Gjeneralët, PS: Imami shkeli ligjin

Arben Imami
Komisioni i Sigurisë debatoi dje për paraqitjen e raportit të opozitës për shkarkimin e tre ushtarakëve.
PD: Raporti ndërhyn në vendimin e gjykatës, Parlamenti të heshtë.
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare është përfshirë dje në debate të ashpra lidhur me raportet e hetimit të deputetëve Piro Lutaj dhe Luan Skuqi, për shkarkimin e tre gjeneralëve nga ministri Arben Imami.
Në fillim të mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, ka kërkuar nga kolegët që të shtyjnë paraqitjen e raportit, për shkak se çështja e shkarkimit të gjeneralëve Arjan Zaimi, Vladimir Qirjazi dhe Kudret Çela, është një çështje në proces gjyqësor. Si e tillë, për anëtarin e Komisionit të Sigurisë, paraqitja e zbulimeve të deputetëve do të ndërhynte në vendimin përfundimtar të gjykatës. Në argumentimin e tij, deputeti Fatos Hoxha ka saktësuar se Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa vendime, sipas të cilave ndalohet ndërhyrja e Parlamentit në çështjet që janë në proces gjyqësor. Por, nga socialistët kërkesa e deputeti Hoxha u quajt si një pretekst për të shtyrë mbledhjen. Ky është një provokim që i behët komisionit, pa asnjë lloj sensi, politik apo juridik, dhe qëndrimi juaj është i papranueshëm. Nuk ka asnjë arsye për ne si komision që ta shtyjmë këtë proces, pasi kemi rënë dakord që të ngremë një grup pune, pavarësisht proceseve gjyqësore, që nuk ka për objektiv për të vendosur drejtësi, apo për të hequr drejtësi, sepse nuk është në tagrin tonë. Ne kryejmë vetëm funksionet tona mbikëqyrëse, dhe ju e dini shumë mirë që nëse konstatojmë shkelje, ne i drejtohemi Prokurorisë ose Gjyqësorit, theksoi deputeti Gjoni. Pas debateve midis anëtarëve dhe konsultimeve me Drejtorinë Juridike të Kuvendit, mbledhja është shtyrë për ditën e hënë dhe deputetët Lutaj dhe Skuqi nuk kanë mundur ti referojnë raportet e hyre.
Raporti i PS
Deputeti PS-së, Piro Lutaj, ka analizuar praktikën e ndjekur nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për shkarkimin e gjeneralëve Kudret Çela, Arjan Zaimi e Vladimir Qirjazi, dhe në raportin e tij thekson se shkarkimi dhe nxjerrja në rezervë është kryer në mënyrë të jashtëligjshme. Në raportin e Lutajt evidentohen edhe arsyet që ka përdorur Imami, që sipas tij i janë fshehur Komisionit të Sigurisë. Veprimet e Ministrisë së Mbrojtjes ndaj këtyre ushtarakeve, sipas gjykimit tonë, janë antiligjore, të bëra në mungese të plotë të transparencës, të paragjykuara dhe me synime të qarta cenimin e funksionimit normal të karrierës së ushtarakëve të FA-së së RSH, dhe jo vetëm të tre gjeneralëve në fjalë, thuhet në raportin e Lutajt. Deputeti ka zbardhur tri arsyet e përdorura nga ministri Imami për largimin nga detyra të gjeneralëve, me dekretin e Presidentit. Sipas raportit, largimi i tyre kërkohej për nevojën e ripërtëritjes të trupës së oficerëve me grada madhore, gjeneralët ishin bërë bërë pengese për zhvillimin normal të karrierës së ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura dhe dy prej gjeneralëve kryenin detyra të cilat janë në kundërshtim me përcaktimet e ligjit. Por, sipas socialistëve, avancimi në detyrë dhe rritja në gradë nuk mund të bëhej nga vetë gjeneralët, gjithashtu largimi nga detyra është bërë para afatit prej tre vjetësh.
Raporti i PS për gjeneralët
Gjatë shqyrtimit të ankimeve drejtuar Komisionit të Sigurisë prej gjeneral major Arian Zaimi, gjeneral brigade Vladimir Qiriazi dhe kundëradmiral Kudret Çela, me kohëqëndrim në FA, respektivisht 30, 28 dhe 29 vjet, rezulton së asnjeri prej tyre nuk e ka plotësuar kohën e qëndrimit në FA, sipas afateve ligjore prej 33 dhe 35 vjetësh.
Argumenti i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes në relacionin dërguar Presidentit të Republikës, se mospërparimi në gradë i gjeneralëve është bërë pengesë për zhvillimin normal të karrierës së ushtarakëve të tjerë në FA, nuk qëndron.
Në fakt, është vetë MM, e cila, me qëndrimet e veta antiligjore (rastet e shpjeguara më lart), dhe politikat jo të drejta e klienteliste me personelin në radhët e FA-së ka penguar ecurinë në gradë dhe karrierë të oficerëve të Ushtrisë Shqiptare.
Propozimi i ministrit të Mbrojtjes, drejtuar Presidentit të Republikës për shkarkimin e gjeneralëve dhe nxjerrjen në rezervë të tyre, vjen në kundërshtim të hapur me nenet 10, 11, 15, 21, 24 dhe 32 të ligjit nr 9171, datë 22.01.2004, Për gradat dhe karrierën ushtarake në FA të RSH.
Për sa më sipër, jemi të mendimit se ministri i Mbrojtjes në propozimin që i ka bërë Presidentit të Republikës për shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë të gjeneralëve ka shkelur ligjet themelore të funksionimit të Forcave të Armatosura, ndaj dhe shkarkimi i tyre është i paligjshëm.
Arben Imami
Shkarkimi dhe nxjerrja në rezervë e tre gjeneralëve nga Forcat e Armatosura nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, është kryer për shkak të mosavancimit të tyre në gradën pasuese dhe mbushjes së afatit prej tri vitesh në këtë funksion. Në relacionin e shkarkimit të gjeneralëve, thuhet: Qëndrimi i ushtarakëve Qirjazi, Çela dhe Zaimi, në gradë dhe detyrë, edhe pse kanë kaluar kohën minimale prej tre vjetësh të qëndrimit në atë gradë dhe nuk kanë përparuar në një gradë më të lartë, është bërë pengesë për zhvillimin normal të karrierës së ushtarakëve oficerë në Forcat e Armatosura të Republikës. Me këtë argumentim, ministri ka kërkuar prej Presidentit nxjerrjen në rezervë të ushtarakëve.
Lutaj: Imami fshehu të vërtetën
Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, e ka cilësuar dje si absurd qëndrimin e maxhorancës për të moslejuar prezantimin në Komisionin e Sigurisë të shkeljeve ligjore të ministrit Arben Imami në largimin nga detyra të tre gjeneralëve. Mandatimi që na ka bërë komisioni nuk ka të bëjë me vendimin përfundimtar nëse ata gjeneralë do të jenë apo jo në Ushtri, por për zbardhjen e procedurës së ndjekur për shkarkimin e tyre. Nga materialet që disponojmë nuk është arsyeja reale ajo që është bërë publike për shkarkimin e gjeneralëve, për tej qëndrimi në gradë apo mosavancimi. Nuk është detyrë e gjeneralëve të avancojnë apo të vetëgradohen, por janë arsye që i janë fshehur komisionit, deklaroi Lutaj.
FATION BINJAKU