Gjeneral Hoxha: Mediun e lajmërova për Gërdecin
TIRANË- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha “rrëfehet” në prokurori. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës pohuan dje për “Shekullin” se një grup prokurorësh kanë shkuar dje në zyrën e Hoxhës, për të marrë deklarimin e tij, rreth orës 10.00 të paradites. Prokurori ushtarak, Petrit Bici, bashkë me oficerin e policisë gjyqësore kanë mbërritur në zyrën e gjeneralit Hoxha me procesverbalet boshe dhe urdhrat e sekuestrimi të dokumenteve që ai zotëronte në lidhje me këtë çështje. Sipas këtyre burimeve mësohet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hoxha ka dhënë dëshminë me cilësinë e deklaruesit të lirë dhe personit që ka dijeni për çështjen, për të cilën prokuroria ka filluar hetimet.
***
Gjerenal Hoxha ka pohuar dje për prokurorinë se një urdhër i ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ia ka hequr institucionit që ai drejton kompetencat e mbikëqyrjes së kontratës për fabrikën e Gërdecit, duke ia kaluar ato kompanisë MEICO. “Me urdhrin e lëshuar nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu për ndryshimin e strukturës së Ministrisë, ku i kalon disa nga kompetencat e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Komandantit të Forcave të Bashkuara, unë nuk kam pasur më të drejtën e mbikëqyrjes së zbatimit të kontratave që nënshkruan MEICO, për çmontimin e municioneve nga firma e kontraktuara. Këto kompetenca më janë hequr, edhe pse kam kundërshtuar, por nuk ka ndryshuar asgjë edhe pas kundërshtimit tim. Pas këtij urdhri të ministrit Mediu, unë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura kam pasur vetëm të drejtën e lëvizjes dhe transportimit të municioneve që më kërkohej nga Komandanti i Forcave të Bashkuara, për llogari të MEICO-s”,-ka thënë dje për prokurorinë Luan Hoxha.
***
Në dëshminë e tij ai ka shtuar se për të gjitha këto lëvizje të municioneve në drejtim të fshatit Gërdec ka lajmëruar me shkrim ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Me anë të këtyre shkresave e kam vënë në dijeni që një sasi e konsiderueshme e municioneve që ndodhej në depot e ushtrisë po përfundon në fabrikën e çmontimit në fshatin Gërdec, ku firma kishte ngritur këtë fabrikë dhe për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kësaj kontrate ministri kishte ngarkuar kompaninë MEICO, me drejtor Ylli Pinari”-thuhet ndër të tjera nga deklarimi i gjeneral-lejtnant Luan Hoxhës. Sipas këtyre burimeve mësohet gjithashtu se Hoxha ka deklaruar se ky urdhër ka anashkaluar Shtabin e Përgjithshëm. Ndërkohë, burimet shtuan se gjatë deklarimit të tij, gjeneral Hoxha ka treguar edhe kundërshtimin e tij për të qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të çmimeve për lidhjen e kësaj kontrate të çmontimit mes MEICO-s dhe kompanisë së Delijorgjit. Sipas tij, fillimisht në kontratën e parë është vendosur që reparti i Gërdecit, i kthyer më pas në fabrikë demontimi të mbikqyrej nga ushtria, ndërsa në kontratën e dytë, kjo ruajtje fizike e lëndëve plasëse i ka kaluar në përgjegjësi kompanisë MEICO, e cila ka kontraktuar një kompani private të sigurimeve fizike. Mësohet nga burimet pranë grupit hetimor se gjatë këtyre hetimeve një javore janë konstatuar një sërë shkeljesh, ku përveç shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse, është konstatuar se edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave është i paligjshëm, pasi e paracakton firmën fituese të tenderit të çmontimit të këtyre municioneve.