E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensus i madh për Reformën Zgjedhore, e pakënaqur vetëm LSI-ja

Komisioni i Reformës Zgjedhore arrin kompromisin për përbërjen e re të KQZ-së. Tashmë vetëm me 7 anëtarë dhe me mandat 4-vjeçar. Ilir Meta humbet atë që fitoi me përplasje parlamentare e thyerje tavolinash në 2006-n Dy javë para afatit më të fundit të përmbylljes së punës nga ana e Komisionit Parlamentar për reformën Zgjedhore, duket se dy partitë e mëdha kanë gjetur konsensusin përfundimtar për një nga kapitujt kryesore të Kodit, që vendos përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Burime nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, zbulojnë ndryshimet në kodin aktual, të cilat duket të jenë thelbësore, për sa i përket procedurave, mandatit, numrit dhe organit që zgjedh anëtarët e KQZ-së. Të njëjta burime saktësojnë se me propozimet e reja, që pritet të miratohen nga Parlamenti, LSI-ja përjashtohet nga mundësia për të zgjedhur një personin e vetë në KQZ. Sipas këtyre burimeve, mësohet se, numri 9 i anëtarëve, i përcaktuar në ndryshimin e parë të Kushtetutës për të favorizuar LSI-në dhe PDK-në, tani që KQZ-ja nuk është më organ kushtetues, kthehet sërish në 7. Ky ndryshim, pasohet nga një tjetër ndryshim, që ka të bëjë me faktin, që të shtatë anëtarët do të zgjidhen vetëm nga parlamenti dhe, presidenti apo këshilli i lartë i drejtësisë, nuk do ta kenë më këtë kompetencë në Kodin e ri Zgjedhor. Konsensusin kanë gjetur anëtarët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore edhe për mandatin e anëtarëve të KQZ-së. Mandati i KQZ, ulet nga 7 në 4 vjet, në mënyrë që të përkojë gjithmonë me mandatin e Parlamentit, duke garantuar kështu balancën politike në KQZ. Për sa i përket zgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së, sipas asaj çka arritur Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore, mësohet se, ai, Kryetari i KQZ-së zgjidhet në parlament me një procedurë veçmas nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë mazhorancës. Ndërsa nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, që pret të marrë aprovimin në parlament, mësohet se, dy grupet e mëdha parlamentare, në këtë rast, PD dhe PS do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre. E fundit, por jo nga rëndësia, si pikë që ka arritur konsensusin, është edhe mënyra e zgjedhjes së dy anëtarë të tjerë të KQZ-së. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, pritet që zgjedhja e dy anëtarëve të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës, tjetri nga ajo e mazhorancës. Por propozimi nuk do të thotë automatikisht edhe miratim. Vota për dy kandidatët e tjerë do të jepet, vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi përkatësisht ai i opozitës nga Partia Socialiste dhe ai i mazhorancës nga Partia Demokratike. Kjo pritet të jetë edhe pika më e nxehtë e këtij kapitulli dhe sipas informacioneve nga grupi i punës kjo ishte dhe pika që është debatuar më gjatë. Në dukje, ajo është formuluar në mënyrë neutrale, por burimet thonë se është hartuar në mënyrë të tillë që të përjashtojë LSI-në nga e drejta për të çuar anëtarë në KQZ. Burimet thonë se LSI-së nuk do t’i mohohet ligjërisht e drejta e propozimit, por thuajse hapur deklarohet se do të fitojë kandidati i Gjinushit. LSI-ja, ndërkohe ka nisur një fushatë intensive kontestimesh me faktorin ndërkombëtar, por edhe me institucionet e tjera kushtetuese. Por këtë skenar, që mund të përsërisë aksionin akrobatik të LSI-së në parlament, si ai i 28 korrikut 2006, dy partitë e mëdha duket se po e presin me moskokëçarje dhe të sigurta për të miratuar brenda nëntorit kodin e ri elektoral. Ndryshimet e parashikuara për KQZ-në * Numri 9 i anëtarëve, i përcaktuar në ndryshimin e parë të Kushtetutës, tani që KQZ-ja nuk është më organ kushtetues, kthehet sërish në 7. * Të 7 anëtarët do të zgjidhen vetëm nga parlamenti ndërsa, Presidenti apo KLD-ja, nuk do ta kenë më këtë kompetencë në Kodin e ri. * Mandati i KQZ, ulet nga 7 në 4 vjet, në mënyrë që të përkojë gjithmonë me mandatin e Parlamentit, duke garantuar balancën politike. * Kryetari i KQZ zgjidhet në Parlament dhe do t’i përkasë mazhorancës. Nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës. * Dy grupet e mëdha parlamentare, do të kenë të sanksionuar në Kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre. * Dy anëtarë të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga opozita, tjetri nga mazhoranca. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›