E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendja e Shqipërisë pas luftës

Varfëria dhe sëmundjet e zbehnin rëndësinë e fitores. Gazeta “Bashkimi” e 4 janarit 1945 shkruan për banorët e mbetur pa strehë.
Është hapur një komision për të strehuar familjet që kanë mbetur pa banesë. Formimi i tij tregon më mirë se fjalët interesimin direkt të qeverisë e të pushtetit tonë popullor për ata që vuajnë. Komisioni është përpjekur të bëjë ç’ka qenë e mundur për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë mbetur në rrugë të madhe. Duke qenë të dëmtuar nga lufta, i ka sistemuar nëpër banesa, natyrisht sipas mundësive. Deri tani është kryer një punë e mirë. Por këtu ndërhyn diçka: një pjesë e konsiderueshme e popullit, që mirë a keq e ka një strehë ku të fusë kokën, shkon përditë në zyrat e komisionit dhe kërkon që t’i jepet banim më i përshtatshëm. Të gjithë i duam shtëpitë e mira dhe komode, por çështja nuk është të kënaqim apo plotësojmë dëshirat e njërit a tjetrit. Duhet t’u gjejmë banim atyre që s’kanë ku të shkojnë, atyre që gjenden në rrugë të madhe pa asnjë të ardhme e jo më në gjendje të paguajnë qiranë e shtëpisë. Populli duhet ta kuptojë mirë këtë çështje e nuk duhet t’i ngatërrojë punët. Ne jemi të mendimit, e besojmë që të gjithë të tjerët, të gjithë ata që duan ta kuptojnë të vërtetën, se askush nuk do të dëshironte e nuk duhet të dëshirojë të lejë të tjerët në mes të rrugës për të zënë një shtëpi më të mirë se atë që ka. Kanë ndenjur aq kohë në ato shtëpi, le të rrinë edhe disa ditë, ose disa javë, se nuk do të bëhet kiameti. Pastaj duhet të kemi parasysh diçka tjetër: sa më shumë ditë që kalojnë, aq më tepër normalizohet gjendja. Gjithkush do të kthehet në vendin e vet, flasim për të ardhurit, për muhaxhirët e kështu shtëpi do të ketë mjaft e ndoshta do të teprojnë. Por sot, të jemi të arsyeshëm, të kuptojmë se duhet të kënaqen ata që kanë nevojë shumë të madhe. Për këto arsye, komisioni për strehime njofton të gjithë të interesuarit se me qëllim që të bëhet një sistemim definitiv dhe i drejtë i familjeve që janë pa strehë, nuk lëshon hë për hë asnjë autorizim për vendosje familjesh në apartamente shtetërore ose private që janë bosh deri tani në një shpallje të dytë. Të gjithë pronarët e shtëpive, të cilat lirohen nga familjet durrsake e të tjera që largohen nga Tirana, duhet të paraqiten qysh ditën e lirimit pranë komisionit për strehime të lagjes ku ndodhet shtëpia për t’i dhënë të gjitha hollësirat rreth gjendjes së shtëpisë. Shtëpia do të vihet në dispozicion të komisionit qendror për strehime, që ky të vendosë familjet që janë pa strehë. Qiraja do të caktohet sipas një ligji të veçantë që do të hyjë në fuqi më vonë. Do të merren masa kundër të gjithë atyre që nuk do të respektojnë këtë urdhër. Të gjitha familjet e dëmtuara nga lufta që banojnë në Tiranë dhe që sot janë pa strehë ose janë sistemuar sido-kudo, si dhe ato që janë futur në godina shtetërore ose private, pa ndonjë autorizim nga ana e këtij komisioni ose me autorizimin e lëshuar nga këshillat e lagjeve për sistemimin e tyre definitiv dhe të përshtatshëm, duhet t’i paraqesin komisionit për strehime pranë këshillit të lagjes një kërkesë, së cilës duhet t’i bashkëngjitin një certifikatë ku të vërtetohet se i interesuari është refugjat nga krahinat e djegura të Shqipërisë dhe se shtëpia në të cilën banonte është bërë e pabanueshme.
