Procesi, Gjykata thërret si dëshmitar ish-SHIK-asin që pa për herë të fundit Remzi Hoxhën
Laureta Rryçi
Seanca e radhës për zhdukjen e Remzi Hoxhës edhe ditën e djeshme nuk vijoi normalisht. Shkak mësohet se është bërë mungesa e një prej dëshmitarëve kyç në këtë ngjarje, si dhe pyetjet e hartuara nga prokurori i çështjes për Avdyl Loshajn. Seanca nisi fillimisht me diskutimin e pyetjeve të Prokurorisë, që do t’i drejtoheshin me letër-porosi një prej të rrëmbyerve, Loshajt, që ndodhet jashtë vendit. Një prej avokatëve nxori pretendimin se duheshin riparë pyetjet, pasi ishin shumë sugjestionuese. Trupi gjykues e mirëpriti këtë pretendim dhe më pas seanca vijoi me thirrjen e dëshmitarëve. Personi që pritet të dëshmojë seancën e ardhshme është një ish-punonjës i SHIK-ut, i cili, sipas Prokurorisë, ka qenë personi i fundit që ka parë Remzi Hoxhën.
Pyetjet
Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, do ta shohë edhe njëherë listën e pyetjeve për dëshmitarin Avdyl Loshaj. Ky i fundit pritet të rrëfejë gjithçka që di për ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë në Tiranë. Për pyetjen e tij kanë përgatitur pyetje edhe avokatët, pyetje të cilat u pranuan nga gjykata për t’iu bashkangjitur letër-porosisë. Një seancë më parë procesi gjyqësori vijoi me deklaratat e avokatëve se kishin përgatitur pyetjet për Abdyl Loshajn. Ata lexuan disa nga pyetjet që donin t’i bëheshin Loshajt në emër të klientëve që përfaqësojnë në sallën e gjyqit. Të pandehurit i kërkonin Loshajt të deklaronte para drejtësisë kur kishte dëgjuar për emrin e tyre dhe a ishte takuar ndonjëherë me ta.
Dosja
Procesi gjyqësor ndaj Kumbaros dhe të pandehurve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, ka nisur prej afro dy vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para Gjykatës kanë dëshmuar mjaft dëshmitarë, të cilët kanë sjellë fakte mjaft të rëndësishme për zbardhjen e çështjes. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 në Tiranë dhe prej atëherë nuk u mësua asgjë rreth fatit të tij. Ai dyshohet të jetë torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë akuzohen dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të dy të mbijetuar.
Përmbyset kamioni, vdes babai i dy fëmijëve
SKRAPAR - Aksident me vdekje dhe të plagosur në Skrapar. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur një mjet tip kamion, i cili transportonte pllaka guri, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur “Bari i butë” në fshatin Novaj të Skraparit, duke rënë disa metra në greminë, duke i shkaktuar vdekjen 42-vjeçarit Agron Spahiu, plagosjen e Lirim Bazes dhe drejtuesit të mjetit, Ilir Camo. "Rruga supermalore dhe e pashtruar, e klasifikuar si e kategorisë së 7-të, duke shtuar këtu edhe pakujdesinë në drejtimin e mjetit janë bërë shkak për aksidentin e rëndë", thanë burimet policore. Ende nuk është e qartë nëse vdekja e 42-vjeçarit ka ardhur si pasojë e zënies poshtë nga kamioni, apo nga pllakat e gurit, të cilat kanë lëvizur gjatë përmbysjes së tij. Dy të plagosurit e tjerë janë dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm.
4 Nentor 2009