E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmerret për dajën, plagos kirurgun

Dhimbja për vdekjen e dajës nuk e ka lënë të qetë 35-vjeçarin Arben Strazimiri, i cili sapo ishte liruar nga burgu, ka akuzuar mjekët se ata e kishin fajin për këtë tragjedi. Ai nuk ka gjetur qetësi deri ditën e djeshme, kur me një thikë në dorë ka akuzuar doktorin Ali Refatllari se ai ishte fajtor i vdekjes së 70-vjeçarit, i cili ishte operuar në zemër, por nga komplikacionet kishte gjetur vdekjen në sallën e operacionit. E kështu, në shenjë hakmarrjeje, e ka goditur me thikë doktorin 47-vjeçar, për t‘i shkaktuar vdekjen, por fatmirësisht, pas ndërhyrjes së kolegëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", por zanafilla është dhjetë ditë më parë. Një 70-vjeçar ishte shtruar në spital për operim në zemër, ndërsa familjarët qëndronin me shpresë se ai mund të bëhej më mirë. Dhjetë ditë më parë, radha për operacion ka qenë e tij, kështu që një grup mjekësh, të kryesuar nga Ali Refatllari, i cili është edhe shefi i sektorit të Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", kanë hyrë për të realizuar operacionin ndaj pacientit. Operacioni ka qenë tejet i vështirë dhe i komplikuar, kështu që ka zgjatur për rreth 12 orë. Por, edhe pas 12 orësh, mjekët nuk kanë pasur se çfarë të bëjnë për të mbajtur në jetë 70-vjeçarin, i cili ka gjetur vdekjen. Pikërisht 47-vjeçari Refatllari ka takuar familjarët për t‘u dhënë lajmin e hidhur se i afërmi i tyre ishte ndarë nga jeta, por në këtë kohë, është përplasur me një lum akuzash për korrupsion. "Ti e ke fajin për vdekjen e tij, pasi mund ta kishe shpëtuar, por doje para", mësohet që të kenë deklaruar familjarët e viktimës nga mjekët e tjerë. Këto fjalë i ka thënë edhe Arben Strazimiri, i cili nuk është mjaftuar me kaq. Pavarësisht se pjesa e tjetër e familjes, ka filluar të harrojë këtë histori të dhimbshme, ai ka menduar të bëjë një veprim tjetër. Mëngjesin e djeshëm, ai ka marrë një thikë dhe është paraqitur në spitalin "Nënë Tereza". Për pak minuta ka kërkuar shefin e kardiologjisë dhe kur e ka gjetur, e ka goditur dy herë me thikë pas kurrizit. Menjëherë, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por jo shumë larg nga spitali ka rënë në prangat e policisë. Mjekët dhe të pranishmit, teksa i kanë dhënë ndihmën e parë doktorit të plagosur, kanë njoftuar edhe policinë për ngjarjen që kishte ndodhur. Me t‘u njoftuar, forcat policore të Komisariatit nr. 1 kanë mbërritur në spital, duke rrethuar zonën dhe duke bërë të mundur arrestimin e agresorit. Policia tha zyrtarisht se Arben Uran Strazimiri, 35 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për "vrasje e mbetur në tentativë", u arrestua nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, në rrethana të tjera cilësuese. Ndërkohë, pas punës hetimore të kryer nga Seksioni i Luftës Kundër Jetës dhe Shëndetit, u konkludua se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje rezulton i sëmurë mendor. Sipas dosjes penale të tij, ai ka qenë i dënuar më parë për vrasje. Por, në shkurt të këtij viti, është ngritur pretendimi se ai është i sëmurë mendor. Kështu, gjykata ka thirrur dy mjeko-ligjorë, të cilët janë betuar se do të vlerësonin gjendjen e tij shëndetësore dhe mendore. Në këto kushte, vetëm rreth një muaj më parë, rezultati ka dalë se ai është i sëmurë mendor. Në këto kushte, gjykata ka vendosur dërgimin e tij në spitalin nr. 5. Por, kjo ka sjellë pasoja, ku i sëmuri ka plagosur mjekun. Për këtë arsye, ai nuk është marrë në pyetje nga oficeri i policisë kriminale, duke e kaluar këtë dosje në dorë të prokurorisë.

Policia

Shtohen masat e sigurisë në spitale

Ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm mjekët e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", por edhe mjekët e të gjitha spitaleve të tjera, që janë solidarizuar për këtë akt të rëndë ndaj një kolegu të tyre. Gjithashtu, kjo ngjarje ka vënë në lëvizje edhe policinë, që ka vënë në diskutim sigurinë në spitale. Në këto kushte, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka urdhëruar shërbimet e saj që të vendosë uniforma blu për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Nga të dhënat e policisë mësohet se në të shumtën e rasteve, siguria e këtyre spitaleve është përgjegjësi edhe e policive private të kontraktuara për këtë shërbim. Megjithatë, në shumë raste, punonjësit e Policisë së Shtetit janë të pranishëm në ambientet spitalore. Por, ngjarja e djeshme ka detyruar eprorët e policisë që t‘i shtojnë këto shërbime policore edhe më tej, duke përforcuar masat e sigurisë në spitale, gjendje e cila do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Tiranë

