Homazhe për Klosin, Bumçi: Aktivist i palodhur e zë intelektual
Aktivist i palodhur dhe humbje të një prej zërave intelektualë, kështu e ka vlerësuar figurën e përkthyesit, publicistit e shkrimtarit, Ardian Klosi të ndarë nga jeta dy ditë më parë, ministri i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci në përfundim të homazheve në Bibliotekën Kombëtare.
Vlerësime të larta ka marrë dhe nga kreu PDS-së, Paskal Milo, duke e konsideruar humbje të një vlere të madhe shpirtërore.
“Jam këtu për të shprehur atë dhimbje intelektuale për humbjen e një vlere të shquar kombëtare. Nga kjo botë ikin mjaft njerëz të cilët nuk i manifestojnë vlerat e tyre të vërteta, sepse janë njerëz të thjeshtë, që kërkojnë të rrojnë në botën e tyre shpirtërore dhe intelektuale që kanë. Dhe Ardiani ishte një vlerë e madhe shpirtërore, pa patur ambicien që të ekspozonte këto vlera. Ai do të rrojë në kujtesën tonë si një nga korifejtë e intelektualizmit shqiptarë.”- tha Milo.
I pranishëm në homazhe, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama e konsideroi humbjen e Klosit si humbje të një njeriu me dimensione të mëdha.
“Është një humbje e rëndë dhe e pazëvendësueshme për familjen dhe tërë opinionin. Humbja e një njeriu me dimensione të spikatura. Nderim dhe mirënjohje për gjithshka që ka bërë , sidomos në letrat shqipe. Të gjithë kemi se cfarë të gjejmë si referencë të vlerave në gjithë veprimtarinë e Klosit, për ta ruajtur si shembullin e qytetarit të vendit.”
Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Remzi Lani, Klosi ishte një përkthyes i jashtëzakonshëm, publicist , një mendje e lirë dhe e hapur.
Ndërkaq kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama njohur edhe si një nga miqtë më të afërt të Klosit, po qëndron në ambientet e Bibliotekës Kombëtare që prej fillimit të homazheve, duke pritur dhe përcjellë miq, të afërm dhe kolegë të të ndjerit Ardian Klosi, për ta përcjellur drejt banesës së fundit rreth orës 14:00, në varrezat publike të Sharrës .
Ai u vetëvar në banesën e tij në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë mbrëmjen e 26 prillit.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka nisur një hetim procedurial për vetëvarjen e Ardian Klosit, ndërsa e shoqja e tij, shtetasja gjermane Jutta Benzenberg, i ka dhënë policisë një mesazh telefonik që ka marrë nga i shoqi pak çaste para vetëvrasjes.