ODIHR, tri raporte për zgjedhjet
29/05/2005 ODIHR-i do të paraqesë tri raporte para datës 3 korrik për të pasqyruar situatën parazgjedhore që po kalon vendi. Sipas shefit të misionit vëzhgues të ODHIR-it, Jurgen Grunet, të trija këto raporte do të jenë kritike, duke nxjerë në pah të gjitha paregullsitë para zgjedhjeve, për t'i hapurr rugë kështu dhe përmirësimit. “Raporti i parë do të publikohet në javën e ardhshme, ndërsa dy të tjerët në javët në vijim", tha Grunet. Sipas tij, nuk kërkohet që raportet të merren si kritike nga autoritetet shqiptare, por si ndihmesë që këto zgjedhje të jenë nga më të mirat. Gjithashtu, Grunet ka sqaruar se 30 vëzhgues të ODIHR-it do të punojnë me një staf shqiptar, për të monitoruar zgjedhjet. Sipas tij, "një pjesë e tyre do të qëndrojë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër në rrethe të tjera të vendit". Ndërkohë që, një nga shqetësimet që ka vërejtur institucioni, që ai përfaqëson, është dhe verifikimi i emrave të zgjedhësve në listat, duke iu bërë kështu apel qytetarëve që të kontrollojnë listat, në mënyrë që të sigurohet një pjesëmarrje e kënaqshme në zgjedhje. Shefi i ODIHR-it ka kërkuar që mediat të mbulojnë me korrektësi fushatën elektorale.