E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbledh ministrat për ngritjen e Fondit të Zhvillimit Rajonal



Kryeministri Berisha ka mbledhur dje ministra dhe zëvendësministra, me të cilët ka diskutuar për ngritjen sa më parë të Fondit të Zhvillimit Rajonal. Kjo strukturë do të synojë realizimin e reformës së zhvillimit rajonal duke synuar zhvillimin e balancuar të qarqeve të vendit, nxitjen e fuqive investuese dhe përgatitjen për procesin e integrimit. Fondi i Zhvillimit Rajonal do të jetë një strukturë që synon konsolidimin më tej të pushtetit të autoriteteve vendore dhe nxitjen e zhvillimin e fuqive të tyre investuese.
“E thirra këtë mbledhje për t’i dhënë formën përfundimtare Fondit të Zhvillimit Rajonal, me të cilin ne kemi si qëllim madhor nxitjen e zhvillimit të balancuar të qarqeve të vendit, përgatitjen e tyre për procesin e integrimit europian, aftësimin e tyre gradual, në mënyrë që ata, në një të ardhme jo të largët, të jenë të gatshëm të negociojnë direkt me strukturat ndërkombëtare”, - u shpreh kryeministri. Fondi i Zhvillimit Rajonal do të përfshijë të gjitha investimet që zhvillohen në territorin e çdo rajoni të vendit, përveç investimeve në rrugët e mëdha të vendit, si dhe infrastrukturave të mëdha kombëtare, si ujësjellësit e mëdhenj etj. Kryeministri Berisha u shpreh se të gjitha investimet e tjera, pa përjashtim, do të zhvillohen në territorin e çdo rajoni, si investimet në rrugët rurale, dytësore, investimet që jepen për bujqësinë e atij qarku, për ujësjellësit, shkollat, qendrat shëndetësore etj. Kryeministri Berisha siguroi se ky institucion do të jetë një rikonceptim, në të cilin qeveria qendrore përcakton disa kufizime të qarta për veten e vet dhe që konsolidon më tej pushtetin e autoriteteve vendore dhe nxit zhvillimin e fuqive të tyre investuese. Kryeministri shprehu besimin se, përmes këtij Fondi, do të realizohet një planifikim shumë më i mirë, më i balancuar dhe më i ekuilibruar i investimeve dhe bëhet një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave. “Fondi i Zhvillimit Rajonal nuk është një institucion shtetëror në vetvete, por përbën një mekanizëm të decentralizimit, mekanizëm nxitjeje dhe shpërndarjeje më të drejtë të fondeve”, - u shpreh Berisha.

Raporterët e KE-së takojnë Topallin, interesohen për bojkotin e opozitës

Bojkoti i opozitës ka qenë në qendër të interesimit të raporterëve të Këshillit të Europës, David Wilshire dhe Jaakko Laakso gjatë takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Me këtë rast Topalli ka nënvizuar edhe njëherë ftesën, që në mënyrë të përsëritur u ka drejtuar deputetëve të opozitës që të vijnë e të zënë vendet e tyre në Parlament, pasi kjo është shumë e rëndësishme për vendin. Ajo ka theksuar gjatë fjalës së saj se “Parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit”. Kryetarja e Kuvendit dhe raporterët e Këshillit të Europës biseduan mbi bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe intensifikimin e shkëmbimit të përvojës mes delegacioneve, por edhe për mbështetjen e KE-së në rritjen e kapaciteteve administrative. Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ajo vlerësoi raportin e Këshillit të Europës, i cili thekson se “procesi zgjedhor në 93 për qind të qendrave të votimin u vlerësua mirë dhe shumë mirë” dhe se “zgjedhjet parlamentare në Shqipëri shënuan një progres të dukshëm”. Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje, edhe sipas raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, u certifikuan si "zgjedhje që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së", duke shprehur kënaqësinë se këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të mirat që Shqipëria ka pasur, duke përmbushur kështu synimin për plotësimin e standardeve. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që për herë të parë sistemi zgjedhor dhe Kodi i propozuar nga opozita u votuan shumë kohë përpara zgjedhjeve dhe po ashtu, ndërtimi i Komisionit Qendror u votua me konsensus në Parlament. Ajo tha se komisionerët e majtë e të djathtë, si asnjëherë më parë, firmosën në procesverbalet e zgjedhjeve dhe nuk pati as edhe një provë për deformim rezultati. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi në unanimitet rezultatin përfundimtar. Për herë parë u realizua Regjistri Kombëtar dhe lista elektronike e zgjedhësve. Për herë të parë zgjedhësit shqiptarë patën mundësi të pajiseshin me kartat e identitetit dhe për herë të parë transparenca në numërimin e votave ishte maksimale”, - është shprehur Topalli.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›