“Skema aktuale e pensioneve duhet reformuar”
Skema aktuale e pensioneve nuk është dhe aq frytdhënëse për moshat e treta. Pavarësisht vendimeve të qeverisë për rritjen e pensioneve në fshat dhe qytet, niveli i tyre mbetet sërish i ulët. Në një intervistë për gazetën, drejtori i përgjithshëm i Institutit të Pensioneve Private “CAPITAL” Naim Hasa, ka sqaruar në detaje, mangësitë e skemës aktuale të pensioneve. Sipas tij, ka ardhur momenti për zhvillimin e skemave private të pensioneve.
Si e vlerësoni sistemin aktual të pensioneve, a është frytdhënës sistemi aktual i sigurimeve shoqërore me bazë kontributive? Sipas një raporti të Bankës Botërore Shqipëria renditet e fundit në rajon për sa i përket raportit kontribuues-përfitues në sigurimet shoqërore, si e vlerësoni ju këtë?
Funksionimi i sistemit të sigurimeve shoqërore me bazë të kontributeve, është i lidhur shumë si me personat që kontribuojnë në skemë ashtu dhe ato që përfitojnë nga skema, pra nga raporti kontribues-përfitues. Që skema të funksionojë mirë dhe pjesëmarrësit në sistem të jenë të kënaqur, ky raport duhet të jetë 4:1, pra 4 veta të kontribuojnë dhe 1 të përfitojë. Por kur ky raport prishet dhe zbret deri në 2;1 sistemi paraqet vështirësi të financimit të tij. Në kushtet kur ritmet e lindjes po bien dhe jetëgjatësia mesatare e njerëzve po zgjatet, numri i “popullsisë së tretë” (pensionistët), po rritet me ritme shumë më të shpejta se ritmet e rritjes së popullsisë aktive. Në këto kushte, ky raport sa po vjen dhe po prishet, për rrjedhojë sistemi i pensioneve – “Pay As You Go”, po shkon gjithmonë e më shumë drejt pamundësisë për të plotësuar nevojat e “popullsisë së tretë”.
Ekzistojnë shumë shembuj nëpër botë se si vende të ndryshme kanë përshtatur sistemin e tyre të pensioneve, konform ndryshimeve të rëndësishme demografike që po përjetojnë. Edhe Shqipëria nuk mund të qëndrojë larg këtyre zhvillimeve. Aktualisht jemi një vend me popullsi relativisht të re, ku mosha mesatare vërtitet rreth shifrave 30-31 vjeç, kundrejt 45-47% që e ka Evropa, ku popullsia aktive zë afro 56 % të saj. Pra, siç shihet, megjithëse natyra na ka favorizuar, por po ti hedhësh një sy shpërndarjes së kësaj popullsie aktive rezulton se vetëm 30-31 % e saj kontribuojnë në skemë, 32% janë në emigracion, 14% janë punëkërkues të pa punë dhe pjesa tjetër 22-24% në punë jo formale, pra kontigjent për të kontribuar. Të gjitha këto kanë bërë që raporti kontribues përfitues të bjerë shumë dhe sot ai të vërtitet në shifra shumë kritike 1,2:1. Për rrjedhojë, duke e parë këtë proces në harkun kohor 2003-2009, konstatohet se treguesit kryesor të funksionimit të këtij sistemi të pensioneve janë shqetësuese. Kështu, niveli i ulët i të ardhurave në raport me G.D.P. 5.03%, kundrejt 8–10 % të vendeve për rreth nesh, shkalla shumë e ulët e zëvendësimit (raporti pension mesatar me pagë mesatare) 35-38%, kundrejt 70-75 % që duhet të jetë ligjërisht, përqindja e ulët e popullsisë në moshë punë të inkuduar në sistem, vetëm 30-32% etj,. Të gjitha këto kanë rritur në mënyrë të ndjeshme financimet e subvencionet buxhetore, duke e denatyruar sistemin. Përgjithësisht duhet pranuar se me gjithë rritjet e bëra, sistemi sot afron përfitime të ulëta.
