E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur, ishte goditur nga rrufeja

21/04/2009  Në breg të lumit Kir

SHKODER- Gjendet një shtetas i vdekur në fshatin Bardhaj që i përket komunës Rrethina. Dje pasdite në zyrën operative të policisë së Shkodrës ka mbërritur një njoftim se tek bregu i lumit Kir, ndodhet një njeri i shtrirë pa ndjenja. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka konstatuar se shtetasi i gjetur në breg të lumit ishte i vdekur. Nga ana e policisë është bërë i mundur identifikimi i të ndjerit, i cili rezulton të jetë Loro Ndrec Ndoci, vjeç 45, lindur ne Mazrrek të komunës Guri i Zi dhe banues në fshatin Bardhaj. Grupi hetimor nga veprimet hetimore të kryera dhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, konstatoi se shkaku i vdekjes së shtetasit në fjalë mendohet të ketë qenë në mënyrë aksidentale, si pasojë e shkarkimit të një rrufeje të rënë rreth orës 14.30, të ditës se djeshme. Ky konkluzion ka ardhur menjëherë pas kryerje së autopsisë dhe këqyrjes së trupit të pajetë nga mjekët ligjorë, të cilët kanë konstatuar se mbi shtetasin ka pasur shkarkesë elektrike nga rrufeja. Fillimisht blutë kanë menduar për një vrasje të mundshme të shtetasit, dhe sapo kanë mbërritur në vendngjarje kanë marrë në pyetje banorët e zonës, por më pas gjithçka i ka drejtuar tek vdekja për shkak të goditjes nga rrufeja. Policia ka kryer veprimet e duhura hetimore e procedurale në lidhje me rastin në fjalë dhe materialet do i kalojnë Prokurorisë së rrethit Shkodër për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›