Varfëria e tejskajshme mbush mensën e lagjes “Ismail Efendi”
Flitet për jetën e mjerueshme që u fali lufta
Që në mëngjes ka nisur të përgatitet gjella për të varfrit e asaj lagjeje. Punojnë gjellëbërësit, punojnë të rinj e të reja antifashiste, gra antifashiste, punon kush mundet për t’i ardhur në ndihmë të mjeruarve të luftës. Në një barakë të madhe por të mirë dhe me xhama është salla e ngrënies. Është një sallë e madhe me një varg bankash dhe tryezash. Përmbi tryeza gotat e ujit. Salla e pastër dhe gjithçka në rregull. Buka ka ardhur, është bukë kallomoqi e bardhë dhe e ngrohtë. Helbete, jemi të vobektë, kemi një qeveri të vobektë, që ka përsipër një shumicë të vobektësh dhe të mjerësh nga lufta që i ushqen me gjithë vobektësinë e saj dhe me ndihmat e atyre që kanë pasuri dhe shpirt të mirë. S’kemi pra sot veç bukë kallamoqi, por këtë e kemi të pastër, të pjekur dhe në sasi të mjaftueshme. Populli ka filluar të vijë në mensë. Një i ri qëndron te dera e i kontrollon teserat. Këshilli i ka marrë mirë në shqyrtim listat e të vobektëve para se të shpërndajë triskat. Seleksionimi mund të themi është bërë me kriter të plotë. Miqtë e parë të mensës janë fëmijët. Është e natyrshme. Këta e ndiejnë më tepër mungesën e ushqimit. Të dhimbsen. Janë të pafaj. Okupatori dhe tradhtarët ballistë e zogistë ua grabitën pasurinë që kishin, pasurinë e financave tona, e cila do të ishte edhe e tyre, i dogjën, i poqën dhe grabitën shtëpitë e tyre. Sot vijnë gjithë uri në mensën e popullit për t’u ngopur. Kanë nisur të familjarizohen me mensën, ta pandehin këtë si një nënë që u jep, që i ngop, por mjerisht nuk i kënaq ngaqë vetë është e varfër.
Gjendja e farmacive dhe çmimet e barnave
U formua një komision i dalë nga gjiri i farmacistëve dhe i zgjedhur prej tyre. Kryetar u zgjodh dr. Selaudin Kokona. Ndërsa anëtarët e farmacistët e komisionit u treguan me të vërtetë në lartësinë e misionit të tyre duke bërë propozime shumë të arsyeshme mbi çështjen e caktimit të çmimit të barnave. Çmimet që ata propozuan kanë qenë më të ulëta nga sa parashikoheshin e kjo tregon se pjesa më e madhe e farmacistëve tanë e ka kuptuar detyrën dhe misionin që ka kundrejt shoqërisë dhe kolektivitetit. Gjatë muajit nëntor 1944, shumë tregtarë të Tiranës kishin furnizuar me lëndë ushqimore të ndryshme Spitalin e Përgjithshëm Civil të Tiranës.
