E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në Bosnjë

Autori i Lajmit: Qerim Pllana
Jo rastësisht, këtyre ditëve më ra në duar një skenar i bukur i nxjerrë nga romani, ndër më të bukurit në letërsinë tonë kombëtare: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur i z. Ismail Kadare. Skenari për dramë, por edhe për film është nxjerrë nga z. Serafin Fanko. Mund të jetë i vjetër, i para disa vjetëve apo dekadave. Sidoqoftë është një skenar i mirëfilltë, i kapshëm dhe mjaft i bukur, i shndërruar në monologë, dialogë, në syzheun dhe trajtimin që i bëhet brendisë, esencës, idesë dhe personazheve aq të kapshme në roman. Ç është e vërteta, romani ka bërë një jetë të gjatë, ka pësuar nxjerrje, prurje dhe skenare tashmë të njohura në gjuhën në të cilën është shkruar vepra. Por ai lë përshtypjen, mbase ndonjëherë edhe më të thellë, më të përshtatshme edhe nëpër përkthimet në gjuhët botërore. Kuptohet, varësisht përkthimit, shfaqjeve, aktorëve të cilët i lozin rolet e personazheve të kësaj vepre të mrekullueshme, të pavdekshme e sidomos të jetëgjatësisë dhe përjetësisë, pra aktualitetit, të cilën romani dhe syzheu i tij mbetet gjithnjë aktual, tërheqës dhe për asnjë kohë monoton. Unë do të thoja, kjo vepër e skenuar, apo si e tillë, roman i shkruar, ka përjetësinë, jetëgjatësinë, aktualitetin kohën dhe hapësirën, kudo dhe në çdo skenë teatrale apo televizive. Ka modernitetin, qartësinë, bukurinë e ngritjes dhe përsosjes së temës, të personazheve, kohës kur është shkruar, por pikërisht edhe të kohës në të cilën jemi duke jetuar. Dhjetëvjetëshi ynë i fundit, në veçanti vitet e pas luftës në Kosovë, dhe jo vetëm te ne, romanin e bënë aq më aktual, më tërheqës, edhe më përmbajtësor. Sepse, dhe luftërat e fundit, të zhvilluara në një ish-“Perandori” falsifikatesh, dhe viktima të pafajshme, po ashtu ushtarë dhe eshtra të martirëve, dëshmorëve dhe heronjve, fëmijëve dhe grave, ushtarëve dhe djemve tanë. Atyre që akoma i kërkojmë, çdo ditë përpiqemi të dimë diçka për ta, na përkujtojnë esencialisht; plakën Nicë, Reizin që ra, se ra viktimë e fashizmit pas 20 vjet luftë. Të të dy gjeneralëve, priftit, specialistit, dasmës, grupimeve, marsheve, Betit, kolonel Zampës, sidomos viktimës, vajzës së Nicës etj. Nuk është thenë kot së koti. Familje e roman. Popull dhe romane, poema, drama dhe opera. Kjo vlen për shqiptarët, siç duket më shumë. Por, për habi në këtë gadishull, akoma vepra të kësaj natyre mund të shkruhen pa asnjë paragjykim. Ismail Kadare, bëri një vepër të shkëlqyer, pas njëzet vjetësh të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Ç`dua të them me këtë. Ne, në tokën veriore të Shqipërisë kontinentale, pra në Kosovë, dhjetë vjet më parë përjetuam një kasaphanë trishtimi, dhembjeje, vuajtjeje, humbjesh, të bijve, motrave, vëllezërve, etërve, bashkëkombasve, bashkatdhetarëve, djemve dhe vashave të Ushtrisë sonë të Lavdishme, rrënjët e së cilës, dikush mundohet me çdo kusht t`i çrrënjosë, për t`i zhbërë sikur nuk ka ndodhur kurrë asgjë. Ky do të ishte mallkimi ynë më i rëndë, në këtë mijëvjeçar për kombin dhe atdheun. Prandaj, romani, përkatësisht drama e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sikur na vjen me një porosi fundamentale se eshtrat, dhe jo vetëm ato, sidomos luftën dhe të rënët nuk guxohet të harrohen, po aq më tepër familjet të cilat përjetuan skëterrat e luftës. Sepse, ajo mund të na përsëritet si edhe deri më tani. Gjeneralët në dyluftim, në shahun e bukur të dyshemesë së hotelit “Dajti”, mbi pllakat e sheshta bardhezi, si një fushë e bukur, por e madhe shahu, të kujtojnë skenat e tmerrshme të ngjarjeve, me fajin e një lufte të cilën e “polli” Serbia, duke nxjerrë projektet e një shekulli më herët nga plangprishësit dhe kriminelë të sojit Milosheviç. Dhe s`është e rastit, që një zonjë si Sonja Biserko, e hedh në gjyq një “baba” të një kombi të tërë të hutuar, të mashtruar dhe të futur në ëndrra kryqëzatash mesjetare. Lufta me thasë ngjyrë blu najloni, me eshtra luftëtarësh; të gjeneralit, me gjenerallejtnantin në fushën e “shahut” në patosin e hollit të hotel “Dajtit”, flet aq me ironi, me aq filozofi dhe me aq kuptim porosie dhe mesazhi, saqë njeriu mbetet pa tekst në ato momente! Po aq sa veprimi i plakës Nicë, në dasmën e paftesë të gjeneralit, i cili nuk ishte aq i interesuar sa prifti për t`i gjetur eshtrat e kolonel Zampës. Si përfundim, po të ishte Kadareja ynë një latin, një “evropian”, amerikan, por edhe një rus, po me këtë vepër, do ta fitonte çmimin “Nobel”. Sepse, shumë kolegë të tij, me vepra shumë më të zbehta, dhe shumë nën nivelin e krijimtarisë dhe veprimtarisë së Kadaresë, fituan çmime, të nivelit “Nobel”. Vallë a nuk ishte ai Ivo Andriç me veprën “Ura e Drinit”, e cila është thellë nën hijen e “Gjeneralit”… Por, ai ishte çmim shumë më shumë i natyrës politike, sesa i vlerave artistike…Sepse, kjo vepër edhe sot ka aktualitetin, madje më të fuqishëm sesa kur është krijuar. Për habi, këtyre ditëve m u ofrua skenari i romanit të I. Kadaresë, të përktheja dhe të përshtatja për një teatër të aktorëve boshnjakë, diku jashtë Kosovës. Unë ata i përgëzoj dhe i uroj për guximin, që kjo vepër më në fund të shfaqet edhe në gjuhën “boshnjake”, edhe për shikuesit, sidomos të atyre që akoma nuk e njohin këtë vepër për së afërmi, por që i përshtatet kohës, hapësirës, rrethanave dhe ngjarjeve makabre të ndodhura edhe në hapësirën dhe bashkëkombasit e tyre të gjërë, por tejet të dhëmbshme.
Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›