E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë e Shqipërisë!



I mallkuar mund të jetë përherë ai që do të kursente edhe lekun e fundit për të hapur tunelin e Kalimashit, tanimë simbol i bashkimit edhe fizik të shqiptarëve. Popuj të tjerë të botës do të linin gjithë pasurinë e tyre aty në kufi pa bërë edhe një ditë pushim vetëm e vetëm që një vepër e tillë të përfundojë sa më parë.

Pa asnjë përgatitje, pa asnjë plan, papritmas një ofertë për të shkuar në Shqipëri. Ora 19 e mbrëmjes, një autobus i një agjencie turistike nga Kosova po nisej nga qendra e Prishtinës në drejtim të Prizrenit. Tubimi i udhëtarëve nga treva të ndryshme të Kosovës vonon paksa këtë autobus për të arritur në hyrje të kufirit midis shqiptarëve. Nga Kosova Vërmica është emërtimi i fundit këndej kufirit, në anën tjetër të pret laura dhe emërtimi krejt tjetër në territorin e Shqipërisë – Morina. Kërshëria nuk do të plotësohet. Errësira ka pllakosur gjithçka. Dielli moti ka perënduar, ndërsa hëna ka ditët e numëruara dhe do të dalë më vonë. Rruga nga kufiri deri në Kukës nuk paraqet më asnjë problem përveçse është ende e papërfunduar. Gjerësia e rrugës së përgatitur të largon çdo frikë. “Do ta shohim apo jo liqenin e Fierzës, në këtë errësirë”, - pyesin ata, të cilët sot vizitojnë vendin e shqiponjave. Si për çudi, pikërisht mbi liqen, nis të dal hëna dhe nën rrezet e saj, shkëlqen një vepër e madhe e cila moti i jep dritë dhe ujë pjesës më të madhe të Shqipërisë. Fierza ndriçon edhe nëpër dritë të hënës. Fierza ujit tokat e etura të atyre fushave të djegura nga dielli mesdhetar të cilat me frytet e tyre ushqejnë, ushqejnë. Sa ura kaluam nuk kishim vënë re dhe autobusi tashmë filloi ngjitjet që të shtijnë frikë. Alpet shqiptare kalohen ngadalë e me kujdes të vozitësit tonë, të cilin e ndjekin edhe shtatë autobusë të tjerë aq sa shihen nëpër kthesat e Kalimashit. Nën dritën e hënës shihen si statuja gjigande këmbët e urave të reja që tashmë do të lidhin një tokë ëndrrash. Kalimashi i përrallave tani është dorëzuar dhe së shpejti ai do të bëhet si dy sy të Shqipërisë drejt Kosovës dhe anasjelltas. Zbritja në Fushë-Arrëz sjell qetësi dhe lehtësim të madh për të gjithë ata udhëtarë që kishin kaluar Kalimashin. Nata ende nuk ia ka liruar vendin ditës. Agimi që tashmë kishte zbardhur, na bën të shohim ku jemi. Si nëpër shkallë spirale zbresim gati deri në Shkodër. Popull i njëjtë, dukuri të njëjta. Vërehen emërtime lokalesh a firmash të reja e shumë pak emërtime vendesh se ku gjendesh. Si në Kosovë. Të pakta janë ato mbishkrime që në fund kanë edhe emrin e vendbanimit apo të qytetit se ku gjenden. Dita tashmë ka zbardhur. Rruga nëpër Milot drejt Tiranës dhe Durrësit ka larguar të gjitha ngarkesat. Dikush pret të shoh detin. Pak para hyrjes autobusi shmang Tiranën për t’u drejtuar nga Durrësi. Rruga magjistrale në këtë drejtim ka ndërruar edhe imagjinatën e njerëzve më skeptikë. Ndërtimet e reja në të dyja anët ia shtojnë bindjen secilit se Shqipëria tashmë ka ikur nga ambisi. Pak gjurmë nga ndërtimet e dikurshme, por ullishtat e prera nuk kanë pasur faj. Mëkat! Gjurmët e dëmeve të panevojshme shihen ende. Një telefonatë nga Prishtina dhe ne kemi të siguruar një dhomë modeste për fjetje. Fatmiri e Fatmira na presin në shtëpinë e tyre shumë afër Plazhit. Bija e tyre, Alma, megjithëse ka dalë e para në pritje, shihej se nuk ishte mirë me shëndet.

Në plazhin e Durrësit

Të informuarit mirë do të kenë dëgjuar e lexuar shumë herë nëpër gazeta krahasime mes Durrësit dhe Ulqinit! Krahasim pa vend a? Durrësi plak është shtëpi e madhe, e paeksploruar. Ai, shpejt, siç shihej, do të rrezatojë si edhe në kohët e tij më të lavdishme mbi tremijëvjeçare. Ulqini ka tipare dhe veçori të tjera. Shumë herë kemi pushuar atje. Detin për herë të parë e kemi parë në Ulqin. Ama, Durrësi ishte dikur dhe shumë shpejt do të jetë porti kryesor i Ballkanit. Kjo shihej. Durrësi kishte mundur shumëçka nga veset e së kaluarës, por jo të gjitha. Reklama ende bëhej me ndrojtje. Këtë nuk e kishte vetëm Rrapi i Golemit. Atij njeriu dukej se natyra ia kishte dhuruar të gjitha të mirat.

