Rama viziton familjen Durda: Tragjedia e Gërdecit nuk mbyllet me një pazar të korruptuarish
Kreu i PS-së, Edi Rama, në katër vjetorin e tragjedisë së Gërdecit ka vizituar familjen Durda, që humbi djalin e vogël, Edisonin, në këtë ngjarje. Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se kjo ngjarje nuk mund të mbyllet me një pazar të korruptuarish.
Vendimi i gjykatës për ngjarjen tragjike të 4 viteve më parë ishte një poshtërim. Në Shqipëri drejtësia jepet sipas mundësisë për ta blerë. Tragjedia e Gërdecit është një plagë që nuk mbyllet me një farsë gjyqësore. Tragjedia e Gërdecit nuk mbyllet me një pazar të korruptuarish, ka thënë Rama gjatë vizitës së tij në familjen Durda.
Familjarët e viktimave ndërkohë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule në vendin e shpërthimit në këtë katër vjetor. Sipas tyre, për Gërdecin nuk është bërë ende drejtësi.
Mungesa e drejtësisë na e shton akoma më shumë dhimbjen, është shprehur Zamira Durda, nëna e Edisonit, e cila është bërë edhe simboli i kërkesës për drejtësi për Gërdecin.
Në homazhe kanë marrë pjesë edhe deputetë socialistë, si Sajmir Tahiri, Namik Dokle dhe Arta Dade.