E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanët, qytetarët të zhgënjyer nga bashkia

Qytetarët e Tiranës janë të zhgënjyer nga kushtet e transportit urban. Ankesa të shumta, por edhe "nota" pesimiste për rritjen e cilësisë së shërbimit, janë raportuar pranë Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve. "Kemi udhëtuar me autobus. Mund të themi se ashtu si dhe ankesat e konsumatorëve, shërbimi i transportit urban nuk ka ndryshuar, nuk është përmirësuar aspak, edhe pas rritjes së çmimit të biletës nga 20 në 30 lekë", tha drejtuesi i ZMK-së, Altin Goxhaj. Sipas tij, transporti urban duhet të kishte ndryshuar rrënjësisht pas rritjes së çmimit të biletës, ndërsa Bashkia e Tiranës është struktura që duhet të ushtrojë kontrolle lidhur me plotësimin e kritereve të parashikuara në kontratë.

"Kemi plot një vit që kërkojmë të pajisemi me kontratat e nënshkruara lidhur me shërimin e transportit urban për qytetarët. I jemi drejtuar Drejtorisë së Transportit, pranë Bashkisë së Tiranës, por edhe nëpërmjet lëvizjeve apo aktiviteteve të ndryshme zotit Enton Punavia, të na pajisje me kriteret që duhet të plotësojnë linjat për qytetarët", theksoi Goxhaj. Sipas tij, këtu është shkelur ligji për të drejtën e informimit publik, pasi bashkia në këtë rast duhet të bëjë transparente kontratat, e madje t‘i afishojë edhe ato online, sikurse aktivitetet apo procedurat e tjera të vendosura në web-in përkatës. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka tërhequr vëmendje lidhur me kontrollet e bashkisë, në dobi dhe mbrojtje të udhëtarëve, të cilët i mbajnë sytë nga bashkia, "avokatja" e halleve të tyre dhe shqetësimeve të përditshme, për të cilat shpesh paguajnë shumë shtrenjtë në krahasim me shërbimin e ofruar. "Duhet të jetë Bashkia e Tiranës ajo që të ushtrojë kontrolle, të jetë rregullatori mes kompanive që administrojnë transportin urban dhe t‘u ofrojë kryeqytetasve kushtet e parashikuara në kontratë. Ndërkohë që më vjen keq të them se iniciatorët dhe ideatorët e projektit për rritjen e çmimit të biletës kanë qenë pikërisht përfaqësuesit e bashkisë. Me një projektvendim ata i kanë kërkuar Këshillit të Ministrave të miratojë rritjen e çmimit të biletës nga 20 në 30 lekë", thekson avokati i konsumatorëve. Sakaq, një mënyrë për të shtuar fitimet e kompanive të transportit urban janë edhe reklamat apo mesazhet promocionale të ngjitura anekënd hapësirës së autobusëve. Gjatë fushatës zgjedhore s‘kemi parë asnjë nga autobusët e linjave pa fytyrën e kandidatëve më të rëndësishëm për deputet. Por pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre kanë fituar zgjedhjet, mësohet se u kanë lënë pa paguar dhe mbeten në borxh me kompanitë e shërbimit të transportit urban. Ende nuk është bërë një bilanc i saktë për faturat e borxheve...

Sipas një studimi të pak kohëve më parë, rezulton se në Tiranë udhëtojnë çdo ditë mbi 225 mijë pasagjerë. Në këtë shifër përjashtohen ata që përfitojnë udhëtim falas. Sipas këtyre të dhënave, në Tiranë ka 234 stacione, në të cilat qarkullojnë 162 autobusë, të cilët ndalojnë 45 mijë herë çdo ditë.

ZMK-ja publikon analizën për defektet e shërbimit

Kushti: autobusët duhet

të pastrohen çdo ditë

Një e dhënë e re që vjen nga verifikimet e ZMK-së është edhe zbulimi i autorëve të një prej vjedhjeve që u bëhet qytetarëve të Tiranës. Sipas dëshmisë së disa shoferëve të linjave të Tiranës, arsyeja e vonesave të ardhjes së autobusëve në stacione është politika që ndjekin kompanitë private dhe publike, me qëllim që ato të mbushen sa më shumë me udhëtarë për të maksimalizuar fitimin, duke ulur koston. Gjithashtu mjetet që vihen në dispozicion në disa raste janë më pak se sa kontrata me bashkinë në varësi të ditëve apo të orëve të pikut. "Në lidhje me kushtet e higjienës dhe pastërtisë në mjete, të dhënat e sotme janë edhe më skandaloze. Automjetet jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre, personelit nuk i vendosen në dispozicion as mjetet më elementare të pastrimit", sqaron zyrtarisht ZMK-ja. Rasti më i mirë i pastrimit të tyre është larja me zorrë uji nga fatorinot apo shoferët një herë në disa ditë.

Gjithashtu një tjetër detaj i nënvizuar në analizën e Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit është edhe fakti që autobusët janë kthyer në vatra të infeksionit. Fatorinot nuk janë të siguruar dhe për pasojë nuk kanë as librezë shëndetësore, siç e kërkon edhe ligji. Duke pasur parasysh kontaktin e një fatorinoje me mijëra qytetarë çdo ditë, mungesa e një diagnostikimi mjekësor e bën fatorinon një bartës potencial të sëmundjeve infektive. Ligji ka përcaktuar që disa kategori profesionale, që përfshin edhe fatorinot, duhet të kenë librezë mjekësore që vërteton se ata nuk vuajnë nga sëmundje infektive, të cilat mund të rrezikojnë publikun si pasojë e llojit të punës që kryen personi.

Për të gjitha këto, ZMK do të kërkojë pranë Institutit të Shëndetit Publik një informacion se çfarë është bërë deri tani për kushtet higjienike në të cilat ushtrohet shërbimi i transportit urban në Tiranë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›