Ilir Meta takon Ina Ramën, “ngrohen” marrëdhëniet qeveri-Prokurori
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka shënuar një kthesë të marrëdhënieve midis qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë ditës së djeshme, zëvendëskryeministri ka zhvilluar një takim që ka zgjatur gati 1 orë në zyrën e prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Ai është shprehur se në qendër të këtij takimi ka qenë koordinimi i punës së institucioneve të pavarura në kuadër të proceseve integruese të vendit. Por ky takim midis numrit dy të qeverisë dhe kryeprokurores është i pari takim i këtij niveli dhe që shënon një përmirësim të marrëdhënieve midis këtyre dy pushteteve. Prokuroria e Përgjithshme, gjatë katër viteve të kaluara, ka qenë në qendër të sulmeve të Ekzekutivit, ndërsa tani kryetari i LSI-së po përpiqet të ndryshojë marrëdhëniet midis qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Takimi
Në takimin që ka zgjatur rreth një orë në zyrën e kryeprokurores, dy drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore kanë biseduar rreth detyrimeve që rrjedhin për Shqipërinë nga Progres-Raporti i fundit i KE-së. Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pas takimit me Ramën, ka bërë të ditur se qëllimi i këtij takimi ka qenë bashkërendimi i punës mes institucioneve të pavarura, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë.
“Ka qenë thjesht një takim pune me prokuroren e Përgjithshme, znj. Rama, në kuadër të koordinimit tonë me gjithë institucionet e pavarura për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe në përgjithësi për procesin e integrimit europian. Ka qenë një takim shumë i frytshëm dhe bashkëpunues”, - është shprehur zëvendëskryeministri Meta. I pyetur nga mediat nëse ky takim mund të konsiderohet si një “ngrohje” e marrëdhënieve mes Ekzekutivit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, Meta është shprehur se takimi është në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha institucionet e pavarura. “Ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Prokurorinë dhe me të gjitha institucionet e tjera të pavarura, pasi shteti është një, pavarësisht nga funksionet e ndryshme. Ne të gjithë duhet të bashkërendojmë punën për të zbatuar ligjin me forcë, me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe arritjen e standardeve europiane”, - është shprehur ministri i Punëve të Jashtme. Ndërsa përsa i takon çështjes së imunitetit të deputetëve, Meta ka përsëritur dhe njëherë angazhimin e maxhorancës qeverisëse për të miratuar heqjen e imunitetit të cilitdo deputet në rast se kjo kërkohet nga Prokuroria. Meta gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të vijë në Parlament në mënyrë që të miratohet heqja e imunitetit të deputetëve dhe t’i hapet rroga procedimit penal ndaj tyre. “Gjatë takimit me znj. Rama kemi folur për koordinimin e përbashkët për përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave dhe në përgjithësi për procesin e integrimit europian. Përsa i përket çështjes së imuniteteve, mendoj se përgjigjja është dhënë me kohë. Sa herë që Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit për cilindo deputet, do të ketë votën time dhe besoj se do të ketë votën e të gjithëve në Parlament. Dhe së dyti, për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e imuniteteve, ne e ftojmë opozitën të hyjë në Parlament dhe të votojë për kufizimin e imuniteteve”, - është shprehur zëvendëskryeministri Meta.
4 Nentor 2009