E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet trupi pa jetë i shoferit të kamionit

Gjendet trupi i shoferit 45-vjeçar, Flamur Hasani, i cili humbi jetën në ujërat e kanalit të Butrintit, orët e para të mëngjesit të së enjtes. Trupi pa jetë i tij u gjet mëngjesin e së premtes në afërsi të Bukës së Vivarit, nga një grup peshkatarësh. Burime nga policia e Sarandës bënë të ditur se gjetja e Hasanit është bërë e mundur rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm, kur peshkatarë të Vivarit, në afërsi të qytetit antik të Butrintit, në largësinë 1.8 milje nga lundra, kanë hasur në kufomën e një njeriu të mbytur. Ata thanë se e kanë njohur nga tiparet e fytyrës dhe nga shenjat e jashtme 45-vjeçarin Flamur Hasani, banor i Ksamilit. Më pas është bërë identifikimi se kufoma i përkiste shoferit të kamionit të rënë në ujërat e Butrintit nga lundra që lidh dy brigjet e kanalit. Mendohet se në këtë drejtim e ka çuar veprimi i rrymave të pjesës fundore të kanalit të Vivarit, të cilat mendohet të kenë pasur gjatë natës së 27 gushtit drejtimin për në liqenin e Butrintit. Trupi i viktimës është gjetur në vendin e quajtur Buka e Vivarit, afërsisht në të njëjtin vend ku u gjetën edhe 3 nga 5 kufomat e të mbyturve në tragjedinë e tetorit 2008 në Butrint, në tentativën për t‘u shpëtuar patrullave të policisë kufitare në aventurën e tyre për të kaluar si klandestinë kufirin shqiptaro-grek. Pas gjetjes së kufomës së Flamur Hasanit, janë njoftuar familjarët e tij me banim në Ksamil, të cilët gjithashtu kanë konfirmuar se viktima i përkiste 45-vjeçarit Flamur Hasani. Trupi i tij është transportuar gjatë paradites së djeshme për në morgun e spitalit të Sarandës dhe prej andej është marrë nga familjarët. Pasditen e së premtes, Flamur Hasanit i është dhënë lamtumira e fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›