Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu vjen për një vizitë zyrtare në Shqipëri

Me ftesë të Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ditën e hënë më 3 nëntor 2008 vjen për një vizitë zyrtare tre ditore në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu.
Gjatë vizitës së tij, Presidenti Sejdiu dhe delegacioni që e shoqëron do të zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin Topi ku pritet të trajtohen çështje dypalëshe të bashkëpunimit politik, ekonomik, arsimor, kulturor etj., në interes të dy vendeve tona.
Në një plan më të gjerë, Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të integrimit euroatlantik të dy vendeve, për bashkëpunimin rajonal si dhe për perspektivën e të ardhmes së shtetit të ri të Kosovës në nismat rajonale.
Të dy Presidentët do ndalen edhe në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet dypalëshe në këtë drejtim.
Në axhendën e vizitës së Presidentit Sejdiu në Shqipëri, është parashikuar një fjalim në Parlament, ku do t’u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe do të ketë takime të veçanta me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Jozefina Topalli dhe Kryeministrin e vendit, zotin Sali Berisha.
Në ditën e dytë të kësaj vizite Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës që do lidhë Shqipërinë me Kosovën si dhe një vizitë në qytetin e Shkodrës.
...