Vidhnin ilaçet e spitalit, “arrest me burg” për mjekët

Edhe pse nuk e kanë pranuar akuzën se shisnin ilaçet e spitalit, gjykata ka vendosur ti lërë me masë arresti. Organi gjykues i Tiranës ka rikthyer në qeli mjekun Nikoll Koleci dhe Antonaq Zilin me masë sigurie “arrest në burg”, ndërsa ka lënë me arrest shtëpie farmacisten Jetmira Koleci. Bashkëshortët Koleci si dhe 38 vjeçari Zili akuzohen për vjedhje të barnave të spitalit dhe i shisnin në farmacinë e tyre private.
Në seancën e masës së sigurisë të tre te akuzuarit nuk e kanë pranuar akuzën ashtu siç kanë pohuar edhe para oficerëve të policisë gjyqësore, por as mohimi nuk i ka ndihmuar pasi gjykata i ka lënë me masë sigurie arrest në burg mjekun dhe transportuesin e ilaçeve dhe arrest shtëpie farmacisten, bashkëshorten e mjekut.
Të tre janë arrestuar falë një operacioni të policisë së Tiranës së koduar "Clexane". Sipas policisë të arrestuarit realizonin vjedhjen e medikamenteve mjekësore të destinuara për përdorim Spitalor dhe konkretisht për pacientë të shtruar si dhe atyre që trajtoheshin me medikamente falas pranë Spitalit Onkologjik në Tiranë.
Të arrestuarit pasi vidhnin medikamentet të cilat ishin për përdorim të brendshme të spitalit dhe me vulën përkatëse ndalohet shitja e tyre, detyronin pacientët që ndodhen të shtruar në spital, që të blinin medikamente pranë farmacive në afërsi spitalit "Nënë Tereza".