Kosova e “sapolindur” në penelin e artistëve kosovarë
Një çadër e pasigurt, që era e trallis në ajër, një udhëtim i saponisur, një fytyrë ende e paformuar, ngrehina gjysmake, por edhe gjurmë të së shkuarës dhe të së ardhmes ende të palindur. Kjo është Kosova e “re”, e sapo lindur në penelatën e piktorëve kosovarë të disa brezave. “Neë Born” titullohet ekspozita e hapur dje në galerinë “Zenit” në Tiranë, me punimet e 6 artistëve kosovarë të penelit në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës dhe në kuadrin e aktiviteteve të muajit të kulturës Kosovë-Shqipëri. Sipas pronarit të kësaj galerie, Krenar Zejno, “kjo ekspozitë dëshmon dhe një herë historinë e mbijetesës dhe vullnetit të një kombi, i cili arrin të shprehet dhe nëpërmjet artit”. Për punimet e paraqitura në këtë ekspozitë Zejno thotë se: “Këtu dominon shprehja moderne e pikturës së secilit prej autorëve pjesëmarrës”. Në këtë ekspozitë janë paraqitur 14 piktura, të realizuara në kohë të ndryshme, të cilat bëjnë pjesë në cikle si “Kryengritje” nga Gembi Xerxa, “Meditimet” nga Merita Jaha, “Pulsionet” nga Alban Meka, “Melankolia” nga Kastriot Nuraj, “E kuqe vatre” nga Gani Gashi si dhe “Gjurmë Kosove ‘99" nga Ali Oseku. Të gjithë sjellin sipas këndvështrimit të tyre Kosovën, shtetin më të ri në botë. Ka nga ata autorë, që jetojnë në Kosovë dhe e jetojnë çdo ditë procesin e lindjes, të shndërrimit të Kosovës, e cila përpiqet të marrë trajtë, të mos jetë një kaos urban si pas lufte, apo të jetë një fytyrë e plotë, ku të duken qartazi të gjitha tiparet. Por ka edhe nga ata që e shohin së largu, e kujtojnë ende erën e flakëve, zhurmën e plumbave, shtrojën e gëzhojave. Madje, një prej tyre e mbështet pikturën e tij mbi fishekë e predha dhe ngjyra e metaltë është sunduese. Ka edhe nga ata që janë larguar qysh herët, apo kanë origjinën nga Kosova, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët e tyre dhe të shumë të tjerëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun kryeqytetas gjatë dy javëve në vazhdim.