Qeveria ka rritur moshën e daljes në pension. Mendoni se ky vendim ka përmirësuar raportin kontribues përfitues dhe ka ulur subvecionet nga buxheti i shtetit?
Pa dyshim, në sistemet e pensioneve me bazë të gjerë, rritja e moshave të daljes në pension influencon në përmirësimin e balancimit financiar të sistemit, mbasi zgjat periudhën e kontributit dhe shkurton kohën e përfitimit. Por, të jemi të sinqertë, rritja e moshave të pensionit është i lidhur ngushtë me shumë faktor, ekonomik, social dhe demografik. Duhet pranuar se në çdo vend, krahas rritjes së jetëgjatësisë, ndjehet nevoja e zgjatjes së veprimtarisë aktive e prodhuese të individit. Sot, moshat e daljes në pension pleqërie në botë vërtiten rreth shifrave 65-70 vjeç. Në Shqipëri, rritja e moshave të daljes në pension u bë e kushtëzuar dhe për një faktor tjetër të rëndësishëm, përafrimi gradual me standardet e vendeve të tjera të BE. Por kjo masë nuk shihet si zgjidhje e vetme e problemit të sistemit të pensioneve. Shumë vende Evropiane, në fund vitet e shekullit të kaluar, kaluan një periudhë, e cila u shoqërua me mjaft probleme për sistemin shtetëror të Sigurimeve Shoqërore. Fillimisht këto vende filluan të modifikojnë sistemin ekzistues, duke ruajtur ekuilibrat financiare, nëpërmjet ngritjes së moshave të pensionit dhe rishikimit të kontributeve. Por në fakt, gjatë zbatimit, këto reforma hasën në mjaft probleme. Ato jo vetëm nuk sollën një përmirësim të situatës, por në mjaft raste thelluan më shumë kontradiktat midis brezave, duke mbingarkuar brezin e ri. Në kërkim të zgjidhjes së kësaj problematike, organizma ndërkombëtare, të tillë si FMN, Banka Botërore, ILO etj, konstatuan se skema PAYG e ideuar mbi 100 vjet më parë nga Bismarku, e udhëhequr nga parimi i solidaritetit dhe i vazhdimësisë së brezave e mbaroi misionin e saj. Prandaj ato orientuan për ndërmarrjen e një reforme të përgjithshme të pensioneve, tashmë në kushte të reja. Në themel të kësaj reforme qëndronte ndërtimi i një sistemi të alternuar, të përbërë nga 2 apo me shumë skema pensioni (shumë kolonësh), i cili do të kombinonte më mirë pjesëmarrjen financiare në fondin e pensioneve të sistemit të vjetër shtetëror PAYG, me sistemin privat të përgjegjshmërisë së individit për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve sociale. Ky sistem do të përbëhej nga tre skema (kolona). Kolona e parë sistemi shtetëror PAYG, kolona e dytë sistemi privat i detyruar dhe kolona e tretë sistemi privat vullnetar. Mbi këtë filozofi, në mjaft vende, krahas sistemit shtetëror u ngrit sistemi privat, fillimisht vullnetar suplementare dhe pas viteve 1998 edhe sistemet private të detyruara. Sot këto sisteme veprojnë pothuajse në të gjithë botën madje edhe në Maqedoni e Kosovë dhe janë mjaft të suksesshëm. Në këtë kontekst të përgjithshëm zhvillimesh, edhe në Shqipëri, u hartua dhe u miratua ligji Nr. 7703 dt.11.05.1993: “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar). Ky ligj bëri një ndryshim rrënjësor të sistemit, duke kaluar nga një sistem unik, ku funksiononte vetëm një skemë pensioni, ajo shtetërore, në një sistem të përbërë, ku tashmë sistemi i përgjithshëm do të përbëhej nga dy skema, skema bazë shtetërore me parimet e funksionimit të sistemit pay es you go dhe skemat suplementare private.
