E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: Pa LSI-në fituam dhe në ‘09, ikja normale

Deputeti i PD-së, Edi Paloka sheh më tepër shanse për fitoren e PD-së pas ikjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar. Ai thotë për “Gazeta Shqiptare” se në 2009-ën, LSI-ja nuk ishte në koalicion me PD-në, ndërsa tani për shumë arsye, shanset janë për një fitore më të madhe se në 2009-ën. Z.Paloka pohon se ikja e LSI-së nuk ishte e papritur, por duke e cilësuar si më normale daljen e vetme në zgjedhjet e 24 qershorit. I bindur në fitoren e PD-së, deputeti Paloka shprehet se askush nuk mendon të ndërrojë Sali Berishën me Edi Ramën më 23 qershor, ndërsa premtimet e kreut të PS-së i quan si një karamele për shqiptarët.
Z.Paloka, çfarë po bën ndryshe PD-ja për 23 qershor krahasuar me fushatat e mëparshme elektorale?
Fushata elektorale e PD-së siç mund ta keni ndjekur dhe ju, është një ndërthurje e disa vektorëve. Në njërën anë, vetë kryeministri nëpërmjet ‘town hall’-eve ka ndërmarrë një lëvizje ekstraordinare për të paraqitur idetë që ka PD-ja për vazhdimin e reformave, por çfarë është më e rëndësishme, për të dëgjuar direkt nga njerëzit idetë e tyre dhe për të përmirësuar programin tonë. Siç e keni ndjekur, besoj nga këto takime kanë dalë vërtet ide interesante, të cilat kryeministri i ka thithur për t’i reflektuar më pas si zgjidhje të problemeve, si pjesë të reformave që vazhdojnë.
Nga ana tjetër, strukturat e PD-së, të organizuara sipas një skeme që nuk është sekret të themi se i dha fitoren PD-së në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, janë vënë në lëvizje shumë më përpara dhe më me efikasitet se çdo herë tjetër. Qëllimi primar është kontaktimi direkt i çdo qytetari, së pari për të dëgjuar se çfarë ata kanë për të na thënë dhe njëkohësisht për t’i paraqitur vizionin tonë për mënyrën se si do të vazhdojmë të ecim përpara në këtë rrugë, që është e qartë se është rruga e duhur për këdo, por që sigurisht ka dhe probleme të cilave duhet e do t’iu japim zgjidhje gjatë mandatit të ardhshëm.
Cila është karta e fortë me të cilën demokratët garantojnë fitoren e mandatit të tretë?
Karta e fortë që ka PD-ja në këto zgjedhje mendoj se është besimi që ne kemi krijuar tek njerëzit. Besimi që shqiptarët kanë krijuar se Sali Berisha atë që premton e mban. Në tetë vjet, ne jo vetëm kemi realizuar çfarë ka qenë e rëndësishme për shqiptarët, por në shumë raste i kemi tejkaluar dhe ato që kemi premtuar. Kam dëgjuar dy herë Gramoz Ruçin të përpiqet t’u thotë shqiptarëve se PD-ja nuk i ka mbajtur premtimet e saj, duke përmendur pjesë të programit të PD-së. Po, është e vërtetë që ne nuk kemi ndërtuar një aeroport modern në jug të vendit, por kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë. Vërtet nuk u ndërtua stadiumi i ri (megjithëse qeveria edhe në këtë rast e bëri pjesën e saj), por kemi ndërtuar me qindra e mijëra ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore. Në një kohë kur Evropa, e mbërthyer nga kriza u detyrua të shkurtojë qindra mijë vende pune, të ulë rroga e pensione, ne shtuam mbi 200 mijë vende pune (që ishin më shumë sesa kishim premtuar), rritëm rrogat e pensionet, shtuam ndihmën sociale, dhe të gjitha këto, jo duke rritur taksat, përkundrazi.
Ja pse shqiptarët kanë besim. Ata e dinë që ne nuk dalim të bëjmë show dhe premtime absurde për t’u tallur me ta siç bën Rama, që mendon se, mjafton t’iu hedhësh disa premtime si karamele shqiptarëve dhe ata i hanë. Jo çdo gjë që PD-ja premton është e bazuar në studime konkrete, e detajuar dhe pa ekuivoke. Prandaj ne kemi besimin e shqiptarëve dhe kjo është karta më e fortë që ne kemi përballë kundërshtarëve.