“O vjen Çerçiz Topulli, o po vjen Adem Jashari”, - niste vargjet e një kënge therëse me të zbritur në plazh, në orët e mëngjesit. Me fjalorin dhe dijen, shumë aktorë të famshëm do t’i bënte të skuqeshin para tij. Atij, bostani nuk i mbetej pa shitur asnjëherë. Shumë tregtarë të vegjël mbushnin rrugët, veçanërisht në orët e mbrëmjes. Vërehej qartë papunësia jo e vogël, por edhe vendosmëria për punë, kudo që ka mundësi. Ditët për vizitorin e interesuar kalojnë shpejt. S’ka shumë kohë. Gjendja ekonomike e njeriut të vockël dikton shumëçka, edhe qëndrimin tonë më të gjatë në Shqipëri. Tirana duhet vizituar patjetër. Momenti i duhur kishte ardhur. Moti paksa i freskët dhe një djalosh nga Mitrovica, në bisedë rasti ofron një vizitë të shkurtër në kryeqytetin shqiptar. Vetura drejtohet andej nga Tirana. Tashmë në kushte evropiane të udhëtimit, për pak minuta, dhe sheshi “Skënderbej” është para nesh. Çka të vizitohet më parë? Për ato pak orë dhe mjete materiale që kemi, mund vetëm të ulemi e të pimë kafe në një lokal afër qendrës dhe hiç më shumë. Një djalë i ri, si në Prishtinë, na dëshiron mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm. Tirana tanimë duket qartë se nuk do mund të vizitohej nga ne edhe për disa ditë e lë më për pak orë. Heqim dorë nga të gjitha. Kënaqësinë nuk do ta përjetojmë. Dashuria për atdheun, për ta parë atë nga brenda, kësaj radhe nuk do të plotësohet. Mbishkrime autobusësh urbanë dëshmojnë se Tirana tashmë është metropol me shumë tipare, por edhe me sfida të mëdha në të gjitha fushat. Mbi të gjitha bie në sy prania e shtetit kudo. Krahasimet mes Tiranës dhe Prishtinës janë të hershme. Kjo duket nga të gjitha anët. Shteti shqiptar me të gjitha tiparet që dallojnë një vend sovran me përvojë gati 100-vjeçare, dëshmon ekzistencën dhe funksionimin normal, por jo e dhe pa dobësi, ende të dukshme për vrojtuesit e vëmendshëm.

Shqipëria është ashtu si e sheh njeriu ynë apo ashtu si do ta shohë dikush. Ajo mbi të gjitha, del e dashur dhe mikpritëse. E njohim e nuk e njohim Shqipërinë tonë! Shumë më shumë duhet udhëtuar e shpenzuar për të parë gjithë atë që vlen për ta parë. Ndoshta një herë tjetër. Të vdesësh pa e parë Shqipërinë është mëkat. Shumë njerëz tanë, shumë brezni kanë kaluar pa e parë atdheun e tyre. Sa djem e vasha janë rritur e plakur vetëm me një dëshirë që një ditë të kalërojnë trup e tërthor atdheut. Ia ka dalë Shqipëria ta marrë vetën. Hapat gjigantë shihen kudo. Arritjet nuk i sheh vetëm i verbëri, megjithëse edhe ai i heton ndryshimet. Po, ama ka edhe shumë për të bërë Shqipëria jonë, pa dyshim. Dashuria ndaj punës, secilës punë që sjell të mira dhe përparim për njeriun. Vetëm një vetëdije e lartë, kombin tonë do ta radhisë në mesin e kombeve evropiane, aty ku edhe e ka vendin. Kosova e re ka pse të mburret, por edhe pse e ka dashur aq shumë Shqipërinë. Dhe prapë kënga e Parashqevi Simakut; sikur e dëgjon për herë të parë, të djeg shpirtin, të hap dyert e atdheut me vetëm një fjali: “Mos ua prekni dashurinë, mos ua prishni lumturinë”...! Dhe ashtu duhet të mbesë. Shqipëria vazhdon të jetë ashtu si e përfytyron, si e ndien, si e heton. Njeriu të cilin e sheh për të parën herë, nuk do të ndryshojë përshtypjet çfarë i ka pasur. Shqipëria ta plotëson vakuumin shpirtëror, nëse e ke pasur. Gjithçka varët se si dhe kush e sheh. Evropa, por edhe shumë vende e njerëz, kanë edhe çka të shohin. Ka pse të mburret Shqipëria. Pak shkruhet për Shqipërinë. Atë, jo vetëm të huajt, por edhe vetë shqiptarët edhe sot e kësaj dite e njohin pak. Për ta dashur atë duhet ta vizitojmë më shumë e ta njohim për së afërmi. Ka çka të shkruhet gjithmonë, për nusen gjithnjë të re, me emrin Shqipëri.

*Ish-gazetar i RTP-së, Prishtinë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›