E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes emigrantja 36-vjeçare, kthehej nga Greqia

Dy aksidente rrugore të rënda kanë marrë jetën e dy personave dhe plagosjen e një fëmije 5-vjeçar. Ngjarja e parë rrugore është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në aksin nacional Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Pirg, ku si pasojë e daljes së një mjeti nga rruga, ka humbur jetën drejtuesja e tij, 36-vjeçarja nga Berati, Enkelejda Shtëmbari. E reja, emigrante në Greqi, ka qenë duke udhëtuar drejt Beratit me djalin e saj 5-vjeçar kur ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit dhe si pasojë ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës. 36-vjeçarja ka qenë duke drejtuar një mjet tip "Fiat", me targa ZMX 3427, kur ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Sipas policisë, që ka shkuar në vendin e ngjarjes, në asfalt nuk ka pasur shenja frenimi. Burimet e policisë kanë thënë se drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin pasi e ka zënë gjumi në timon dhe si rrjedhojë ka dalë nga rruga e është përplasur në krahun e djathtë me një bordurë betoni të kanalizimeve, ndërsa përplasja e fortë ka qenë fatale për të. Emigrantja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që i biri ka pësuar fraktura dhe dëmtime trupore. Ndërkohë, pasditen e djeshme një 75-vjeçar nga Durrësi ka gjetur vdekjen, teksa është përplasur nga një makinë tip "Fiat Lanca" me targa DR8034A, që drejtohej nga shtetasi Esat Dërrasa. I moshuari Sadik Taullai, banor i Lagjes 15 në Durrës, ka tentuar të kalonte rrugën në zonën e plazhit, afër rezidencave qeveritare, kur është përplasur nga automjeti. Përplasja ka qenë fatale për të moshuarin, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa drejtuesi Dërrasa është shoqëruar për në polici për të zbardhur shkaqet e aksidentit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›