Gjendet i vetëvarur 13-vjeçari
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Një ngjarje e rëndë tronditi dje banorët e Fushë-Krujës, pasi një fëmijë 13 vjeç u vetëvar vetëm pak kohë nga përfundimi i mësimit. E. Selimi, nxënës i klasës së shtatë u gjet i vetëvarur nga familjarët e tij në një shtyllë elektrike, pas banesës njëkatëshe që ndodhet në hyrje të këtij qyteti.
Sipas policisë, i mituri ka përdorur në vend të litarit, një rrip sigurimi të makinës së familjes së tij. Familjarët e viktimës deponuan pas ngjarjes se 13-vjeçari sapo kishte ardhur dje nga shkolla, kishte lënë çantën e librave dhe më pas ishte larguar pa u treguar prindërve se ku po shkonte. Pas disa orësh mungese në shtëpi, prindërit e tij janë merakosur dhe kanë nisur ta kërkojnë. Por ata kanë mbetur të tmerruar me pamjen kur kanë hyrë në bahçen pas shtëpisë së tyre. I mituri tundej i varur në shtyllën e dritave. Ata vunë menjëherë kujën, gjë që më pas mblodhi dhjetëra banorë të tjerë. Në vend mbërriti edhe policia, e cila u sinjalizua për ngjarjen. Sipas burimeve, për ngjitjen në shtyllë, i mituri kishte përdorur shkallët. Pasi ishte ngjitur në lartësi, ai e ka lidhur rripin e një makine me shtyllën dhe më pas është vetëvarur. Policia e Fushë-Krujës, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas sinjalizimit, nisi hetimet. Të parët që u morën në pyetje ishin familjarët e viktimës. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ende nuk kanë mundur të dalin në një konkluzion përfundimtar për shkakun e kësaj ngjarjeje që tronditi gjithë qytetin. Policia mësoi pas dëshmive të të afërmve të 13-vjeçarit, se ai ishte qortuar një natë para aktit të vetëflijimit nga babai i tij. Ky i fundit, i kishte kërkuar të birit të vinte më herët në shtëpi, pasi të mbaronte shkollën dhe të mësonte më shumë. Policia mori në pyetje po dje, edhe bashkëmoshatarët e viktimës si dhe mësuesit e tij, për të mësuar më shumë në lidhje me gjendjen psikologjike të fëmijës ditën e ngjarjes, por edhe më parë. Burimet nuk bënë të ditur nëse i mituri mund të ishte vlerësuar pikërisht ditën e djeshme me ndonjë notë të ulët apo jo kaluese. Nxënësit e klasës së tij mbërritën menjëherë sapo mësuan ngjarjen në banesën e 13 -vjeçarit. Ata deponuan se ditën e djeshme, Selimi kishte qenë i mërzitur në shkollë, por pa u treguar atyre arsyet. Nxënës të tjerë kanë treguar se moshatari i tyre kishte qenë gjithnjë një fëmijë i mbyllur dhe nuk hapej shumë me shokët e klasës së tij.