Kapen në Sarandë 50 kg marijuanë nga Lazarati
Një operacion antidrogë, me pikënisje nga fshati Lazarat i Gjirokastrës, ka përfunduar në fshatin Çukë të Sarandës me sekuestrimin e 50 kg lëndë narkotike dhe shpalljen në kërkim të tre personave. Gjatë operacionit të koduar "Përtej kufijve", janë sekuestruar 50 kg drogë, e tipit marijuanë. Trafikantët kanë mundur t‘i shpëtojnë prangosjes së policisë, ndërkohë që veç sasisë së drogës është sekuestruar edhe automjeti me të cilin transportohej droga. Operacioni është organizuar nga agjentë të policisë së Qarkut të Gjirokastrës, pasi origjina e drogës ka qenë fshati Lazarat. Sipas të dhënave policore, informacionet paraprake në rrugë operative treguan se dy automjete do të kryenin transportin e një sasie lënde narkotike marijuanë nga fshati Lazarat në drejtim të Sarandës. Pas kësaj të dhëne u përpunua skema e organizimit të operacionit të koduar "Përtej Kufijve", me qëllim ndjekjen dhe kapjen e tyre. Pasi u konstatua se automjetet po lëviznin realisht në drejtim të Sarandës, nisi ndjekja e tyre, e cila vazhdoi deri në afërsi të qytetit jugor. Në hyrje të Sarandës u ngrit edhe një postbllok i policisë. Si rezultat i organizimit të ndërtuar me kujdes në çdo detaj, u bë ndjekja e automjetit me të cilin mbartej lënda narkotike. Në këtë kohë, drejtuesi i makinës tip "Benz", me targa gjermane, ka devijuar rrugën dhe është futur në drejtim të fshatit Çukë. Duke mos parë rrugëdalje tjetër, trafikanti ka braktisur automjetin e shtrenjtë dhe lëndën narkotike e ka hedhur në anë të rrugës hyrëse për në fshat. Më pas ai është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira e natës. Ndërkohë, automjeti tjetër, tip "Shervolet", në të cilin udhëtonin dy persona, ka qenë në rolin e shoqëruesit të automjetit me lëndën narkotike. "Shervoleti Fuoristradë", me targa amerikane, ka vazhduar në drejtim të qytetit të Sarandës në momentin që "Benzi" devijoi për në fshatin Çukë. Burimet e policisë bëjnë të ditur se drejtuesi i mjetit ka devijuar rrugën dhe nuk është bërë e mundur kapja e tij. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas kontrollit të imtësishëm të territorit, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i lëndës narkotike. Ajo u gjet e sistemuar në dy çanta të mëdha, brenda të cilave ndodheshin 50 pako të mbushura me lëndë narkotike, të dyshuar si marijuanë. Burimet policore thanë se secila prej pakove peshonte një kilogram. Ndërkohë që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe automjeti tip "Benz", i gjetur i braktisur. Nga ana e ekspertëve është bërë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimi i autorëve, por për arsye hetimi, identitetet e tyre nuk bëhen publike. Ndërkohë po punohet për kapjen e tre trafikantëve të shpallur në kërkim.