E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon kryeministrin e Pakistanit, Gillani

Investitorët pakistanezë shprehin interes për të investuar në Shqipëri

Gjatë qëndrimit në Stamboll, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryeministrin e Pakistanit, Syed Makhdoom Yousaf Raza Gillani. Gjatë takimit të dy kryeministrat rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dëshirën e dy qeverive për intensifikimin e kontakteve në nivelet më të larta politike, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe investimet e ndërsjella. Kryeministri Berisha dhe kryeministri i Pakistanit, Gillani ranë dakord të miratojnë kuadrin e plotë ligjor për bashkëpunimin ekonomik dhe garantimin e investimeve. Kryeministri Gillani u shpreh se investitorët pakistanezë kanë shprehur interes të madh për të investuar në Shqipëri në fushën e industrisë së lehtë, si në prodhimet e lëkurës, tekstile dhe në farmaceutikë. Kryeministri i Pakistanit informoi kryeministrin Berisha se së shpejti një grup i madh investitor pakistanez do të vizitojë Shqipërinë për t’u njohur nga afër me potencialet e saj. Më tej, kryeministri Gillani vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit nën drejtimin e kryeministrit Berisha.

Kryeministri Berisha takon drejtorin e IFC-së Shahbaz Mavaddat
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Stamboll, u takua me Shahbaz Mavaddat, Drejtor Ekzekutiv për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore i IFC, World Bank Group. Në këtë takim u bisedua mbi ecurinë e projekteve mbi të cilat IFC është bashkëfinancuese në Shqipëri.
Kryeministri e falënderoi Shahbaz Mavaddat për asistencën në procesin e privatizimit të OSSH dhe në përgatitjen e kontratave të koncesionit të hidrocentraleve. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e rëndësishëm të IFC në rritjen e financimeve nga institucionet e tjera financiare si dhe inkurajoi atë që në bashkëpunim edhe me BERZH të zgjerojnë aktivitetin e tyre të investimeve dhe të mbështesin modernizimin e ndërmarrjeve të privatizuara dhe zhvillimit të sektorit privat.
Shahbaz Mavaddat vlerësoi rezultatet e reformave ekonomike të realizuara nga qeveria shqiptare të cilat kanë bërë që klima e investimeve të huaja të transformohet në mënyrë të ndjeshme në 3 vitet e fundit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›