Sejdiu me takime në Nju Jork
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu po i vazhdon ende lobimet e tij në SHBA, për të gjetur mbështetje më të fortë për njohjen e pavarësisë. Pas takimeve në Uashington, Presidenti Sejdiu ka vazhduar takimet në Nju Jork, ku është takuar me Ambasadorin Frank Uizner dhe zonjën Rosmari DiCarlo, zëvendës-ambasadore e SHBA-së në OKB, si dhe ish-kryenegociatorin e Kosovës, Soren Jessen Petersen. Në takime, bisedat u përqendruan në proceset që kanë të bëjnë me zhvillimet në Kosovë, ku një theks i veçantë iu vu vazhdimit të procesit të njohjeve të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë. Presidenti Sejdiu kërkoi nga bashkëbiseduesit vazhdimin e ndihmës së tyre për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Uizner dhe zëvendës-ambasadorja e SHBA në OKB, zonja DiCarlo, theksuan përkushtimin e tyre për të vazhduar me angazhimin në procesin e afirmimit të pavarësisë dhe të njohjeve të reja të Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë njohur atë. Sejdiu do të vazhdojë takimet në Nju Jork, me ambasadoren e SHBA-së në OKB, Susan Rice, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të vendeve të ndryshme në OKB.