E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhje kompjuterike, 8 në pranga



Etleva Delia

Blerja online e biletave të udhëtimeve me anë të kartave të kreditit të klonuara, në të paktën 100 raste, çoi dje në pranga tetë persona. Pesë prej të arrestuarve gjatë operacionit “Concord”, i drejtuar nga Zyra Task-Force në Prokurorinë e Tiranës dhe sektori i Antikrimit Ekonomik në polici, janë pronarë të agjencive të ndryshme të udhëtimeve. Një person nga Presheva është i dyshuari kryesor për vjedhjen e kodeve të kartave të kreditit, me të cilat realizohej mashtrimi kompjuterik. Tre bashkëpunëtorët e tij, dy nga Kosova dhe një nga Tirana, që kryenin blerjet e biletave online me karta krediti, u arrestuan dje gjatë operacionit. Denoncimi i parë, që çoi në nisjen e hetimeve është bërë nga një kompani ajrore, që ishte njoftuar nga banka për transaksionin. Nga verifikimi i llogarisë bankare të kompanisë së dëmtuar, punonjësit kanë sinjalizuar kompaninë për të gjitha veprimet online, nga ku ishin përdorur paratë për blerjen e biletave. Dëmi që u është shkaktuar kompanive të udhëtimeve përllogaritet paraprakisht të jetë 115 mijë euro. Dyshohet se personat e arrestuar kanë kryer të njëjtën skemë mashtrimi edhe në vende të tjera veç Shqipërisë.
FUNKSIONIMI I RRJETIT
Pronarët e agjencive të udhëtimeve kishin rënë dakord bashkë me tre shtetas kosovarë, që kartat e tyre të kreditit t’i këmbenin me lekët e klientëve dhe paratë t’i ndanin në pjesë të barabarta. Ilir Arapi, Erjon Jaupllari, Etleva Minxhozi, Elisabeta Bengasi dhe Flora Nikaj, presidentë e punonjës të agjencive të udhëtimit, tashmë të arrestuar, akuzohen se kanë vepruar në grup. Në momentin kur një klient paraqitej për të blerë një biletë, ata i merrnin paratë duke i premtuar se po i prenotonin biletën e udhëtimit. Ky ishte momenti kur ata lajmëronin të arrestuarin tjetër Arjan Troka, i cili bënte lidhjen mes agjencive dhe kosovarëve Zenel Bushala e Ken Kormani. Këta të fundit, bashkë me një person nga Presheva, klononin kartat e kreditit të shtetasve të huaj, duke vjedhur kodet nga llogari të ndryshme bankare dhe më pas i përdornin për blerjen onlinë të biletës. Në këtë mënyrë ata realizonin blerjet me karta krediti, kur në fakt klientët kishin prenotuar në agjenci me para në dorë. Paratë e klientëve ndaheshin në një përqindje të caktuara mes pronarëve të agjencive dhe kosovarëve që bënin blerjet me karta të klonuara. Pas kësaj, paratë “zhdukeshin” nga llogaria bankare e kompanive ajrore. Kjo çoi në lajmërimin e kompanive ajrore, të cilat më pas denoncuan në zyrat e Antikrimit Ekonomik, në të paktën 100 raste, vjedhjen që u kishte ndodhur nëpërmjet mashtrimit kompjuterik.

Kompanitë ajrore denoncuan vjedhjen
Pas sinjalizimit të parë nga një kompani fluturimesh dhe pas dhjetëra denoncimesh të tjera që e pasuan, Antikrimi Ekonomik i Tiranës dhe Task-Force në Prokurori nisën hetimet intensive për zbulimin grupit që vidhte llogaritë bankare nëpërmjet blerjes së biletave online. Hetimet zgjatën rreth tre muaj dhe janë drejtuar nga prokurori Gentian Osmani së bashku me Sektorin e Antikrimit Ekonomik në polici.

TE ARRESTUAR

1. Ilir Arapi
2. Erjon Jaupllari
3. Etleva Minxhozi
4. Elizabeta Bengasi
5. Flora Nikaj
6. Zenel Bushala
7. Ken Kormani
8. Arjan Troka
Akuza: Mashtrim kompjuterik, vjedhje
Provat: Sekuestruar 5 mijë euro
1 kompjuter dhe 18 laptopë
50 karta telefoni
20 celularë e 2 automjete

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›