Gjendet kasaforta e vdekjes

Grupi hetimor arriti që të gjente dje kasafortën e Albademil në kraterin e Gërdecit. Ne brendesi, dokumente me vlere qe do te hedhin drite mbi transaksionet e kompanise
TIRANË - Dita e djeshme mund të konsiderohet me fat për grupin e hetimit që po kryen veprime në vendin e shpërthimit të 15 marsit, nga i cili ende nuk ka një numër të saktë të personave që humbën jetën. Ndryshe nga kërkimet e ditëve të tjera, paraditja e djeshme ishte plot surpriza për grupin e prokurorëve, të cilët arritën të gjenin disa dokumente, që sipas tyre janë tepër të rëndësishme për vijimësinë e hetimeve. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan faktin, se “grupi i hetimit po punon intensivisht me këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe me sekuestrimin e provave materiale që gjenden në vendngjarje”. Ndërsa burime konfidenciale thanë se gjatë kërkimeve të djeshme, u bë e mundur gjetja e kasafortës së fabrikës së “Gërdecit”. Prokuroria tha se kasaforta është gjendur pranë vendit të shpërthimit, nën rrënojat e fabrikës. Për të orientuar kërkimet, grupi hetimor i është referuar hartës së fabrikës, së gjetur 4 ditë më parë, e cila po shërben si “udhërrëfyesi” i prokurorëve. Zyrtarisht, konfirmohet fakti se ditën e djeshme janë gjendur një sërë dokumentesh të rëndësishme. Gjithashtu, prokuroria gjeti dhe sekuestroi edhe një sërë dokumentesh të tjera, për të cilët tha se do të jenë pjesë e hetimit. Provat e gjetura ditën e djeshme, së bashku me ato të gjetura nën rrënoja pak ditë më parë, pritet t’i nënshtrohen një verifikimi të imtësishëm nga ana e grupit hetimor, në bazë të së cilave do të hartohet dhe informacioni i plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e fabrikës. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, burimet zyrtare nga grupi i hetimit u kthyen vetë në “kasafortë” në lidhje me gjithçka mund të kishin gjetur në kasafortën e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec. Që prej ditës së djeshme, grupit të prokurorëve iu shtuan dhe ekspertët hetimorë të FBI-së së mbërritur nga SHBA-të. Ndërkohë që dje, burime nga organi i akuzës bënë me dije, se ka vazhduar vlerësimi i informacioneve dhe provave të gjetura deri më tani dhe se aktualisht hetimi i kësaj dosjeje është në një stad interesant, që nga momenti në moment mund të sjellë “surpriza”.