Gjendje kaotike në Ujësjellësin e Sarandës, Çipës i hiqet drejtimi i bordit
Sarandë- Në prag të sezonit turistik Këshilli i Bashkisë në Sarandë i ka hequr të drejtën e kryesimit të Bordit të aksionerëve të Ujësjellësit kreut të Bashkisë së Sarandës duke emëruar në këtë pozicion një person tjetër. Akti është shoqëruar me debate mes të dy palëve që kanë akuzuar njëra tjetrën për mungesë bashkëpunimi.
Ndërmarrja e Ujësjellësit në Sarandë rezulton me humbje të mëdha të mbartura ndër vite ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm për disa lagje është kritik gjatë gjithë vitit.
Menaxhimi i ndërmarrjes së Ujësjellësit në Sarandë mbetet ndër çështjet më problematike, çështje që ndikoi fuqishëm sezonin e kaluar dhe pritet të prekë edhe këtë sezon turistik për shkak të mungesë së investimeve në rrjet, ndërhyrjeve të paligjshme, mosshlyerjes së energjisë elektrike, ndotjes dhe sasisë së pamjaftueshme të ujit dhe gjendjes financiare në prag falimenti të kësaj ndërmarrjeje.
Gjendja kaotike është përkeqësuar edhe më tepër në prag të sezonit turistik kur shumica e këshilltarëve bashkiakë vendosën t’i heqin të drejtën e drejtimit të bordit të aksionerëve kreut të Bashkisë Stefan Çipa duke emëruar një tjetër person në këtë pozicion.
Çipa në një deklatarë për mediat ka theksuar se ky akt që pengon bashkinë si aksioneri kryesor me mbi 62% të aksioneve të ketë kontroll mbi ujësjellësin vetëm sa thellon krizën e ndërmarrjes dhe vë në diskutim furnizimin me ujë gjatë sezonit.
Ndërkaq kreu i këshillit bashkiak Ilir Nikolla tha se vendimi është marrë pas përpjekjeve të vazhdueshme sipas tij për bashkëpunim dhe si pasojë e ngërcit të krijuar mes bordit mbikqyrës dhe ndërmarrjes së ujësjellësit.
Qyteti i Sarandës vuan krizën e ujit të pijshëm ndërsa ndërmarrja gjendet në prag falimenti.
Saranda një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit në Shqipëri po e pret edhe këtë sezon turistik me një rrjet të shkatërruar të furnizimit me ujë të pijshëm, menaxhim kaotik të ndërmarrjes dhe me pamundësinë për të përballuar furnizimin në kohën e 5-fishimit të popullsisë.