Bekim Fehmiu kërkoi t'ia djegin trupin

Një ditë pas vetëvrasjes mësohet që aktori të ketë lënë amanet në një letër drejtuar së shoqes djegien e trupit. Teatri Kombëtar i Tiranës, telegram ngushëllimi familjes
Vdekja e aktorit Bekim Fehmiu dhe forma që ai zgjodhi është komentuar nga shtypi dhe njerëzit e artit si një vdekje shumë tragjike. Të afërm të aktorit kanë pohuar për media të Kosovës së Fehmiu kishte pësuar hemorragji cerebrale para pak kohësh dhe ndodhej në gjendje depresive.
Korrespodenti Radio Televizionit të Kosovës në Beograd, Fahri Musliu në një bisedë me Branka Petric, gruan e aktorit, ka thënë se i ndjeri ka lënë amanet që trupi i tij të kremohet.
"Bashkëshortja e Bekimit, Branka Petric një aktore e njohur e Beogradit deklaroi se Bekimi ka bërë vetëvrasje në banesë rreth 14:00 - 15:00, derisa ajo ishte në qytet dhe gjatë katër muajve të fundit ai ka qenë i vetizoluar dhe ka pasur disa probleme shëndetësore dhe psikike", pohoi RTK-së në Beograd.
"Ajo tha se kremimi i trupit të tij do të bëhet në Beograd, por ende nuk është caktuar data. Kjo ka qenë dëshira e fundit e Bekimit tha Branka Petric."
Në shkrimin e djeshëm "Shndritshëm dhe tmerrshëm: Bekim Fehmiu (1936-2010)" në "Express", publicisti Shkëlzen Maliqi, ndalet tek autobiografia "Blistavo i strasno" (E shkëlqyer dhe e tmerrshme), i botuar në gjuhën serbe, në vitin 2001.
"Mendoj se nuk ka asnjë libër - jo vetëm biografik të një autori kosovar, e mbase edhe në përgjithësi të autorëve shqiptarë, i shkruar në këto 15 vitet e fundit (një përjashtim në Kosovë janë librat me poezi të Arben Idrizit) - që do t'i afrohej, për nga vlerat e shumta artistike dhe etnografiko-antropologjike dhe politike, librit të Bekim Fehmiut "Blistavo i strasno"."
Maliqi lë të kuptojë me këtë rast që nëse do ka kujtim të gjallë të Fehmiut që mund të sillej tek shqiptarët pas vdekjes së tij, ky do të ishte përkthimi dhe botimi i autobiografisë në shqipe.
"Supozoj se me po këtë vlerë janë edhe vazhdimet e shënimeve të tij, sepse libri i botuar përfundon me vitin 1954, kurse unë e di nga bisedat me Bekimin se rrëfimi vazhdon me vëllime tjera që përfshijnë vitet e studimit të aktrimit, sukseset dhe problemet me karrierën si aktor jugosllav, dhe depërtimi e ngecjet e tij në kinematografinë botërore", shkruan publicisti kosovar që e ka njohur nga afër Fehmiun.
Dje, Teatri Kombëtar Shqiptar i ka nisur një telegram ngushëllimi familjes së Bekim Fehmiut dhe Teatrit të Prishtinës. Në mesazhin bërë të ditur medias thuhet: "Teatri Kombëtar Shqiptar mësoi me hidhërim për humbjen tragjike të një prej artistëve më të mëdhenj të aktrimit shqiptar Bekim Fehmiu.
Me këtë rast Teatri Kombëtar dhe njerëzit e skenës dhe ekranit gjejnë rastin për t'i shprehur ngushëllimet e thella familjes së tij dhe kolegëve kosovarë për humbjen e këtij artisti të dimensioneve evropiane."
Edhe media italiane i ka bërë jehonë vdekjes tragjike të aktorit portreti i të cilit u bë i njohur sidomos në këtë territor të Mesdheut falë bashkëpunimit të suksessshëm që Fehmiu pati me regjisorin Franko Rosi për serialin televiziv "Aventurat e Uliksit" 1968. Me Rosin ai bashkëpunoi për një serial tjetër televiziv "Një fëmijë me emrin Jezus" 1987.
Producenti i njohur italian Dino De Laurentis e ftoi të bashkëpunonte për disa vjet, pasi e pa Fehmiun të interpretojë në një rol të jashtëzakonshëm, Bora në filmin "Mbledhësit e puplave", të Aleksandër Petroviçit, film që fitoi dy çmime në Festivalin e Kanës më 1967 dhe u emërua për "Oskar".
Me këtë rol filloi karriera e tij ndërkombëtare.
Janë një mori rolesh në skenën italiane në kohën kur Fehmiu po bëhej një model i veçantë i artistit që kapërcen kufijtë e ngushtë të Rajonit drejt Perëndimit dhe prapë kthehet në shtëpi.