Megjithatë, kryesocialisti Edi Rama premton ndryshimin, ndërkohë që PD-ja do të shkojë para shqiptarëve me sloganin “NE JEMI NDRYSHIMI – PËRPARA!”, por pas dy mandatesh qeverisjeje, çfarë do t’u premtojë e djathta shqiptarëve për një mandat të tretë qeverisës?
Dëgjoj shpesh “ideologë” të punësuar tek Rama që thonë se u dashka ndryshim, se tetë vjet në pushtet janë shumë etj., etj. Duke mos pasur asnjë argument tjetër për të mbrojtur idenë e ardhjes së Ramës në pushtet, i vetmi “argument” që përdorin është se “duhet ndryshim”. Ndryshim të kujt dhe për çfarë? Në një moment sinqeriteti, njëri prej këtyre “ideologëve” e “analistëve”, u shpreh i bindur që Rama do i bënte gjërat shumë keq, “por prapë duhet ndryshim”. Për fat të mirë shqiptarët nuk mendojnë si këta. Shqiptarët nuk e kanë luksin të ulen nëpër kafene apo në kolltuqet e studiove televizive me kostume firmato e të thonë “ore, po shumë monotone kjo jetë, pse të mos vijë ky Rama e ta ngatërrojë dhe një herë që të kemi me çfarë të merremi ne”. Shqiptarët e duan ndryshimin, por këtë ndryshim që iu ka sjellë PD-ja. Ndryshim të së keqes drejt së mirës. Kur erdhëm në pushtet, ne sollëm ndryshim, sepse zhdukëm bandat të cilat dukej se kishin marrë gjithë pushtetin në dorë. Ne sollëm ndryshim, sepse paratë që përfundonin në xhepat e pushtetarëve ua kthyem qytetarëve, në investime, rroga e pensione. Ne sollëm ndryshim, sepse duke i ulur taksat biznesit, iu krijuam mundësinë të fitonin më shumë dhe të krijonin vende pune për qytetarët. Ne sollëm ndryshim, sepse çliruam integrimin e vendit që ishte stopuar për tetë vjet, dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë kudo... E pra këto janë ndryshimet që duan shqiptaret e këto janë ndryshimet që me ne do të vazhdojnë gjithmonë përpara.
Po “ndryshimi” që premton Rama kush është? Për çfarë duhet ta kërkojnë Ramën shqiptarët? Që të vazhdojë hajdutërinë e bashkisë; që të rrisë taksat për biznesin e të nxjerrë njerëz pa punë; që të fyejë moralin e atyre që punojnë, siç bëri me infermieret e mësuesit... Shqiptarët nuk e kanë luksin e atyre që janë “mërzitur” dhe kërkojnë të hedhin në aventurë një vend e një popull, duke iu dhënë për kryeministër një qenie si Rama, krejtësisht të pazotin, të paditur në punët e shtetit dhe krejtësisht të papërgjegjshëm për çdo gjë që del jashtë interesit të tij personal.
Kanë të drejtë ata që mendojnë se 8 vitet në pushtet e kanë konsumuar PD-në?
Ideja e konsumimit nuk është reale përderisa ne kemi ende mjaft gjëra për t’iu dhënë shqiptarëve. Nëse bëhet fjalë për pakënaqësi që mund të krijohen e akumulohen në tetë vjet pushtet, kjo qëndron. E kam thënë dhe herë të tjera, me të drejtë apo pa të drejtë, disa qytetarë që mund të kenë pretendimet e tyre për diçka dhe ato pretendime mund të mos iu jenë plotësuar, mbeten të pakënaqur dhe kjo është e pashmangshme, edhe pse qeveria mund të mos ketë asnjë faj. Në këto raste duhet punuar më shumë me njerëzit, sidomos për të evidentuar ato raste kur qytetarëve mund t’u jetë bërë vërtet padrejtësi, për t’i ndrequr ato. Sidoqoftë, pavarësisht pakënaqësive personale që mund të ekzistojnë, unë mendoj që në fund shqiptarët dinë t’i peshojnë gjërat dhe të vlerësojnë siç duhet. Në një rast të tillë, unë nuk mendoj se do të ketë njeri që të kërkojë të ndërrojë PD-në dhe Berishën me partinë e Edvin Ramës.