Cilat kanë qenë ndryshimet e bëra nga qeveria vitet e fundit për zhvillimin e skemave te tjera të pensioneve, duke përfshirë këtu edhe pensionet private?
Pas miratimit të sistemit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore, në harkun kohor 1994-1996 u ndërtua edhe kuadri ligjor i skemave suplementare. Kështu, për punonjësit e administratës së lartë shtetërore u miratua ligji nr.8097, date 21.03.1996 “Për Sigurimin Shtetëror Suplementar të Personave që Kryejnë Funksione Kushtetuese dhe Punonjësve të Shtetit”. Nëpërmjet këtij ligji, punonjësit e administratës shtetërore, marrin përfitime shtesë në raport me kohën që kanë punuar në këtë administratë, nga viti 1991 e në vazhdim. Aktualisht skema është shtrirë deri te niveli i administratës qendrore, si dhe drejtuesit (kryetarë e sekretarë) të administratës lokale, me tendencën për t’u shtrirë tek të gjithë punonjësit e shërbimit civil. Edhe për ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme,të Policisë së Shtetit dhe atyre të Shërbimit Informativ Shtetëror, mbështetur në ligjin nr.8087, datë 13.03.1996 (të ndryshuar) “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve”, caktohen përfitime shtesë për vjetërsi shërbimi, sëmundje, pension etj., për kohën që kanë shërbyer në ato funksione. Me ligjin nr.7943, date 01.06.1995 “Për Pensionet Suplementare dhe Institutet Private të Pensioneve’’, ju krijohet mundësia që edhe punonjësve të tjerë të sektorëve jobuxhetorë dhe private, të marrin përfitime shtesë, kundrejt kontributeve të paguara. Që nga momenti i miratimit dhe i fillimit të zbatimit të ligjit të pensioneve suplementare, kanë kaluar afro 15 vjet. Nga kjo periudhë, deri në Korrik të vitit 2004, ka dalë vetëm një vendim qeverie (më 1998), i cili përcaktonte se krijohej organi që duhej të licenconte dhe të mbikëqyrte veprimtarinë e fondeve private të pensioneve në Shqipëri dhe kaq. Kjo pauzë kaq e pamotivuar për krijimin e fondeve private të pensioneve, shpjegohet vetëm me faktin se ky aktivitet nuk është parë në asnjë rast si zgjidhje e krizës së sistemit të pensioneve në Shqipëri. Megjithatë, duhet pranuar se pas vitit 2005, u morën disa masa konkrete për krijimin e këtij tregu. Kështu u ngrit Inspektorati i Instituteve Private të Pensioneve dhe më pas u riorganizua tregu financiar jo bankar në një autoritet të vetëm AMF me atribute edhe për ngritjen e funksionimin e skemave private të pensioneve. Me nisjen e këtij procesi në vitin 2005, u krijua infrastruktura e nevojshme rregullative dhe në vitin 2006 u ngritën tre kompanitë e para të pensioneve private suplementare. Po ti hedhësh një vështrim të përgjithshëm zhvillimit të aktivitetit të këtyre kompanive të ngritura, shihet një inkurajim i një shkalle të ulët të tij për këtë treg, në raport me elementet e tjerë të tij. Aktualisht, në tregun financiar shqiptar funksionojnë 16 banka private të shtrira në të gjithë vendin, 10 kompani sigurimi dhe mjaft institucione të tjera financiare, si ato të kursim-kreditit, shoqëri të leasing etj., të cilët luajnë një rol primar në tregun financiar në Shqipëri. Menaxhimi privat i fondeve të pensioneve, ka rezultuar të jetë efikas dhe i suksesshëm në luftën kundër uljes dhe zhdukjes së informalitetit. I aplikuar për herë të parë në vitin 1981 në Kili dhe i pasuar në një sërë vendesh të ndryshme, kjo