Prokurorët mbërrijnë në krater për dokumente
TIRANË- Grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës, një javë pas tragjedisë së Gërdecit i afrohet kraterit të shpërthimit, duke gërmuar në kërkim të ndonjë prove të mbetur nga fabrika e çmontimit të municioneve. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan për “Shekulli”-n se mëngjesin e ditës së djeshme, prokurori Arben Dollapi bashkë me dy oficerët e policisë gjyqësore të këtij institucioni kanë shkuar në ish-repartin e ushtrisë, ku vetëm pak ditë më parë punonin fëmijë, gra e burra në demontimin e këtyre municioneve në kushte tmerrësisht të këqija të sigurisë fizike. “Që nga dita e shpërthimit, prokurorët kanë tentuar t’i afrohen kraterit, por ka qenë e pamundur për shkak të kushteve të këqija dhe rrezikut për jetën nga predhat dhe municionet e shpërndara gjithandej. Edhe gjatë ditës së djeshme, pas pastrimit të një territori të caktuar nga ushtria, prokurori Arben Dollapi dhe dy oficerët e tij kanë shkuar në vendin e shpërthimit që mori jetën e 21 personave. Për disa orë, ata kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë gërmuar për të gjetur ndonjë dokument në rrënojat e fabrikës”-thuhet nga burimet e akuzës. Grupi i prokurorisë ka konstatuar se pranë vendit të shpërthimit ka ende predha të pashpërthyera dhe që përbëjnë rrezik për banorët. “Me ndihmën edhe të ushtarëve të xhenios kemi gërmuar në sipërfaqe, në disa vende ku kemi gjetur disa dokumente të fabrikës, të mbuluara me dhe e të djegura në vende të ndryshme por që janë të vlefshme për hetimin”-thuhet nga grupi hetimor. Po punohet për pastrimin e tyre që mund të të dërgojë në zbardhjen e ndonjë piste të re të hetimit”,-pohojnë burime nga prokuroria. Mësohet se fabrika nuk kishte kasafortë të çeliktë për të ruajtur dokumentet dhe shumica e tyre janë djegur ose mbuluar poshtë rrënojave. “Është shumë e vështirë për të kërkuar prova në vendin ku ka qenë fabrika pasi ekziston akoma rreziku i ndonjë shpërthimi të ndonjë predhe të fshehur poshtë rrënojave”,-thanë burimet. Aty rreth orës 15:00 të pasdites, grupi i prokurorëve është kthyer në zyrë, pasi shiu e ka bërë të vështirë vazhdimin e kërkimeve për ndonjë provë tjetër në vendngjarje.