Lazarat, asnjë rrënjë drogë
GJIROKASTER - Asnjë bimë narkotike nuk është evidentuar në fazën e dytë të kontrollit të Policisë së Gjirokastrës në fshatin Lazarat. Uniformat blu nuk kanë arritur të gjejnë asnjë parcelë të kultivuar me hashash as ditën e djeshme. Në krye të grupeve të kontrollit në terren dje ishte zv.drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Adriatik Tafçiu, duke nisur në këtë mënyrë inspektimin masiv në terren në disa lagje të fshatit, të cilat nuk kanë qenë objekt i krehjes më parë. Ashtu si dhe të shtunën, Policia e Gjirokastrës është mbështetur nga kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, i cili ka mundësuar krijimin e kushteve për ndërmarrjen e kontrolleve policore në komunën që ai drejton. Për herë të parë, çdo veprim i policisë në terren ka qenë i vrojtuar nga prania e kamerave të televizioneve dhe gazetarëve që ishin ftuar për të parën herë të shikonin nga afër aksionin. Në lagjen Lënxatë dhe në lagjen e Bregut të fshatit, forcat e policisë kanë kontrolluar të gjitha territoret e gjelbra pranë banesave dhe si rezultat i krehjes për çdo pëllëmbë tokë është konstatuar se nuk ka pasur bimë narkotike të kultivuara. Aksioni do të vazhdojë sot në dy lagjet e mbetura të Lazaratit. p.n