari me orgjinë nga Dibra dhe banues në kryeqytet është arrestuar paditen e djeshme nga kolegët e tij të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë hetuar për disa muaj efektivin e policisë, i cili bashkëpunonte me një tjetër person, që tashmë është shpallur në kërkim nga policia. Sipas burimeve të policisë, mësohet se hetimet ndaj oficerit të kenë nisur pas denoncimit të një qytetari, i cili ka pretenduar se punonjësi i policisë e ka mashtruar duke i dhënë një diplomë të falsifikuar për 600 mijë lekë të vjetra. Menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për rastin në fjalë, duke kryer edhe ekspertimin e diplomës së shkollës së mesme që qytetari ka dorëzuar në polici bashkë me denoncimin. Nga ekspertiza ka rezultuar se diploma ka qenë tërësisht e falsifikuar, fakt ky për të cilin ishte në dijeni edhe kallëzuesi. Gjatë kohës që çështja ishte nënë hetim, denoncuesi dhe oficeri i policisë kanë mbajtur kontakte mes tyre, ku nga bisedat telefonike ka rezultuar se “përfituesi” i diplomës ka shprehur shqetësimin për falsifikimin e saj, duke kërkuar edhe kthimin e parave. Këto biseda kanë zgjatur për disa ditë, kur ditën e djeshme oficeri i policisë dhe qytetari që e ka denoncuar atë janë takuar me qëllim kthimin e parave nga ana e policit. Ky takim është filmuar nga agjentët dhe oficerët e SHKB-së, të cilët kanë pritur deri në përfundim të tij për të kryer më pas prangosjen e komandantit të skuadrës në komisariatin e policisë nr. 1 në Tiranë. Sipas burimeve, mësohet se në takimin e djeshëm Jashari ka kthyer një pjesë të shumës prej 600 mijë lekësh që kishte marrë për nxjerrjen e diplomës së rregullt. Policia thotë se ndaj oficerit të policisë janë ngritur akuzat e “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve shkollore”.