E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca; Trafiku i klandestinëve, kërkohen 82.5 vjet burg



Trafiku klandestin në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e dy efektivave të Policisë Kufitare, rrezikon t’u kushtojë plot 82.5 vjet heqje lirie dhe 399 milionë lekë (të vjetra) 10 të pandehurve. Kjo ka qenë masa e kërkuar gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare nga prokuroi i çështjes, Ardian Nezha, i cili i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me 12 vjet heqje lirie dhe 7.5 milionë lekë për secilin nga katër të pandehurit, Hodo Corra, Ergerst Rabaj, Krenar Boçin dhe Leonidha Cara, të akuzuar për dy vepra penale, “trafik klandestin në bashkëpunim” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Ndërsa, për katër të pandehurit Ermal Kaçi, Arben Sulaj, Eugen Garcenaj dhe Kreshnik Gërbi akuza kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e tyre me nga 5 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë, duke u lehtësuar nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal” dhe duke dënuar vetëm për akuzën e “trafikut klandestin”. Për Ermal Fidhin, prokurori kërkoi vetëm 2.5 vjet heqje lirie, për akuzën e “korrupsionit pasiv”, duke e lehtësuar atë nga akuza e “trafikut klandestin”, me arsyetimin se është dënuar njëherë për këtë vepër penale në Greqi. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, prokuroria i bëri të ditur gjykatës se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në këmbim të shumave prej 1000-1300 eurosh, kanë bërë të mundur kalimin e shtetasve shqiptarë drejt Greqisë. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, prokurori bëri me dije se ish-inspektori i Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, Ergest Rabaj, njihej si ndërmjetësi mes trafikantëve dhe efektivëve të tjerë të policisë. Sipas akuzës, Rabaj ishte personi që mbante lidhje me kreun e grupit kriminal, Arben Sulën, i njohur edhe me pseudonimi “Maloku”. Ky i fundit mësohet se i jepte Rabajt 200 deri në 300 euro për çdo klandestin, që kishte paguar për të kaluar kufirin pa probleme. Më pas, Rabaj ua shpërndante lekët kolegëve të tij, të cilët duhej të “mbyllnin njërin sy”, por dhe duhej të garantonin kalimin pa probleme të grupeve me klandestinë. Zakonisht, kalimi i kufirit bëhej kur krerët e grupit të trafikantëve merrnin garanci nga bashkëpunëtorët e tyre në polici që rruga ishte e lirë. Prokurori theksoi se nga marrja në pyetje e klandestinëve u evidentua se zonat e Ginës dhe Dritat, ishin vendet ku grupi në fjalë ka realizuar kalimet në drejtim të territorit grek.

Hetimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi shtatë raste të trafikut të klandestinëve në drejtim të Greqisë. Aktiviteti i trafikut ka qenë konstant, fakt të cilin e vërtetojnë edhe rastet e zbuluara në datat 3, 6, 14, 27 mars, 14 prill, 5 dhe 11 maj të këtij viti. Vetëm në datën 27 mars, organizata realizoi kalimin e paligjshëm të kufirit për 18 klandestinë, të cilët në sajë të bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato greke, këta klandestinë së bashku me korrierët e tyre, u kapën dhe u riatdhesuan. Gjatë hetimit gjashtëmujor të kësaj organizate, është zbuluar se kapoja i kësaj organizate është Arben Sula, i njohur edhe me pseudonimin “Maloku”. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se klandestinët u paguanin organizatorëve të trafikut shuma që varionin nga 1.000 deri në 1.300 euro, për person të rritur dhe 900 deri në 1.000 euro, për fëmijët dhe minorenët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›