E Diel, 1 Nëntor 2026

PASOK-u thirrje Karamanlisit: “Mos shko në Tiranë, të heqin dënimin ndaj Bollanos”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri grek, Karamanlis, thyen axhendën

Menjëherë pas thirrjes së opozitës, socialistëve të PASOK-ut, ku është kërkuar anulimi i vizitës së Karamanlisit në Tiranë, burime nga kabineti i Kryeministrit grek bënë të ditur dje, se Karamanlis nuk do të mund të mbërrijë në Tiranë sipas axhendës, por do të vonojë disa orë mbërritjen e tij në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia lokale e lajmeve “Greece Salonika”, sipas së cilës, vetëm dje në mesditë Karamanlisi ka marrë një vendim të tillë, gjatë vizitës së tij në Qipro, të shtyjë disa orë vizitën e tij në Shqipëri. Sipas agjencisë, shkak është bërë një minitur i tij në Kostur, nga ku është shumë e mundur që kryeministri grek, nëpërmjet Korçës, të hyjë në Shqipëri.

Zyrtare
Axhenda e Karamanlisit

Data 26
1. Mbërritja, ora 11.00 në aeroportin “Nënë Treza” në Rinasit (shtyhet rreth 4 orë, hyrja ndoshta nga Korça)
2. Takime me përfaqësinë diplomatike greke në Tiranë si dhe përfaqësitë e biznesit helen në Shqipëri.
3. Vizitë në selinë e Arqipeshkëvisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, takim me Kryepeshkopin e Tiranës dhe Durrësit dhe gjithë Shqipërisë fortlumturinë e tij, Anastasios Janullatos
4. Më pas kreu i ekzekutivit do të zhvillojë edhe një takim, organizuar nga shoqata të minoritetit grek, me përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri.
Datë 27
1. Vizitë, në orët e paradites, në ambientet e Kolegjit “Arsakios”, ku do të zhvillojë takime me drejtues, mësues, pedagogë dhe nxënës të kësaj shkolle.
2. Më pas kryeministri Kostas Karamanlis ka programuar edhe një takim në ambientet e Institutit Grek të Kulturës me seli në Tiranë.
3. Takimi me kryeministrin Sali Berisha dhe nënshkrimi i marrëveshjes
4. Konferenca për shtyp me homologun shqiptar
5. Takimi me presidentin Bamir Topi
6. Takimi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli
7. Takimi në selinë e PBDNJ-së me krerët Dule e Solis
8. Takim me kryetarin e opozitës dhe të PS-së, Edi Rama

Deputeti i partisë së Pansocialistëve të Greqisë në zonën e Janinës, Mihalis Pandulas i ka kërkuar kryeministrit Kostas Karamanlis, me anë të një deklarate për shtyp, anulimin e vizitës së tij zyrtare në Shqipëri

Acarohet situata politike në Greqi, midis partisë më të madhe opozitare, PASOK, dhe mazhorancës, Nea Demokracia, dhe konkretisht kryeministrit grek Kostas Karamanlis. Shkak për këtë acarim është bërë vendimi i Gjykatës së Vlorës që dënoi kryebashkiakun e Himarës dhe kryetarin e OMONIA-s, Vasil Bollano, me gjashtë muaj burg, 500 mijë lekë gjobë dhe heqje të së drejtës së ushtrimit të drejtuesit për tre vjet. Deputeti i partisë opozitare PASOK, e drejtuar nga Jorgos Papandreu, për zonën e Janinës, Mihalis Pandulas, si dhe zëvendëspresidenti i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Greqi, me anë të një deklarate për shtyp, i ka kërkuar kryeministrit grek, Karamanlis, të anulojë vizitën e tij në Shqipëri, në shenjë proteste pas dënimit të kryetarit të OMONIA-s dhe anëtarit të Partisë së të Drejtave të Njeriut si dhe kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në deklaratën e zotit Pandulas theksohet, ndër të tjera, se “në fillim të kësaj jave është programuar një vizitë zyrtare e z. Karamanlis në Tiranë. Shtyrja e kësaj vizite është e nevojshme deri në anulimin e vendimit të turpshëm, e cila ndihmon drejtpërdrejt në bërthamën e politikave në përgjithësi, të drejtave demokratike dhe individuale të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, të drejtën që përcaktojnë traktatet ndërkombëtare si dhe vendimet e organizmave ndërkombëtarë si dhe organizmave evropianë”, përfundoi deputeti i PASOK-ut për Janinën, Mihalis Pandulas.
Shtyrja disa orë e vizitës
Menjëherë pas thirrjes së opozitës, socialistëve të PASOK-ut, ku është kërkuar anulimi i vizitës së Karamanlisit në Tiranë, burime nga kabineti i Kryeministrit grek bënë të ditur dje se Karamanlis nuk do të mund të mbërrijë në Tiranë sipas axhendës së publikuar ekskluzivisht ditë më parë nga gazeta “Ballkan”, pra në orën 11.00 në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza”, por do të vonojë disa orë mbërritjen e tij në Shqipëri. Arsyet nuk janë bërë të ditura nga stafi i Kryeministrit grek, por mësohet nga po të njëjtat burime se Karamanlisi do të shkojë në një takim të paprogramuar dhe surprizë në Kostur (Kastoria) të Greqisë në kufi me Korçën, Doganën e Kapshticës. Bashkëpunëtorët e Karamanlisit kanë thënë se nuk është e sigurt se Kryeministri do të mbërrijë në Tiranë në orën e caktuar dhe kështu mund të anulojë një sërë takimesh të programuara, të cilat, sipas të gjitha gjasave do t i kryejë ditën e hënë në një axhendë të ngjeshur me takime. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia lokale e lajmeve “Greece Salonika”, sipas së cilës, vetëm dje në mesditë Karamanlisi ka marrë një vendim të tillë, gjatë vizitës së tij në Qipro, të shtyjë disa orë vizitën e tij në Shqipëri. Sipas agjencisë, shkak është bërë një minitur i tij në Prefekturën e Kosturit (Kastoria), nga ku është shumë e mundur që Kryeministri grek, nëpërmjet Korçës, të hyjë në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›