Në datën 7 janar, gazeta “Bashkimi” vazhdon të shkruajë për të varfërit që ushqehen në mensa
Nëpër mensat e të gjitha lagjeve të qytetit hanë bukë më shumë se 2200 veta në ditë. Përveç këtyre, edhe 1000 frymë të tjera e marrin bukën gratis. Për t’ia dalë mbanë kësaj pune, Komisioni i Asistencës Sociale ka hapur fushatën e madhe të dimrit. Gjithashtu ky komision u ka bërë thirrje të gjithë tregtarëve dhe industrialistve të qytetit që të vënë dorën në zemër dhe të mos kursehen për të ndihmuar vëllezërit e tyre që vuajnë për një kafshatë bukë. Ky Komision kujdeset edhe që të sëmurëve të vobektë t’u jepen barërat gratis. Farmacistët nuk duhet të tregohen dorështrënguar. Duhet t’i dhurojnë Komisionit të Asistencës barna të mjaftueshme, që ky t’ua japë të vobektëve. Kështu do të lehtësohen dhembjet e vëllezërve tanë të vobektë. Ndërsa këshilli i lagjes “Ali Bej”, në bashkëpunim me Gruan dhe Rininë Antifashiste Shqiptare, filloi fushatën për mbledhjen e batanijeve për Korparmatën e Parë. Më parë se të fillonte kjo fushatë, Këshillat e Sektorëve të Lagjes ftuan popullsinë në një konferencë ku u shpjegua rëndësia e kësaj fushate dhe kontributi që duhet të japë çdonjëri prej banorëve të lagjes. Batanijet e mbledhura deri tani kanë arritur një numër të kënaqshëm. Mësojmë se edhe lagjet e tjera të qytetit kanë filluar të mbledhin batanije për Ushtrinë tonë Nacionalçlirimtare dhe se parashikohet që kjo fushatë të ketë sukses të plotë. Nga fushata e madhe e dimrit, që u hap në ditët e para të këtij viti me shpërndarje biletash ndihmë, është inkasuar shuma prej 525.588 frangash, derdhur nga të gjitha këshillat e lagjeve të qytetit. Kësaj shume duhet t’i shtohet kontributi i dhënë në të holla nga katundarët që arrin në 35. 161. 40 franga. Një burim tjetër i të ardhurave të Asistencës Sociale është edhe përqindja që akordoi Ministria e Financave nga shpërndarja e letërcigareve respektivisht 2 për qind dhe 3 për qind mbi çmimin e shitjes me pakicë të këtyre artikujve. Të ardhurat nga ky burim gjatë muajit janar arrijnë 33.241 franga. Aktiviteti asistencial në Tiranë u fillua që prej ditëve të para të çlirimit nga Këshillat Nacionalçlirimtare të lagjeve. Këto në fillim mundoheshin t’u vinin në ndihmë nevojtarëve duke u shpërndarë bukë e të holla prej ndihmave që mblidheshin prej banorëve të çdo lagjeje. Numri i të mjeruarve të luftës nevojtarë për bukën e gojës ndryshonte nga lagjja në lagje, ashtu sikur ndryshonte edhe sasia e ndihmave që mund të mblidheshin nga njëra lagje në tjetrën, si pasojë edhe ndihma që u jepej këtyre në natyrë ose në të holla nuk ishte e barabartë. Në muajin dhjetor përfituan nga Asistenca Sociale 3.200 persona në ditë dhe shpenzoheshin 6.750 franga. Në këtë gjendje i trashëgoi mensat Asistenca. Puna e parë që bëri Asistenca në lidhje me shpërndarjen e ndihmave ishte ajo e unifikimit të ndihmës në të gjitha lagjet. Kështu u realizua unifikimi i racioneve në të gjitha mensat e lagjeve me këtë racion për çdo person: mish 100 gr, fasule 75 gr, lakra 125 gr, patate 150 gr, vaj dhe qepë 7,5 gr. Në mensa konsumohej dy herë në javë mish dhe pesë herë zarzavate me vaj. Shpenzimet që ka bërë Asistenca Sociale për furnizimin e mensave gjer më 31 janar 1945 arrijnë në 145.197.10 franga. Me rastin e mbylljes së mensave, ky seksion u shpërndau të 3800 personave që përfitonin nga këto, përveç bukës, edhe nga 125 gr sapun. Sekretariati i Asistencës Sociale ka ndarë në pesë familje partizanësh 611 franga. Për mjekimin e të sëmurëve kanë shërbyer gjer sot ambulancat e Këshillit të qytetit, të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Spitali Civil. Personave të sëmurë në bazë të recetës së dhënë nga doktori u jepen barna gratis nga farmacitë e qytetit. Për të gjithë të vobektët që janë të sëmurë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të jepen barna falas, derisa vendi ynë të rimëkëmbet. Vetëm Lufta Nacionalçlirimtare do të na çojë përpara nga shkojnë popujt fitimtarë, popujt që nuk vuajnë as nga uria e as nga sëmundjet.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›