Grabitën paratë e pensionistëve, dy në pranga
Gjirokastër, policia ka arrestuar Sali Goxhajn dhe Erion Strokën me akuzën e grabitjes së arkave të komunave Picar e Kurvelesh
GJIROKASTËR- Vidhnin lekët e destinuara për pensionistët, invalidët dhe familjet e varfra në komuna, blinin automjete dhe frekuentonin jetën e natës. Prej dy muajsh ka qenë kjo "puna" e kryer nga dy të rinj nga fshati Valare, të cilët janë vënë në pranga nga operacioni i koduar "Kasaforta".
Grabitjet
Data tre prill e këtij viti do të shënonte edhe grabitjen e parë të kryer në bashkëpunim nga Sali Goxhaj, 23 vjeç, dhe Erion Stroka, 20 vjeç, nga fshati Valare i rrethit Gjirokastër. Kasaforta e komunës Picar ka qenë shënjestra e kësaj grabitjeje, prej nga kanë përfituar jo pak, por 6.8 milionë lekë të vjetër, me të cilët kanë blerë një automjet tip Benz Mercedes, me targa "SR 46 79 B", ndërsa pjesën tjetër e kanë ndarë me njëri tjetrin, duke i shpenzuar paratë në lokale nate.
Duke qenë se vjedhja e parë ka shkuar mirë, pasi nuk kanë mundur të zbulohen kanë zgjedhur një tjetër komunë, atë të Kurveleshit në rrethin e Tepelenës për të kryer goditjen e radhës, sërish në arkën e kësaj njësie të qeverisjes vendore..
Një ditë më parë, ata kanë kryer grabitjen e parashikuar, duke vjedhur me thyerje arkën e komunës Kurvelesh, ku kanë marrë kasafortën, në të cilën ndodheshin 3.5 milionë lekë të vjetra, lekët e invalidëve dhe të asistencës sociale, si dhe disa dokumente të tjera dhe e kanë fshehur në vendin e quajtur Ura e Kozicës në afërsi të fshatit Nivicë.
Më pas janë larguar në drejtim të qytetit Tepelenë për të marrë mjete më të forta për hapjen e kasafortës pasi nuk e kishin hapur dot. Pak orë më pas, është bërë i mundur edhe arrestimi i tyre.
Arrestimi
Nga ana tjetër, informacionet e marra në rrugë operative si dhe analizimi i një sërë provash të gjetura në vendngjarje në të dyja grabitjet, kanë drejtuar uniformat policore drejt dy të rinjve.
Operacioni i koduar "Kasaforta", ka përfunduar me arrestimin e shtetasve Sali Goxhaj, 23 vjeç dhe Erion Stroka, 20 vjeç, në vendin e quajtur kthesa e fshatit Bënçë, ndërsa ishin duke lëvizur me automjetin tip Benz me targa "SR 46 79 B".
Pas arrestimit u gjet edhe shuma e parave të grabitura në kasafortën e komunës Kurvelesh, të cilat me urdhër të prokurorisë iu rikthyen kësaj komune, pasi do t'iu shpërndahen invalidëve dhe shtetasve, të cilët trajtohen me asistencë sociale. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti tip Benz, pesë aparate celularë dhe katër leva hekuri të cilat shërbenin për hapjen e kasafortave.