“Gjenerali” i pastruar nga ideologjitë, në skenë
Alma Mile
Pas 32 vitesh kthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por jo më me titullin e “maskuar” “Tokë e pamposhtur”, por me atë origjinal, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Bazuar mbi romanin e Kadaresë, muzikë të Nikolla Zoraqit e koreografi të Agron Alisë, vepra vjen në një version modern. Maestro Zhani Ciko, i cili është marrë me redaktimin e veprës, tregon për kohën e vështirë kur u shkrua, diskutimet mbi romanin e Kadaresë, “kamuflimet” nga ana e autorëve dhe për variantin e ri, që vjen pas disa ditësh në skenën e TOB-it
Baleti “Gjenerali” konsiderohet si sfida e sezonit, përse?
Çdo titull që vihet në skenë përmban surprizën dhe sfidën e vet, aq më tepër kur ato janë vepra kombëtare, që vijnë nga një kohë dhe me një ngarkesë të caktuar. Në këtë rast kemi zgjedhur një nga titujt më të mëdhenj të letërsisë kombëtare dhe që bën pjesë dhe në trashëgiminë botërore, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, e para vepër që brenda kështjellës së izolimit, mundi të çajë, të afirmohet, ndonëse një vepër e rinisë së autorit. Mbi një trinom si Kadare, Nikolla Zoraqi dhe koreografi Agron Aliaj, kemi një krijim, që duhet të zërë vendin e merituar në antologjinë e muzikës skenike shqiptare.
Sa e vështirë është të sjellësh një roman, si ai i Kadaresë, në një variant të muzikuar dhe koreografik?
Janë bërë shumë teorizime mbi trajtimin e veprave të kësaj periudhe. Çdo rimarrje e veprave letrare, ka rreziqet e veta, sepse së pari është përballja me idetë e autorit, vështirësitë e transplantimit të tyre në gjini të tjera të artit dhe kjo ka bërë që ato të jenë të diskutueshme. “Gjenerali” në vetvete ka qenë një temë shumë intriguese për krijuesit e kohës, mbi të cilën ka pasur disa tentativa të suksesshme, apo të dështuara. Ishte një sfidë në fushën letrare, ndaj kanoneve të realizimit socialist, që nuk ngjalli thjesht diskutime, por e tronditi botën tonë letrare.
Cila është atmosfera kur u shkrua “Gjenerali”?
Personalisht ruaj disa kujtime nga diskutimet e ndryshme, që u bënë në atë kohë, zyrtare e jo, në lidhje me pranimin dhe mospranimin e veprës. U shpalosën portrete intelektualësh të formuar e të guximshëm, të cilët e mbrojtën dhe e analizuan në të gjitha parametrat e saj. I famshëm ka qenë diskutimi i Skënder Luarasit në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ai e mbrojti autorin në të atë masë saqë ajo u bë edhe bazë e ndëshkimit të tij, e përjashtimit të radhës nga LSHA. Koha kur është shkruar vepra ishte pas Plenumit të IV-të dhe kishte një stepje të forcave krijuese e ishte kuptuar tashmë se edhe mendimet më të vogla, që dilnin nga hullia e praktikës zyrtare të partisë ishte e dënueshme në maksimum, kështu që kuptoj guximin e autorëve, për t’ju qasur një vepre, që ishte në vetvete e diskutueshme.
Ju thatë që vetë vepra e Kadaresë ishte diskutueshme aso kohe, si u bë e mundur që ajo të ngjitej në skenë?
Është forca e romanit gjenial të Kadaresë, që në këtë periudhë të rrezikshme dy artistë që kishin dhënë prova me vepra të tjera, t’i qasen asaj e ta vënë në skenë. Ata vinin pas një krijimtarie të përbashkët si “Cuca e maleve”, “Historia e një kënge”, “Ritme dhe ndjenja punëtore”. Autorët me gjithë suksesin e padiskutueshëm, në fillim të viteve ’70, kishin kuptuar edhe vështirësinë e realizimit të këtyre veprave skenike, për shkak të presioneve për trajtimin e figurave dhe faktit që kushdo kishte të drejtë të jepte mendimin e vet dhe të ngrinte dyshime. Ngjarjet e Plenumit IV, kur Zoraqi kishte kaluar edhe sprovën e mbijetesës pas festivalit të XI, ku ishte drejtor i tij dhe ndodhej në Korçë, e kanë bërë edhe më të vështirë realizimin. Por tundimi ishte i madh dhe autorët duke pasur edhe miratimin e autorit të romanit, i cili ka firmosur edhe libretin e kësaj vepre në atë kohë, janë përpjekur të shpëtojnë thelbin progresist dhe human të kësaj vepre.
Ç’mund të na thoni për variantin e asaj kohe?
Kur lexon sot mënyrën se si është konceptuar vepra, një sy i vëmendshëm edhe nëse nuk e kanë jetuar atë kohë, kupton se çfarë kanë kaluar autorët për parealizuar atë. Ata zgjodhën që edhe titulli të mos ishte ai i veprës, duke i ndarë fatet e këtyre veprave. U quajt “Tokë e pamposhtur”, edhe pse ideja e romanit është shumë më universale. Janë futur skena, që e humbasin karakterin dramatik të veprës, e qetësonin shumë në kulminacionet e saj dhe evidentonin momente të dorës së dytë, siç janë skenat e përurimit të fabrikave, vallet e gjata në dasmë, momenti i gëzimit të së rinjve, kur u vjen thirrja për ushtar, të cilat kanë brenda ironinë, nuk kanë brenda bindjen, por talljen me këto artifice. Nga kontaktet me kompozitorin jam një nga dëshmitarët më të afërt të kësaj përpëlitjeje të madhe, për të qasur këtë vepër në skenë e për të mos pësuar fate tragjike.
Pas 32 vjetësh nga vënia e parë, si i kthehet ajo publikut?
Studimi i veprës në kontekstin historik të krijimit të saj, na bën që të afrohemi tek rruga e versionit të ri që do paraqesim në premierë. Duke studiuar partiturën dhe regjistrimet e vogla të kohës pata bindjen se shkarkesat nga këto ngarkesa dytësore, do të nxirrnin një thelb muzikor të denjë për t’u paraqitur sot dhe nuk u zhgënjeva sepse vepra zbulon vlera dhe tregon kapacitetin krijues, sensin e fortë dramatik dhe talentin krijues të autorëve. Është një vepër autentike e autorit, larguar nga betonizimi për arsye ideologjike, që e dëmton dhe është forcuar ana emocionale e saj. Vepra vjen përmes një strukture moderne, si rezultat i këndvështrimit të ri nga Agron Aliaj, ndërhyrjes skenike të Valerio Ferrarit, arkitekt, instalacionist, por edhe regjisor, duke i shtuar edhe një bashkëpunim në fushën e koreografisë, nga krijues që vijnë nga qendra si Parisi, Lioni, Milano. Ky këndvështrim krijon ndijime, skena të një fantazmagorie, që të çojnë në idetë e asaj kohe.
Vepra
I bazuar mbi romanin e Ismail Kadaresë, muzikën e Nikolla Zoraqit, redaktuar nga Zhani Ciko e koreografinë e përpunuar të Agron Alisë, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” vjen me një vizion të ri hapësinor dhe trajtim skenik nga Valerio Ferrari, kostumet nga Anne Brault, konsulente e koreografit, Laura Frigato. Interpretojnë solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledian Agalliaj, Dion Gjinika, Ezdalin Gorani, Manjola Hasani, trupa e Baletit, Orkestra Simfonike e TKOB, nën drejtimin e Bujar Llapajt.