A ishte i papritur largimi i LSI-së nga koalicioni?
Largimi i LSI-së nuk mund të quhet i papritur. LSI-ja është një parti e majtë dhe me PD-në pati një kontratë katërvjeçare për t’i dhënë qeverisje vendit, sigurisht duke ndjekur dhe interesat e saj. Pra duke qenë të pozicionuar në krahë të ndryshëm, nuk do të ishte e natyrshme që LSI-ja të dilte në një koalicion me PD-në.
Çfarë do të nënkuptonte një LSI e vetme në zgjedhje?
Ajo që dukej më normale ishte dalja më vete e LSI-së, pasi duhet pranuar që bashkimi me Ramën pas këtyre katër viteve ishte edhe më i panatyrshëm. Sidoqoftë, çdo parti zgjedh pozicionin e vet. Ai që humbet realisht nga e gjithë kjo është kryetari i PS-së, i cili nuk ka më asnjë mundësi apo argument qoftë edhe fals si deri tani, për të sulmuar e për të bërë opozitë.
Drejt cilave parti po tenton të krijojë aleanca të reja PD-ja?
PD-ja i ka aleancat e saj dhe praktikisht ka koalicionin më të gjerë, i cili siç e dini edhe është zgjeruar me parti që dikur kanë qenë në opozitë. Praktikisht sot në koalicionin tonë gjenden të gjitha partitë e qendrës së djathtë që kanë një peshë në elektoratin shqiptar.
E ka të vështirë PD-ja fitoren pa LSI-në?
Disa herë, edhe kur LSI-ja nuk kishte vendosur të bashkohej me PS-në, iu kemi thënë se PD-ja me koalicionin e saj, jo vetëm mund të fitojë zgjedhjet, por këtë herë me një shumicë domethënëse. Të mos harrojmë që dhe në 2009-ën LSI-ja nuk ishte në koalicion me PD-në, ndërsa tani për shumë arsye, shanset janë për një fitore më të madhe se në 2009-ën.
PD-ja, do të njohë çdo rezultat zgjedhjesh që do të dalë nga 23 qershori?
Në fakt është PD-ja që prej kohësh i kërkon, jo vetëm Edvin Ramës por dhe ndërkombëtarëve, që të ndikojnë tek ai për njohjen e rezultatit pas zgjedhjeve. Deri më sot Rama nuk ka njohur asnjë humbje, megjithëse ato i ka pasur të njëpasnjëshme. Sigurisht që për ne nuk do të ishte një problem nëse Rama ato qëndrime do t’i përdorte vetëm brenda partisë së tij për të justifikuar dështimet dhe për të vazhduar të qëndrojë në drejtimin e PS-së. Problemi është se, në funksion të atij qëllimi, Rama gjatë gjithë kësaj kohe ka destabilizuar e dëmtuar rëndë interesat e vendit. Sot po vërtetohet gjithnjë e më shumë, si nga qëndrimet, ashtu dhe nga deklarimet direkte të tij, se gjithçka ai ka bërë ka qenë “luftë politike” e ngritur mbi justifikime e arsye false, por që në fakt i kanë sjellë vendit bllokimin e integrimit dhe katër të vdekur në protestat false të Edvin Ramës. Për këto arsye, ne i kërkojmë që të pranojë humbjen e radhës e të mos vazhdojë avazin që ka nisur. Ka mëse një vit që Rama nxjerr herë pas here justifikime për gjoja manipulimet që do i bëjë Berisha dhe këtë herë, duke dashur të përgatisë ndjekësit e tij për pas 23 qershorit. Ai mund ta mbajë partinë e tij, aq më tepër që sot në PS nuk ka më socialistë, por vetëm zarat që Rama ka futur vetë në atë parti e pra që nuk rrezikojnë t’ia marrin. Prandaj është mirë që këtë herë të njohë humbjen e të mos u shkaktojë më probleme artificiale shqiptarëve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›