E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të tjera në horizont

Ylli Pinari

Shtimi i një prokurori të Krimeve të Rënda që heton nga trafiku deri tek vrasjet dhe një prokurori antikorrupsion, shton pistat hetimore të dosjes Gërdeci

TIRANË - “Re të zeza” në hetimin e Gërdecit. Zbardhja e tragjedisë së 15 marsit duket se po hap edhe të tjera “petë lakrori”, në hetimin e së cilave hyn në lojë Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe “Task Force”. Të tjerë persona pasi janë pyetur, mund të merren nën hetim dhe t’i bashkëngjiten dosjes së drejtorit të “Meico”- s, Ylli Pinarit, biznesmenit Mihal Delijorgjit dhe drejtorit të fabrikës së çmontimit të municioneve të Gërdecit, Dritan Minxhollit. Saktësisht, 12 ditë pas nisjes së hetimit, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, vendos të shtojë grupin hetimor që po heton tragjedinë e 15 marsit. Në grupin e përbërë nga katër prokurorë të Prokurorisë së Tiranës do të shtohen edhe zëvendësdrejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Kostaq Beluri dhe prokurori i njësisë kundër krimit ekonomiko-financiar “Task Force”, Gentian Osmani. Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme tha dje se një veprim i tillë u bë në kuadër të thellimit të hetimeve për ngjarjen e Gërdecit, ku roli i dy prokurorëve do të jetë kryesisht në hetimin e shpërdorimit të detyrës nga ana e zyrtarëve, si dhe disa “çështje” që përfliten se janë shumë “të nxehta”. Vendimi për shtimin e grupit hetimor u ndërmor ditën e djeshme, pas raportimit që Prokurori i Tiranës, Genti Xholi, dhe udhëheqësi i grupit hetimor, Genci Qano, bënë te kryeprokurorja Ina Rama. Gjatë raportit, dy prokurorët e Tiranës vunë në dijeni shefen e tyre për ecurinë e hetimeve të deritanishme, nga të cilat lindi nevoja për hetimin edhe në vepra të tjera penale. Një gjë e tillë pranohet edhe zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme, nga zyra e shtypit të së cilës u bë dje me dije se “grupi i prokurorëve që po merren me çështjen e Gërdecit, po shqyrton edhe zgjerimin e rrethit të personave nën hetim. Emrat e tyre do të bëhen publikë pas marrjes prej tyre të kësaj cilësie”. Duke pasur parasysh fushën e hetimit të dy prokurorëve që iu bashkëngjitën hetimit, rezulton se aktualisht prokuroria veç veprës penale të shpërdorimit të detyrës, po heton dhe një sërë veprash të tjera penale, të cilat përfshihen nga njësia “Task Force”, ku nuk përjashtohet “korrupsioni pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksion publik”. Por çështja bëhet më e ndërlikuar, kur në lojë hyn Prokuroria për Krime të Rënda, e cila veç të tjerash, heton trafikun e armëve e municioneve, por dhe trafikimin e lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, si dhe vepra të tjera të rënda penale, që nga vrasjet për shkak të cilësive të veçanta, atyre të njohura e deri tek aktet terroriste. Megjithëse tepër të rezervuar në informacion, burime të prokurorisë thanë se veç ngjarjes së 15 marsit, hetimi i çështjes është shtrirë në gjithë veprimtarinë e ndërmarrjes “Meico” dhe veprimtarinë e Mihal Delijorgjit. Burimet konfidenciale nuk përjashtuan mundësinë që gjatë hetimit të kësaj çështjeje të dalin në pah abuzime dhe shkelje të tjera të kryera ndër vite, si nga “Meico”, ashtu dhe nga Delijorgji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›