Rrobaqepëset e ushtrisë kundërshtojnë vendimin për ndërmarrjen
Punonjësit e Ndërmarrjes së Prodhimit të Veshjeve të Ushtrisë në Tiranë (NPVU) protestuan dje përpara Ministrisë së Mbrojtjes për të kundërshtuar dhënien me qira të ambienteve të kësaj ndërmarrjeje dhe ndryshimin e destinacionit të saj prodhues. Të mbështetur nga lëvizja “MJAFT”, dhjetëra punonjës të kësaj ndërmarrjeje 70-vjeçare, e vetmja me destinacion prodhimin e uniformave të shtetit, i kërkuan ministrit Fatmir Mediu që të ndërhyjë për të mos lejuar dhënien me qira të ambienteve të ndërmarrjes dhe të ndalë shkatërrimin e saj. “Duke qenë një ndërmarrje me mbi 200 punonjës, mbyllja apo ndryshimi i destinacionit të saj do të shkaktonte probleme të mëdha sociale por mbi të gjitha do t’i sillte shtetit një humbje të madhe kapitali”, - sqaruan për median përfaqësues të punonjësve gjatë protestës. Protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën në hyrje të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa mbanin në duar parulla në të cilat shkruhej: “Kemi punuar 70 vjet për shtetin, tani e marrim bukën me listë”, apo “Sa e ke rrogën, z. Mediu?”, etj. Punonjësit e kësaj ndërmarrjeje i kërkuan gjithashtu Mediut që të ndërhyjë për shpejtimin e nxjerrjes së një vendimi për prokurim të drejtpërdrejtë për konfeksionimin e uniformave të ushtrisë, ndërsa kërkuan që të mund të prodhojnë uniforma edhe për struktura të tjera të shtetit. NPVU ka në dispozicion makineri të tipeve të ndryshme të një teknologjie bashkëkohore. Në të punon një staf teknik i specializuar në konfeksionimin e veshjeve. Si rrjedhojë, artikujt e prodhuar në këtë ndërmarrje, sipas punonjësve, kanë një cilësi të lartë dhe kosto shumë më të ulët se produktet e blera së fundmi në Turqi nga Ministria e Mbrojtjes.
J. Tashi
13 Shkurt 2008