formë e administrimit të sistemit është adaptuar tashmë nga shumica e vendeve të Botës, madje siç thamë edhe në Maqedoni e Kosovë. Sa i përket së ardhmes së kolonave të tjera të pensioneve, e veçanërisht të skemave të pensioneve vullnetare private, ato paraqiten mjaft të rëndësishme dhe amortizuese të problemeve sociale në Shqipëri. Ato afrojnë përfitime për pensione në kushte shumë të favorshme se skema shtetërore. Pjesëmarrësit në këto skema mund të dalin në pension që në moshat 40 e 45 vjeç me 5 vjet vjetërsi dhe të marrin për një periudhë 10-15 vjeçare, 2 deri në 3 herë më shumë se kontributet e derdhura, kundrejt 35 % që marrin nga skema shtetërore për 35 vjet që kanë kontribuar. Aktualisht kontigjente mjaft të rëndësishme të kësaj skeme janë; Punonjësit e profesioneve të vështira, të cilët sipas sistemit bazë duhet të dalin në pension në moshën 65 vjeç. Nëpërmjet skemave private, ju krijohet mundësia deri sa të arrijnë këtë moshë të marrin pension të parakohshëm, kundrejt kontributeve që punëdhënësit dhe punëmarrësit paguajnë. Këtu mund të përmendim punonjësit e minierave, të metalurgjisë, çimentos, ndërtimit etj. Aktualisht mjaft të interesuar për të aderuar në një fond privat pensionesh janë edhe profesionet e lira, si avokat, noter, të vetëpunësuarit, individë etj, të cilët sistemi bazë shtetëror i siguron në nivel minimal.
Kush është mënyra e duhur që duhet të ndiqet për zhvillimin e sistemit të pensioneve në Shqipëri?
Është fakt i pranuar tashmë që pensionet janë një element i rëndësishëm e i pazëvendësueshëm i mbrojtjes sociale. Prej tyre përfitojnë aktualisht rreth 17. 2 % e popullsisë, ose 550 mijë pensionistë, tregues ky, me prirje të qarta drejt rritjes. Vetëm për pensione sot shpenzohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore mbi 60 miliardë lekë, e barabartë me 86% të gjithë buxhetit të sigurimeve shoqërore. Sistemi i pensioneve në përgjithësi dhe problematika e madhe që paraqet financimi në zhvillim i këtij sistemi në veçanti, kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e institucioneve të interesuara për të gjetur forma e metoda më efikase në administrimin e kësaj skeme. Strategjia e reformimit të sistemit të pensioneve dhe e rritjes së qëndrueshmërisë financiare të saj mendoj se është e lidhur me pesë çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje. Së pari - Deficiti aktual i sistemit të pensioneve është i lartë, ai arrin në mbi 1.5% të PPB dhe parashikimet aktuale përllogarisin përkeqësim të kësaj gjendje. Së dyti. Pensionet rurale përfaqësojnë një pjesë të madhe të deficitit megjithëse nga ana tjetër ato luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e varfërisë në fshat dhe shërbejnë si një rrjet sigurimesh shoqërore për të moshuarit me prejardhje nga fshati. Së treti. Mosfunksionimi i skemave private të pensioneve ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit të pensionit, nga 70% që duhet të jetë ligjërisht në 35%. Së katërti. Demotivimi i brezit të ri për të marrë pjesë në skemat e pensioneve shtetërore është shumë i madh. Së pesti. Problemet e papunësisë, informalitetit dhe emigracionit kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë së siguruar në këto 15 vitet e fundit, vetëm 30-32 % e saj është inkluduar në sistem, gjë që krijon një shqetësim të madh social