“Ma vranë djalin ditën e fejesës”
Etleva Delia
“Ma vranë djalin një ditë para se t’i pinim kafen e fejesës”. Këto fjalë i përkasin Qazim Bardhoshit, babait të Ahmet Bardhoshit, të akuzuarit për grabitje i cili mbeti i vdekur javën e kaluar, pas një shkëmbimi zjarri mes shokut të tij dhe policisë. Babai i 32-vjeçarit të vrarë në rrethana ende të pa sqaruara mirë, thotë se nëse shteti nuk i provon pafajësinë e policisë në vrasjen e djalit, ai do të hakmerret, e nëse nuk gjen vrasësin, do të hakmerret ndaj “uniformës së policisë”. “Do e pësojë dikush nga ata, edhe pse mbase jo ai që shkrepi armën”, thotë Qazim Bardhoshi, ndërsa pret miq për ngushëllime në shtëpinë e tij në Valias, për vdekjen e djalit. Ai i rikthehet fejesës së djalit, e cila nuk u bë realitet edhe pse ishte shumë pranë. Babai i 32-vjeçarit, në një intervistë për gazetën “Panorama” shpreh dyshime rreth hetimit të ngjarjes, të paktën deri tani.
Ju keni akuzuar policinë menjëherë pas vrasjes së djalit tuaj në Kamëz, a keni përsëri të njëjtin qëndrim?
Deri në momentin kur provat të më bindin për të kundërtën, unë do vazhdoj të kem dyshimet e mia në lidhje me vrasjen e tim biri. Ai ishte i paarmatosur, u gjend përballë disa policëve që bëjnë sikur punojnë për të zbatuar ligjin, por në fakt i kanë hyrë asaj pune vetëm për të pasur një pistoletë në brez. Në këtë rast e përdorën për të vrarë një të pafajshëm. Të gjitha këto janë dyshimet e mia, sepse unë nuk mund të arrij në përfundime, sepse nuk jam ekspert, por unë do t’i qëndroj këtij mendimi derisa të më vërtetojnë të kundërtën. Edhe pse nuk e besoj se do dalë në dritë e vërteta e kësaj historie. Sepse janë prapë policët ata që po hetojnë këtë ngjarje. Por unë di të them vetëm diçka. Nëse ata arrijnë të arrestojnë personin tjetër që ishte me Ahmetin natën e ngjarjes dhe të më bindin përballë tij që është ai autor i vrasjes, atëherë unë do jem më i qetë. Por nëse kjo gjë nuk vërtetohet, atëherë edhe unë do veproj me mënyrat e mia. Nëse nuk arrij ta gjej policin që qëlloi mbi tim bir, do marr hak ndaj uniformës së policisë. Do e pësojë dikush nga ata, edhe pse mbase jo ai që shkrepi armën, sepse unë hetues nuk mund të bëhem.
çfarë iu thanë te Mjekësia Ligjore?
Pasi përfunduan autopsinë, një mjek më tregoi një raport, në të cilin ishin shënuar shkaqet e vdekjes. Nga ai raport fiksova fjalët, përleshje, zënie, dhunim, por në asnjë vend nuk pashë të ishte e shënuar se im bir kishte vdekur nga një plumb. Më pas, kur i thashë se Ahmeti është qëlluar me armë, më ktheu një përgjigje absurde duke më thënë që nuk i lejonte policia që ta shënonin këtë gjë. Disa minuta më pas më sollën një raport tjetër, që ishte i ndryshëm nga i pari. Një infermiere tha se dalja e plumbit, nga i cili vdiq im bir, ishte nga pas dhe jo nga para siç më kishin thënë deri atëherë. Kur pashë trupin e Ahmetit, nuk isha në gjendje të dalloja se ku ishte qëlluar saktësisht sepse kishte një të çarë të madhe në gjoks, siç duket nga autopsia. Por me aq sa pashë, ai ishte goditur në gjoks dhe s’kishte shenjë në qafë siç pretendohet.
A ka pasur ndonjëherë Ahmet Bardhoshi probleme me policinë?
Asnjëherë më parë. Ahmeti ishte shumë i rregullt, asnjëherë policia nuk ka qenë në shtëpinë tonë, apo djali im në polici për ndonjë problem. Përveç një rasti, kur ai u plagos 6 muaj më parë në kufi me Greqinë, nga persona të panjohur. Atëherë erdhi policia për ta pyetur dhe vetëm kaq. Në procesverbalin që kemi firmosur atë natë, ishin shënuar sendet e tij, një kostum sportiv, një telefon dhe karta e identitetit. Nuk kishte doreza siç pretendon policia.
Prokuroria merr dosjen, gjurmët fajësojnë grabitësin
TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka nisur dje zyrtarisht procedimin penal për vrasjen e Ahmet Bardhoshit në Kamëz javën që kaloi. Një prokuror i kryeqytetit ka ndjekur ngjarjen që prej mesnatës së premte, pasi ka këqyrur skenën e krimit. Më pas ai ka mbikëqyrur veprimet e policisë, derisa ditën e djeshme të gjitha materialet janë dorëzuar në Prokurori. Organi i akuzës është duke drejtuar hetimin e çështjes, i cili ende nuk është kompletuar me autopsinë si dhe raportet e ekspertimit mbi gjurmët në vendngjarje. Burime zyrtare të prokurorisë, thanë se efektivat e policisë që patrullonin në zonë, të cilët u përballën me armë me shokun e Ahmet Bardhoshit, janë të pafajshëm në vrasje. “Në makinë, në elektromotor dhe në gëzhojat e gjetura pak metra larg kufomës, janë gjetur gjurmë, ato nuk i përkasin policisë”, thanë burimet. Sipas tyre, grabitësi i dytë që ndodhej në makinë me 32-vjeçarin është identifikuar nga këto gjurmë. Ai është person me precedentë penalë në vjedhje ndërsa është shpallur në kërkim. tr.so