E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, rihapet Gjykata, serbët pezullojnë seancën

 

Seanca e parë e Gjykatës së EULEX-it në Mitrovicë është pezulluar dhe shtyrë për një afat të paparashikuar për shkak të protestave masive të serbëve në veri të vendit. Protestuesit serbë nuk kanë lejuar zhvillimin e procesit, i cili ishte në ngarkim të dy serbëve me akuzat për një vjedhje të rëndë ndodhur në vitin 2007 në Leposaviç. Seanca do të mbahej vetëm nga gjykatës dhe prokurorë të EULEX-it. Punonjësit serbë të gjykatës, të cilët udhëhiqnin protestat, thanë se nuk ishin kundër gjykimit, por kundër sistemit, sipas të cilit synohet të realizohet procesi. Policia tha se protesta ka kaluar pa pasoja, ndërkohë që EULEX-i nuk ka qëndrim rreth mosmbajtjes së seancës, ashtu si ishte planifikuar. Gjykatat në veri të Mitrovicë nuk punojnë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, pas protestave të dhunshme të serbëve si reagim kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, tha se protesta e serbëve ka zgjatur mbi 3 orë deri në mesditë, për të përfunduar pa incidente. “Sot ka qenë e parashikuar që të mbahet seanca e parë gjyqësore e EULEX-it, pas ngjarjeve të marsit, që kanë zënë vend vitin e kaluar në Mitrovicë dhe sigurisht që prezenca e protestuesve ka qenë për këtë fakt. Në protestë kanë qenë të grumbulluar rreth 150 persona që konsiderohen të jenë ish-punonjës të sistemit të drejtësisë së ish-Jugosllavisë. Protesta ka përfunduar e qetë në mesditë”, tha Hoti. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi thotë se EULEX-i duhet të zbatojë ligjet e Kosovës, ndërsa ish-punëtorët serbë të kësaj gjykate janë të mirëpritur, që të vazhdojnë punën duke respektuar ligjet e Kosovës dhe duke mos lejuar që ata të manipulohen nga Beogradi. Protestuesit serbë, rreth 150, ku shumica ish-punonjës të gjykatës, kërkonin të dinin se cili është statusi i gjykatës. Ata kanë shprehur një qëndrim kategorik kundër përdorimit të vulës “Republika e Kosovës”. Forcat e Policisë së Kosovës, të KFOR-it dhe Policisë së EULEX-it u gjendën përpara Gjykatës së Qarkut dhe asaj komunale dhe thanë se protesta kaloi pa incidente. Burime të EULEX-it thanë se për shkak se serbët nuk lejuan hyrjen në gjykatë, procesi u shty për një herë tjetër. Edhe qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për mosfunksionimin e Gjykatës së Mitrovicës, ashtu si dhe shumë institucioneve në këtë rajon. Protestuesit serbë thanë se EULEX nuk do të lejohet që të zhvillojë procese gjyqësore, derisa të mos gjendet zgjidhje për funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri, në marrëdhënien Beograd-EULEX-UNMIK. “Duhet të zgjidhim çështjen e drejtësisë sipas planit gjashtë-pikësh të Ban ki Munit, ndërsa EULEX duhet të mbetet brenda kornizës së mandatit të tij”, tha për REL Nikolla Kabashiç, një nga gjykatësit serbë që bashkë me serbët tjerë ka protestuar para objektit të Gjykatës së Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës. Zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy, tha se “Është problem për ne, sepse, siç e dini, në pjesën serbe të Mitrovicës zyrtarët nuk janë të kënaqur. Kështu që ne po mundohemi të gjejmë zgjidhje për çështjen e vulave dhe shpresojmë të gjejmë një qëndrim pragmatik”, tha ai duke vënë në dyshim përdorimin e vulës “Republika e Kosovës” në veri të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›