për të ardhmen në mbrojtjen e të moshuarve. Si rrjedhojë e këtyre dukurive negative, duhet pranuar se zhvillimi i sistemit të pensioneve është i lidhur ngushtë me zhvillimin e fondeve private të pensioneve. Tashmë një gjë është e qartë, si rrjedhojë e prishjes se ekuilibrave demografik, sistemi i sigurimeve shoqërore në të gjithë vendet e botës madje edhe në Kosovë e Maqedoni është një sistem i përbërë nga më shumë se një skemë pensioni. Duke ju referuar ekperiencës së zhvillimit të këtij sistemi, veçanërisht në Evropën Lindore, pas viteve 95, dalin në pah dy tendenca ose dy modele, të ndërtuara në mbështetje të kushteve konkrete të çdo vendi. Modeli i parë dhe më i përgjithshmi, sistemi të jetë (sipas përkufizimit të Bankës Botërore) me tre skema (kolona). Skema e parë një sistem bazë shtetëror të detyrueshëm PAYG i cili të mbulojë deri në 35-40% të shkallës së zëvendësimit (raporti mesatare pagë-pension), Skema e dytë, sistem privat i detyruar, ku një pjesë e kontributit të përgjithshëm i kalon kësaj skeme nëpërmjet llogarive individuale të çdo të siguruari, i cili të mbulojë 20-25% të pensionit dhe skema e tretë, sistemi vullnetar privat, i cili të mbulojë 10-15% të pensionit. Këtë model e gjejmë në Poloni, Bullgari, Hungari, Kroaci, Estoni, Rumani, Sllovaki, Maqedoni, Kosove, etj. Siç shihet nga skema Shqipëria e ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontributin për pension në këto vitet e fundit, çka bën të domosdoshme hapjen e skemave private. Modeli i dytë është që sistemi i përgjithshëm të përbëhet nga dy skema (kolona) pensioni, nga një skemë bazë shtetërore e konsoliduar mirë, e cila të përballojë 50-55% të pensionit dhe një skemë e sigurimit privat vullnetare të zhvilluar ku ti krijohet mundësia nëpërmjet lehtësirave fiskale të gjithë popullsisë aktive të përfshihet në këtë skemë dhe të mbulojë 15-20% të pensionit. Këtë sistem të mirëadministruar e gjejmë në Ceki, Slloveni etj. Konkretisht, rep.Ceke ka një popullsi rreth 10 milionë banorë, një popullsi aktive 5 milionë, nga të cilët të inkluduar në skemat vullnetare që paguajnë kontribut sipas dëshirës, por jo më të vogël se 10% e pagës 4.2 milionë persona e barabartë me 85 % të forcave aktive. Mendojmë që për drejtimin që ekonomia Shqiptare ka marrë, futja graduale e sistemit tre kolonësh do jetë më efikase. Kjo do të kërkonte; Së pari, të inkurajohet skema vullnetare e sapo krijuar, duke i bërë më të interesuar palët pjesëmarrëse në një plan pensioni vullnetar, si aderuesit ashtu dhe përfituesit, nëpërmjet një sistemi fiskal favorizues, iniciativë që është ndërmarrë nga Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare. Së dyti. Të studiohet dhe brenda një periudhe një-dy vjeçare të futet sistemi privat i detyruar. Sigurisht, futja e sistemit të detyruar privat ka një kosto fillestare për buxhetin e shtetit, por mendoj se është momenti më i përshtatshëm për të zhvilluar këtë sistem pa kosto, në kushtet e një vendimi që është marrë për uljen 5 % të kontributit të sigurimeve shoqërore.
Shpërndarja e kontributit sipas skemave
Shtetet Kontributi Skema Skema
Gjithsej Shtetërore Private
Polonia 26.8 19.5 7.3
Bullgaria 28 23 5
Hungaria 34.5 16 8
Kroacia 25 20 5
Estonia 28 22 6
Rumania 32 30 2
Sllovakia 27 18 9
Maqedonia 21 14 7
Rep.Ceke 28 28 -
Slloovenia 27 27 -
Shqipëria 21 21 -