E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Provimi i shtetit, për cilësinë e profesionistëve

Projektligji që vendos provimin e shtetit dhe praktikën, si kushte për të provuar profesionalizmin nga çdo i diplomuar i ri në vendin tonë, është sqaruar dje nga zëvendëskryeministri Genc Pollo. Ky projektligj, menjëherë pas miratimit të tij edhe nga Kuvendi, do të prekë ose rregullojë vetëm 10 profesione në vendin tonë. Deri tani këto kanë funksionuar mbi bazë të marrjes së licencave. Por, pakënaqësia mbi mënyrën se si kanë operuar strukturat e dhënies së licencave, si dhe një detyrim për t‘u plotësuar përballë Bashkimit Europian, kanë sjellë një projektligj të ri, atë "mbi profesionet e rregulluara". Sipas numrit dy të qeverisë, Genc Pollo, thelbi i këtij ligji është provimi i shtetit. "Mund të marrësh diplomën në universitet, por me këtë vetëm të çelet rruga drejt ushtrimit të profesionit si titullar. Provimi i shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me ministrinë e linjës, për shembull me Ministrinë e Shëndetësisë për mjekët e farmacistët. Por, gjithsesi, anëtarët e KOMKOV (Komisioni Kombëtar i Vlerësimit) janë profesorë universitarë të fushës përkatëse", shprehet Pollo, duke saktësuar strukturat përgjegjëse për këtë testim të ri për të sapodiplomuarit dhe të tjerët në të ardhmen. Ai thekson se në këtë mënyrë shteti del garant për aftësitë e njohuritë e atij që do të jetë mjek, dentist, infermier, farmacist, inxhinier etj. Pra, cilado të ketë qenë cilësia e diplomës, është diplomë e lëshuar në Tiranë apo jashtë kryeqytetit, në universitet publik apo privat, tashmë filtri është unik për të gjithë vendin dhe quhet provim i shtetit. Pollo ka vijuar më tej, duke thënë se, kusht tjetër për të ushtruar profesionin është një praktikë profesionale, që mund të zgjasë gjashtë muaj, deri në tre vjet. Ai shton se kjo vepron jo për të gjitha diplomat, por vetëm për ato që prekin sigurinë dhe shëndetin publik. Në projektligj janë parashikuar dhjetë profesione të rregulluara. Pollo pohon se në vende të pasura të BE-së, kjo listë shkon mbi 100. Por, ka vende në botë, me po atë shkallë zhvillimi si Shqipëria, ku listohen 50 deri në 70 profesione të rregulluara. Gjithashtu, është pranuar se pas këtij ligji hapet rruga për reformimin e Urdhrave Profesionale, për të cilët Pollo tha se, "kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe deri tani, përgjithësisht, nuk e kanë përmbushur". Regjistrimi në Urdhrin Profesional është hapi i fundit që duhet të kryejë profesionisti (pasi ka bërë praktikën profesionale dhe ka kaluar me sukses në provimin e shtetit) për të ushtruar ligjërisht profesionin e tij. Ndërsa lidhur me penalizimet në raste shkeljesh, duket se do të angazhohen më tepër strukturat që deri tani janë marrë me licencime. Zëvendëskryeministri ka shpjeguar se "urdhrat profesionalë duhet të kujdesen më shumë për përditësimin e njohurive profesionale, si dhe për disiplinime kur kemi shkelje të etikës dhe të rregullave nga profesionistët. Prandaj, edhe aty duhet bërë një reformë më vete". Hyrja në fuqi e këtij projektligji mbi rregullimin e profesioneve duket se do të jetë edhe një provë jo e vogël për cilësinë e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›