E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur 32-vjeçari Përgjini, dyshohet për vrasje



I riu u gjet në fshatin Mnelë, identifikimi, nga dokumentet që kishte në xhep Policia, dyshime edhe për një akt vetëvrasës

Një 32-vjeçar është gjendur i vrarë në rrethinat e Shkodrës, policia nis hetimet për zbardhjen e kësaj vrasjeje. Dyshimet e para pas gjetjes së trupit nga policia flasin për një vrasje të mundshme, por pa përjashtuar edhe pistën e një akti vetëvrasës. Vrasja është kryer me armë zjarri, tip pistoletë. Mësohet se edhe viktima 32-vjeçar është nga fshati Mnelë, i cili gjendet 40 km larg qytetit të Shkodrës. Trupi i pajetë është gjetur rreth orës 16:45 nga banorë të fshatit në anë të rrugës në Mnelë. Sinjalizimi për trupin e pajetë të të riut është dhënë pasditen e djeshme, kur banorë të zonës kanë konstatuar viktimën dhe kanë lajmëruar policinë e Shkodrës. Menjëherë, uniformat blu kanë shkuar në fshatin Mnelë, ku kanë transportuar trupin e pajetë për në morgun e spitalit të Shkodrës për t’iu nënshtruar autopsisë, ndërkohë që ekspertët kriminalistë nisën veprimet për kryerjen e vendit të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do çonin në gjurmët e autorit apo autorëve të ngjarjes. Para se kufoma të dërgohej në morg, ekspertët gjetën në rrobat e viktimës dokumentet me të cilat u bë i mundur identifikimi. Shtetasi i vrarë quhet Paulin Përgjini dhe është i moshës 32 vjeç. Në trup kishte plagë plumbash nga të cilat dyshohet se i është shkaktuar edhe vdekja. Policia ka përcaktuar edhe dy pistat e mundshme të vdekjes së Përgjinit. E para është pista që 32-vjeçari të jetë vrarë për hasmëri nga persona ende të panjohur, kurse pista e dytë, që Përgjini të jetë vetëvrarë në kushte të thella psikologjike. Policia e Shkodrës është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për këtë policia e Shkodrës po merr në pyetje banorë të zonës për të mësuar më shumë rreth Përgjinit, si dhe të afërm të tij për të mësuar më tepër rreth tij apo ndonjë konflikti të mundshëm të viktimës apo dhe familjes së tij. Gjatë pasdites së djeshme dhe deri në orët e vona të mbrëmjes janë marrë në pyetje një numër i madh personash, ndërkohë që 10 kanë qenë të shoqëruar deri në orët e vona. Të dhënat e para tregojnë për një vrasje të kryer me pistoletë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›