E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani raporton për reformat para raporterëve të KE-së



Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, priti dje në një takim pune raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë, të cilët po kryejnë një vizitë mbi realizimet e angazhimeve dhe detyrimeve të vendit tonë. Sipas njoftimit zyrtar, Nishani i njohu raporterët mbi hapat e ndërmarrë në kuadër të reformës në Drejtësi me miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në vend, si dhe hapat që po hedh Ministria e Drejtësisë për të plotësuar rekomandimet e dala nga Progres-Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë. “Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka hartuar një draft mbi strategjinë e reformës në Drejtësi, i cili ka nevojë për përmirësim, si dhe të diskutohet me grupet e tjera të interesit”, - tha Nishani. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, ministri Nishani i njoftoi raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për hartimin dhe miratimin e afërt në Parlament të ligjit antimafia, i cili është rindërtuar për shkak të disa problemeve që janë hasur në sekuestrimin e pronave të vëna në rrugë të jashtëligjshme, pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë. Ky ligj, sipas ministrit, i bërë edhe me asistencën e misioneve ndërkombëtare, synon të ndajë hetimin penal nga hetimi mbi pasurinë. Ndërsa në kuadër të nismave anti-korrupsion të qeverisë shqiptare, ministri Nishani i informoi raporterët e AP të Këshillit të Europës mbi objektivat e tij për thjeshtimin e procedurave administrative dhe dixhitalizimin e shërbimeve që ofrohen nga institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Grabitet Instituti Biblik Shqiptar, nuk dihen autorët
Durrës - Në orët e para të mëngjesit të djeshëm është konstatuar një vjedhje e zyrave të Institutit Biblik Shqiptar, të cilat gjenden në qytetin e Durrësit. Burimet policore konfirmuan për mediat se nga veprimet e para hetimore rezultoi se autorët kanë hyrë në mjediset e brendshme të këtyre zyrave përmes dritares, duke shqyer pjesën e hekurt të saj dhe më pas janë futur në zyrën e drejtorit, ku ndodhej edhe kasaforta me paratë. Mësohet se pas shqyerjes së saj është marrë një sasi prej 200 000 lekësh dhe 110 euro. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, amerikani 48-vjeçar Tames Brodlei, me detyrë drejtor i këtij instituti, tha se vjedhjen e lekëve e ka konstatuar sot rreth orës 06:00 kur ka hapur zyrën. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal.

Policia zbulon banesën ku fshihej lëndë narkotike

Gjirokastër - Forcat e Policisë së Gjirokastrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë konfirmuar sesi në një banesë të këtij qyteti kishte të fshehur vërtet lëndë narkotike. Sipas policisë, bëhet fjalë për banesën e marrë me qira nga 23-vjeçari Enver Rabushja, lindur në Cërrik dhe banues i këtij qyteti. Sipas të dhënave policore, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 100 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë. Lënda narkotike ishte fshehur poshtë krevatit të tij dhe personit me të cilin jetonte, Denis Bajrami, ku këtij të fundit iu gjetën disa gramë të tjera drogë në xhep. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale e hetimore, si edhe u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale, shoqëruar me arrestimin në flagrancë të dy personave të lartpërmendur për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›