Rrihet infermierja e maternitetit

Plagosja e kardiologut të njohur nuk është e vetmja ngjarje që ka ndodhur në spitalet shqiptare. Më pak se 24 orë më parë, një tjetër incident është shënuar mes stafit të spitaleve dhe pacientëve. Por ky rast nuk është shënuar në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", por në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", që ndodhet në bulevardin "Zogu I" në Tiranë. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 19:00, një paciente ka goditur me grushte një infermiere. Sipas informacioneve nga grupi i hetimit, me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 3, të cilat kanë bërë shoqërimin e agresores 27-vjeçare, Aurora M. Burimet shpjeguan ajo ka goditur për shkak të detyrës infermieren 52-vjeçare, Resmie M. Në këto kushte, vajza 27-vjeçare është marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që grupi hetimor ka vendosur ndjekjen penale të saj në gjendje të lirë.

Dhuna në QSUT, mjekët: Protestë njëorëshe të hënën

Drejtori Pepa: Krim i shëmtuar kundër misionit human të bluzave të bardha

Bluzat e bardha të QSUT-së do të protestojnë ditën e hënë kundër dhunës së ushtruar ndaj kolegut të tyre. Ky është vendimi që ka marrë Urdhri i Mjekut, menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në Tiranë. Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në këtë spital, prof. dr. Ali Refatllari, mbeti i plagosur, me dy goditje thike në shpinë. Pasojë kjo e hakmarrjes së një të riu, për humbjen e jetës së dajës së tij, gjatë operacionit që drejtohej nga mjeku Refatllari.

"Ditën e hënë do të organizojmë një protestë njëorëshe, në ambientet e spitalit", u shprehën dje përfaqësuesit kryesorë të Urdhrit të Mjekëve. Sipas tyre, kjo protestë është në shenjë reagimi ndaj këtij akti dhune, që ka tronditur jo vetëm Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, por të gjithë sistemin shëndetësor dhe bluzat e bardha, të cilat punojnë çdo ditë për të shpëtuar jetë njerëzish. Ata kanë kërkuar nga organet e drejtësisë, që të merren menjëherë me zbardhjen e kësaj çështjeje, si dhe të dënojnë fajtorin, tashmë të prangosur nga uniformat blu.

Drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, në një qëndrim të menjëhershëm publik, e ka cilësuar këtë ngjarje si një krim të shëmtuar ndaj misionit human të mjekut për të shpëtuar jetë njerëzish. "Në jo pak raste individë të papërgjegjshëm kanë sulmuar personelin mjekësor, i cili punon me përkushtim e profesionalizëm të lartë", u shpreh me indinjatë drejtori i QSUT-së, Pepa. Ai theksoi se është e pafalshme që mjekëve t‘u rrezikohet jeta në një mënyrë të tillë makabre dhe antinjerëzore. Ndërkohë që drejtuesit e spitalit më të madh në vend, që përballon edhe fluksin më të dendur të pacientëve nga e gjithë Shqipëria, kanë përmendur edhe precedentë të mëparshëm agresivë, që kanë pasur si objektiv sulmin ndaj mjekëve. Duke sendërtuar detajet që çuan drejt kësaj ngjarjeje dhune në korridoret e repartit të kardiologjisë, drejtori Pepa tregoi se "nga informacionet paraprake prof. dr. Refatllari, ka operuar dajën e agresorit, duke zbatuar të gjitha procedurat ligjore paraprake siç veprohet për çdo qytetar, duke marrë miratimin e personit dhe familjarëve të tij për ndërhyrjen kirurgjikale. Por mesa duket agresori e ka kërkuar pasojën te mjeku dhe kjo është e pafalshme". "Ne jemi këtu për të zgjidhur hallet e njerëzve", vijoi më tej drejtori Pepa, duke shtuar se "të gjithë duhet ta kenë të qartë se mjekët zgjidhin hallet dhe nuk janë ata që i krijojnë hallet e njerëzve". Ai nuk pranoi as tendencën që vihet shpesh re në korridoret e spitaleve të ndryshëm, të QSUT-së, ku "mjekët tërhiqen nga xhaketa nën pretendimin se janë aty si shërbëtorë". Drejtori i këtij spitali i bëri thirrje të gjithë opinionit publik, shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, që të dënojnë këtë akt, duke kërkuar njëkohësisht që "organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre, sipas ligjeve në fuqi". Nga ana tjetër, drejtuesit e QSUT-së garantuan se jeta e kolegut të tyre Refatllari gjendet jashtë rrezikut. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje mjekësore të menjëhershme, në sallën e operacionit të kardiologjisë, nga kolegët e tij. Ky akt është dënuar nga i gjithë personeli mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", që pas akuzave të shpeshta për korrupsion dje u shndërrua në arenë gjakderdhjeje dhe shfrimi instinktesh të dhunshme ndaj një mjeku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›