E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të vij ndryshe”

Autori i Lajmit: red.
Gresa Behluli, këngëtarja kosovare premton rikthim. Shkëputja një vjeçare nga muzika do ta rikthejë këngëtaren e njohur Gresa Behluli me një këngë të re dhe një videoklip, që do të dalin së shpejti në tregun muzikor. Gresa tregon se ky, do të jetë një vit aktiv për të, me këngë dhe videoklipe, ndërsa bashkëpunëtorët e saj do të jenë kompozitor të ndryshëm. Gresa Behluli, tregon gjithashtu pasionet, dhe dëshirën për të ndryshuar. “Mendoj të jem paksa më ndryshe. Dëshiroj që adhuruesve të mi, publikut shqiptar, t i ofroj sadopak vlera, sepse pauza që kam bërë më shërbeu edhe si mësim dhe si periudhë e pjekurisë për shije më të mirë për skenën në përgjithësi”, pohon këngëtarja.

Ka më se 1 vit që i keni munguar skenës muzikore me ndonjë paraqitje të re, cila ka qenë arsyeja?
Në jetë njeriu ka shumë plane dhe ambicie, të cilat mendon t i realizojë. Natyrisht se ato duhet të radhiten se cilat janë më me prioritet. Gjatë vitit që shkoi, për mua prioritet ka qenë shkollimi. Niveli im i arsimimit, si domosdoshmëri për mua, ishte edhe një kërkesë e prindërve të mi. Kjo ndikoi që unë të jem pak më larg skenës muzikore për një kohë. Mirëpo, më ndihmoi që unë të kryej fakultetin dhe të jem edhe më mirë me vetveten. Tani mendoj të filloj masterin, por krahas kësaj do të merrem edhe me këngën.

Do të paraqiteni së shpejti me ndonjë risi në skenë?
Kjo më preokupon edhe mua. Mendoj të jem paksa më ndryshe. Dëshiroj që adhuruesve të mi, publikut shqiptar, t i ofroj sadopak vlera, sepse pauza që kam bërë më shërbeu edhe si mësim dhe si periudhë e pjekurisë për shije më të mirë për skenën në përgjithësi. Jam në përgatitje e sipër të një kënge të re, të cilës do t i lançohet edhe videoklipi dhe shpresoj që do të ofroj diçka të bukur.

Me kë jeni duke bashkëpunuar?
Bashkëpunoj me kompozitorë të ndryshëm dhe autorë tekstesh në përgjithësi, që janë të mirë po edhe që janë aktualë. Konsultohem edhe me shoqërinë time, të cilën e kam të zgjedhur dhe, pse jo, prej tyre marr edhe propozime dhe preferenca.

Jeni duke u marrë edhe me diçka tjetër jashtë këngës dhe studimeve?
Jo, e thashë edhe më parë, janë preokupimet e mia jetësore, të cilat njeriu i shekullit XXI mendoj se duhet t i ketë. Të jetë i përgatitur për kohën që jemi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e vërtetë?
Ideja ime për lumturinë e vërtetë është puna, e cila të falë lumturi. Në shoqërinë tonë kjo paksa është e keqkuptuar, sepse e vërteta flet ndryshe. Të gjithë dallaveraxhinjtë janë të lumtur, po kjo shpresoj dhe i lutem Zotit, që të jetë shumë jetëshkurtër. Megjithatë, për mua çdo ditë më falë kënaqësi, në familje dhe në shoqëri. Mendoj se duhet çmuar dhe duhet konsideruar si lumturi familjen, e cila të ofron dashuri dhe mbështetje pa kushte.

Cila është frika juaj më e madhe?
Egoizmi dhe lakmia ekstreme.

Cili është udhëtimi juaj i preferuar?
Udhëtimin e preferoj shumë, kënaqem kur udhëtoj nëpër Kosovë, sepse udhëtimi nëpër Kosovë më ofron një lehtësim shpirtëror, pavarësisht se kjo herë pas here trazohet me pamje, që nganjëherë nuk na pëlqejnë. Mirëpo, preferoj ta shoh botën dhe sa herë më jepet rasti i lë punët e mia dhe shkoj të vizitoj vendet e tjera. E tillë ishte edhe vizita ime në Australi, ku kam mbetur e habitur me një botë krejt tjetër gjeografikisht, por edhe me një pritje shumë të përzemërt që na e bënë shqiptarët atje. Për mua të gjitha ato pamje të bukura, që deri atëherë i kam pa vetëm si fotografi në internet, tani i jetësoja. Ishte një ndjenjë që ende më shoqëron dhe e jetoj si kënaqësi shumë të veçantë.

Në çfarë rasti mund të gënjeni?
Mundësisht asnjëherë, por mund edhe të ndodhë vetëm atëherë kur ajo gënjeshtër nuk e lëndon askënd, përkundrazi përmirëson dhe e ndreq një situatë. Por, kuptohet, të mos jetë një gënjeshtër e madhe, por një gënjeshtër me pak peshë.

Personi që e përçmoni më shumë?
Nuk përçmoj askënd, vetëm nëse vërtet dikush e meriton.

Pengu yt më i madh?
Mendoj se jam shumë e re për të pasur diçka peng, e kam jetën përpara. Mundohem të mësoj gjithmonë prej të djeshmes dhe nuk kam dëshirë të kem diçka peng, sepse çdo vendim që kam marrë unë, e kam menduar si të drejtë për atë kohë dhe atë punë dhe të gjitha ato kanë kontribuar që unë të jem kjo që jam sot, si karakter, dhe jam e kënaqur. Gjithçka të djeshme e përdor për mirë, për të ardhmen, dhe këtë e kam mësuar nga babai, e falënderoj shumë, sepse kjo më ka shërbyer gjithmonë.

Kur dhe ku keni qenë e lumtur?
Unë jam e lumtur, sepse jeta ime është e mbushur dhe falënderoj Zotin për këtë. Mirëpo, diçka që na ka lumturuar të gjithëve mendoj se është shpallja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën mendoj se të gjithë kemi sakrifikuar diçka.

Ndonjë plan për të ardhmen?
Kam shumë plane dhe ambicie dhe mendoj që me punë dhe përkushtim do t i arrij të gjitha. Si plan më afatshkurtër është realizimi i një kënge të re, bashkë me një videoklip, që shpresoj të pëlqehen në publik.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›