Izraeli bllokon ndihmat për Gazën
Trupat izraelite kanë vendosur një bllokadë në Gazë, duke penguar shpërndarjen e ndihmës të ofruar nga donatorë ndërkombëtarë, të cilët në një konferencë për Gazën në Egjipt kanë premtuar më shumë se 3 miliardë dollarë ndihmë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka njoftuar se vendi i saj po dhuron nëntëqind milionë dollarë dhe do të përfshihet më me forcë në avancimin e procesit të paqes. Ndërsa Arabia Saudite ka premtuar një miliard dollarë. Sipas një korrespondenti të BBC-së, në konferencën që zhvillohet në Sharm El-Sheikh, është diskutuar se bllokada e vazhdueshme e Izraelit në pikëkalimet kufitare në Gazë ndaj ndihmave të rëndësishme humanitare, mbetet një prej pengesave kryesore për rindërtimin. Donatorët kryesorë kanë thënë se asnjë prej ndihmës së dhënë nuk do të kalojë përmes lëvizjes Hamas, që kontrollon Gazën dhe që shikohet nga SHBA dhe Bashkimi Evropian si një organizatë terroriste. Sipas BBC, programi për zhvillimin i OKB-së vlerëson se gjatë ofensivës në Gazë që zgjati tre javë, u shkatërruan apo dëmtuan 14 mijë shtëpi, 219 fabrika dhe 240 shkolla. Kryeministri palestinez, Salam Fayaad që përfaqësoi palestinezët kërkoi 2.8 miliardë dollarë ndihmë.